BISEDË MES NJERIUT DHE MACES

BISEDË MES NJERIUT DHE MACES

Isai / Jezusi në Kuran
MES VIRTYTIT DHE VESIT
NGRITJA DHE RËNIA E CIVILIZIMEVE (BESIMI DHE MOSBESIMI)
PSE VONOHEMI DHE ARSYETOHEMI?!

BISEDË MES NJERIUT DHE MACES
Xhemaludin el-Afgani

“Përderisa njeriu është në këtë gjendje të palakmueshme, atëherë kjo nënkupton se është në gjendje shumë më të mjerueshme dhe më të keqe se të gjitha kafshët.”

Një ditë rastisi që një mace ta rrëmbente dhe ta hante zogun e shtëpisë, për çka i zoti i shtëpisë u zemërua shumë, morri shkopin dhe e sulmoi ashpër macen. E rrahu pa mëshirë, pastaj filloi ta fyente duke i thënë: “kafshë e poshtër…e pavlerë…tradhtar. por macja refuzoi që njeriu ta fyente me këso gjëra, ia kthente të sharat, e quante të zotin e shtëpisë mashtrues, tradhtar, lakmues etj. Mes tyre shkëmbyen këtë bisedë.
Në këtë bisedë njeriu pohon se është më i lartë dhe më i ngritur se kafsha, por macja nuk mendon kështu, ajo mendon se njeriu është shumë më i ulët se gjitha kafshët. Njeriu mburret me mendjen e tij, të arriturat dhe shpikjet, kurse macja pohon se të gjitha këto janë për të plotësuar të metën esenciale në natyrën njerëzore, se një e metë e tillë nuk gjendet në natyrën e kafshëve. Njeriu përsëri sulmon macen duke pohuar se ligji dhe sistemi në botën e njeriut dëshmon madhështinë njerëzore, se kafshët janë të privuar nga këto ligje dhe rregulla që mbrojnë të drejtat dhe detyrat. Macja i thotë se nevoja e njeriut për rregull dhe ligj del nga natyra e tij e ligë dhe e çrregulluar, nga ajo se njerëzit kryejnë krime, cenojnë të drejtat e të tjerëve, kurse kafshët nuk kanë nevojë për ligj aq sa ka kjo qenie e keqe njerëzore.
Njeriu mburret se gëzon ligjin politik dhe shoqëror, se është qenie shoqërore, organ i pashkëputshëm në lidhjen shoqërore, ka qeveri dhe kryetar. Macja përqeshë atë dhe ia kujton se njerëzit i nënshtrohen tiranëve dhe despotëve, sikur robëria dhe nënshtrimi të jenë pjesë e natyrës së tij. por njeriu vazhdon duke pohuar se është më i lartë se kafsha dhe në gjendje më të mirë se ajo, sepse atij iu janë shpallur librat e shenjtë, për të erdhën profetë e lajmëtarë, kurse kafshët nuk dinë gjë për këtë.
Për fat macja nuk kundërshtoi këtë respekt të madh që gëzon njeriu, por ia kujton se njeriu shumë herë shpërfillë librat e shenjtë dhe nuk është i përpiktë në zbatimin e tyre, prandaj edhe nuk e meriton këtë. Njeriu u zemërua edhe më shumë dhe filloi fyerjet, por macja ia kujtoi natyrën e tij morale të ulët, dhembjet që i përjeton njeriu në jetë, se kafsha gëzon respekt dhe aftësi më shumë se njeriu. Njeriu ndjeu se u mposht para një mace, theu lapsin në dorë, derdhi ngjyrën në dysheme dhe kuptoi se ishte më i ulët se kafsha.
Në këtë bisedë vërehet veprimi i vrasjes, po që macja e rrëmbeu zogun, por a thua meritonte për këtë të jetë e fyer nga njeriu? Kafsha vret për tu ushqyer, vret tjetrin për të ruajtur vetveten, kurse njeriu rrallë herë vret për ta mbrojtur vetveten, ai vret padrejtësisht dhe është armiqësorë, veprimet e njeriut rrallë herë janë të arsyetuara.
