Dobitë e Agjërimit

Dobitë e Agjërimit

Ju këshilloj për pesë gjëra
Studim: Muzika, televizioni, leximi dhe depresioni
Ecja, mjekësi në vete
Dobitë shpirtërore dhe shëndetësore të agjërimit

Agjërimi është njëri nga kushtet e Islamit. Si për të gjitha adhurimet, edhe agjërimin, muslimanët e mbajnë pa menduar për dobitë e tij. Zoti na e thotë këtë kështu në Kur’an: “Unë i krijova xhindet dhe njerëzit vetëm për të më adhuruar mua!”[1] Pra, qëllimi i ekzistencës së njeriut është të bëjë adhurim. Shpërblimi i adhurimeve pritet nga Allahu. Fryti i adhurimeve është shpirtëror, pra dobia e tyre do të shihet në jetën e pasme (ahiret). Dobitë materiale që sjellin me vete disa adhurime, kurrsesi s’mund të jenë shkaqe dhe qëllime të atyre adhurimeve.

Ndërkaq, po të mbahet parasysh se veprimet për të cilat ka urdhra hyjnorë që të kryhen, janë gjëra të dobishme për njerëzit, kurse veprimet për të cilat ka urdhra hyjnorë që të mos kryhen ose, e thënë ndryshe, të cilat përbëjnë ndalime hyjnore, janë të dëmshme për njerëzit, pra, po të mbahet parasysh kjo, mund të thuhet se mendimi dhe hulumtimi i urtësive të urdhrave dhe ndalimeve hyjnore është një faktor që e forcon besimin. Fundja, dobitë dhe interesat që na vijnë pa i menduar fare pasi t’i kemi kryer adhurimet, janë domosdoshmëri e urtësisë së Allahut që është Hakim, i Urtë! Në propozimet e Tij për ne fshihen shumë e shumë urtësi. Ashtu si për namazin, zeqatin dhe haxhin, dobitë që i përfton njeriut në këtë botë, edhe për agjërimin duhen vlerësuar gjithmonë nga kjo perspektivë.

1. Dobitë e agjërimit për individin

a) Dobitë trupore

Njeriu është një qenie e krijuar si sintezë e shpirtit me kurmin[2]. Ashtu siç kurmi pa shpirtin nuk shpreh ndonjë gjë, nuk përbën ndonjë vlerë njerëzore, ashtu dhe shpirti pa kurmin nuk përbën ndonjë vlerë njerëzore për propozimet ose mocionet e kësaj bote. Me ato që ha e pi, me qëndrimet dhe veprimet, me adhurimet, përgjithësisht me detyrat dhe ritet fetare që përpiqet t’i kryejë, njeriu ushtron një sërë ndikimesh edhe mbi trupin[3], edhe mbi shpirtin e vet. Edhe pse kafshata që fut në gojë njeriu, shkon në stomak (vepron në stomak ose mbi stomakun), në të vërtetë, ushtron një sërë ndikimesh edhe mbi shpirtin. Lëvizjet ose veprimet trupore që bën njeriu, ashtu siç formojnë disa rrjedhoja materiale mbi trupin, formojnë edhe disa rrjedhoja jomateriale mbi shpirtin. Kufizimet, privimet dhe përkorësitë[4] zënë një vend shumë të rëndësishëm në zhvillimin dhe maturimin e jetës individuale të njeriut. Dhe kjo mund të bëhet vetëm me agjërim. Një kuptim i agjërimit është edhe privimi i shpirtit dhe përkorësia dhe kufizimi i trupit. Kur agjërimi të përdoret shpesh, atëherë do të vëzhgohen hapur vlerat dhe virtytet që do të formohen në botën e brendshme, në ndërgjegje. Nuk mund të konsiderohet e mundur që tek njeriu që ia ka kushtuar veten stomakut, që e ka kthyer veten në kufomë, që në çdo vend e në çdo kohë mendon stomakun, të ketë një shpirt të pastër dhe një zemër të kulluar. Puna e vetme që mund të bëjë një person i tillë, është të hajë, të pijë, të kryejë jashtëqitje, të marrë të mira të ndryshme dhe të konsumojë si një mosmirënjohës, pa falenderuar. Ja pra, agjërimi u kujton individëve se s’duhet të ndodhë kështu!