Macja: “O njeri mendjemadh, injorant dhe i çuditshëm, të them se nuk të ka hije as ty e as llojit tënd të më cilësoni me tradhti, sepse Krijuesi i gjithësisë më ka lejuar të marrë nga bota aq sa ta ngopë veten nga uria dhe të plotësojë nevojë time në çfarëdo mënyre që është mundur, kurse ju, çdonjëri prej jush shfrytëzon rastin për t’ia marrë tjetrit nga dora, secili i fuqishëm vjedh pasurinë e të dobëtit dhe i shpenzon në pallate të mëdha, rroba të shtrenjta, ushqime të shijshme dhe në kënaqësi të panevojshme. Çdonjëri prej jush jeni që nuk kënaqeni me gruan që e keni, por kërkoni gruan e fqiut dhe shokut dhe tradhtoni.
Macja habitet se si është e mundur që njeriu ta cilëson me emra të pamatur, kur vetë njeriu nuk i sheh të këqijat që i ka në vete. Ti që mua më quan e keqe, pse nuk bëhesh i mirë e të mos fyesh dhe tregohesh i pamatur.
Macja: “O njeri, ku e ke amanetin dhe nderin? Ku janë vlerat që të bëjnë të mos jesh i pavlerë dhe i ulët?
Njeriu: “Habitem sa e keqe je, a nuk e sheh madhështinë e njeriut që pushtoi gjithë botën dhe mbizotëron atë, se si të gjitha kafshët janë të nënshtruara nën sundimin e tij?
Macja: “O njeri, ti nuk ma sqarove këtë nder të madh që ke, por u krenove, u lavdërove me lakminë, padrejtësinë dhe mundësinë tënde, kurse unë të pyeta për vlerat e tua të vërteta dhe cilësitë e bukura.
Njeriu: “Oj mace, a nuk e sheh njeriun dhe arritjet dhe shpikjet e tij, shkencën, teknologjinë dhe industrinë, se si i bëri të përsosura!? Ku janë kafshët për të bërë këso gjëra? Ku mundet fuqia e kafshëve të bëjë këso gjëra?
Macja: “Dije o njeri se Krijuesi (Rregulluesi) i gjithësisë e krijoi macen të pavarur nga njeriu dhe të panevojshme për të. Krijuesi është Ai që në mua vendosi të gjitha gjërat që më bëjnë të lumtur deri në fund të jetës, më frymëzoi se ç’është e mirë dhe e keqe, më dha lëkurën që më mbron verë e dimër, thonjtë dhe këmbët të mbrohem nga armiqtë, kurse ti ke nevojë për çdo gjë, prandaj shpike njohuri dhe teknologji për të krijuar rehati në jetë, por edhe përkundër kësaj nuk arrite të gjesh rehatinë.
Njeriu: “A nuk sheh se si njeriu vendosi ligje dhe rregulla, zgjodhi prefekt që kujdesen për të drejtat dhe sigurinë e njeriut, a keni ju kafshët këso ligje dhe rregulla?
Macja: O njeri, sqarimi yt më bëri të kuptoj se sa të këqij jeni, se jeni mashtrues, tradhtar, të padrejtë, armiqësor, përçarës, dyfytyrësh dhe keni të gjitha të këqijat, për këtë keni nevojë për vendosjen e rregullave dhe ligjeve, për të larguar të keqen e njëri tjetrit, që të përfitoni përmirësimin, por ku e keni këtë përmirësim? Përgjigju.
Njeriu: “O kafshë, shiko urtësinë e njeriut, se si ka krijuar lidhje midis vete, ka mbretër të mëdhenj, ministra, deputet, kryetar etj, çdonjëri ka vendin e vet, jemi si një trup, kurse ju kafshët nuk keni këso lidhjesh.
Macja: “O njeri i padisiplinuar e i ngatërruar, sqarimi yt më bëri të kuptojë se sa të mjerë që jeni, në natyrë e kenë robërinë dhe nënshtrimin, sepse ai që është i lirë nuk ka nevojë t’i nënshtrohet tjetrit, kurse ju jeni munduar që të bëheni rob i njëri-tjetrit. Kryetarët e juaj kanë vënë dorë mbi ju dhe shpirtrat e juaj i shesin në luftëra, lodheni e rraskapiteni deri në vdekje, ua kanë marrë pasurinë që me vështirësi e keni fituar, bile ua marrin me zor, nëse nuk e jepni me qejf, atë e harxhojnë për kënaqësi të tyre, ju lënë vetëm aq sa për të mos vdekur urie ose për tu bërë të trashë e të fuqishëm për t’ju përdorur për luftë dhe shërbim. A me këtë lavdërohesh? Sa lavdërim i keq?!
Njeriu: “Moj mace, a nuk ke dëgjuar që Krijuesi e dalloi njeriun me shpallje dhe profetë? A të ka hije që pas kësaj edhe më tej të flasësh për njeriun kështu?
Macja: “Besoj dhe jam e bindur për këtë vlerë të madhe që keni, por o ju të mjerë, ku e keni besimin në këtë? Sa jeni duke i ndjekur profetët dhe ligjet hyjnore? Ata erdhën për ju, por ju vetëm se keni shtuar tiraninë dhe armiqësinë, keni hequr dorë nga e vërteta që ata e sollën, nuk falënderuat mirësinë e Zotit të madh që ju dërgoi profet. Ju nuk po e ndieni sëmundjen, për atë nuk keni nevojë për mjek.
Njeriu: “Ti moj e mjerë dhe llafazane, me këtë që thua më nxore nga tema, pse e rrëmbeve zogun tim? Si munde të më tradhtosh në pasurinë time?
Macja: “Ju jeni ata që gënjeni, mashtroni dhe tregoni dyfytyrësi për të arritur interesin, ju jeni që babai tradhton të birin, i biri babanë, vëllai vëllain, kurse shfaqni dashuri dhe respekt, në vete fshihni mashtrimin dhe tradhtinë, betoheni dhe thyeni premtimet, besatoheni e mashtroni, premtoni dhe nuk zbatoni, asnjëri prej jush nuk ndien rehatin nga vëllai i tij qoftë edhe një sekondë, vetëm shtireni të mirë kurse të keqen jeni gati te shfaqni në çdo moment, çdonjëri i ruheni të keqes së tjetrit. Unë jam mace, por kur nuk pranoj të jem rob i tjetrit. A nuk sheh se nëse më sulmoni të gjithë me armë, në fund mbledh tërë fuqinë dhe ju sulmoj, vdes e lirë.
O njeri, ju jeni rob të njëri tjetrit, ju përjetoni marrëzi dhe poshtërim, unë shoh se si ju i bëni të padrejtë njeriut të mirë, dijetarit, bujkut etj. Si nuk keni turp që punëtorin të lodhur pas pune të mos e shikoni me shikim kënaqësie, gomarin e ushqeni pas punës dhe i jepni për të pirë, por njeriun? Ku i keni fjalët e bukura, falënderimet, mirënjohjet, buzëqeshjen?!
A nuk sheh mor njeri se si keni veçuar vende për internim, në Siberi e shumë vende të tjera, ku i vendosni të pafajshmit? A nuk i shikon ata njerëz që vdesin në shumë vende të botës padrejtë? Çfarë ju bëri dobi dija dhe shpikja; mjerë për ju sa të mjerë e të pavlerë që jeni?
Jeta e juaj plot vuajtje, lumturia mjerim, liria robëri, trimëria frikë…!
Njeriu: “S’më mbeti tjetër pos të hedh lapsin e ta thyej, ta derdh ngjyrën në dysheme e të them: “Përderisa njeriu është në këtë gjendje të palakmueshme, atëherë kjo nënkupton se është në gjendje shumë më të mjerueshme dhe më të keqe se të gjitha kafshët.”

Nëse shtypni reklamat më poshtë mundësoni funksionimin e portalit tonë. Ju falemnderit.