aa) I jep pushim trupit

Eshtë një e vërtetë e pranuar dhe e mbrojtur nga mjediset mjekësore se sistemi i tretjes që fillon të funksionojë sapo të vijë në botë, ka nevojë të pushojë herë pas here. Dobia e agjërimit i cili është pushim i trupit një muaj në vit, me këtë aspekt të tij për trupin e njeriut, nuk mund të mohohet. Stomaku ka shumë “punëtorë”, veç këtyre janë edhe shumë ndjenja njerëzore që kanë lidhje me të. Po qe se stomaku nuk bën pushime ditore një muaj në vit, sjell si rrjedhojë që “punëtorët” dhe ndjenjat njerëzore të harrojnë adhurimet e tyre të posaçme, të merren vetëm me të, t’i marrë ata nën urdhrin e vet, ta tërheqë vazhdimisht nga vetja vëmendjen e tyre, t’i bëjë ata t’i harrojnë detyrat e tyre të larta. Me anë të agjërimit të ramazanit, “punëtorët” e stomakut e kuptojnë se s’janë krijuar vetëm për të. Edhe aparatet dhe organet e tjera, në vend të dëfrimeve të ulta të stomakut, në ramazan kënaqen me dëfrime engjëllore e shpirtërore dhe i ngulin shikimet në ato kënaqësi shpirtërore. Prandaj ndodh që në muajin e ramazanit, besimtarët meritojnë, sipas gradës shpirtërore të secilit, veç e veç bukuri, begati, kënaqësi moralo-shpirtërore. Në atë muaj të bekuar, me anë të agjërimit zhvillohen shumë cilësi delikate të njeriut si shpirti, arsyeja dhe fshehtësia dhe, ndërsa stomaku qan, ato qeshin pafajësisht.[5]

Çdo makinë, pas një kohe të caktuar funksionimi, ndalohet për t’iu bërë mirëmbajtja e nevojshme. Po nuk u bë kjo, ose makina shkatërrohet plotësisht, ose i shkurtohet jetëgjatësia. Pas një periudhe mësimi, nxënësit i jepet pushim. Një punëtor punon nga mëngjesi në mbrëmje, por në mbrëmje tërhiqet në pushim. Pa këto pushime dhe rimbledhje forcash, është e pamundur të punohet me të njëjtin ritëm e të jepet prodhim. Trupi i njeriut është si një fabrikë, kurse gjymtyrët e tij si makineritë e asaj fabrike. Agjërimi është pretekst që trupi ynë-fabrikë të pushojë, të mos vjetërohet, por të punojë në mënyrë të përsosur. Me anë të agjërimit hidhen jashtë yndyrërat e dëmshme të grumbulluara në trup, treten mishërat e tepërta që bëhen shkak për ngjallje, trupi lehtësohet. Sot janë një tufë njerëzish që kërkojnë andej-këtej shpëtim nga ngjallja (obeziteti). Dhe është një e vërtetë e pranuar nga shkenca e mjekësisë se obeziteti bëhet pengesë për qarkullimin e gjakut dhe funksionimin e ngadalshëm të trupit. Kurse agjërimi është edhe shpëtim për këto sëmundje, edhe pretekst i rëndësishëm për të fituar mirësi e shpërblim.

bb) Rinovon trupin

Shkencëtari me famë botërore që ka fituar çmimin Nobel në vitin 1940, Alexis Carrel, në librin e tij “Njeriu, Ky i Panjohur” (L’Hamme, Cet Inconnu), thotë: “Gjatë agjërimit ushqimet e depozituara në organizëm harxhohen, më pas zëvendësohen me të reja dhe në këtë mënyrë në të gjithë trupin ndodh një rinovim, gjë e cila vërteton se agjërimi është i dobishëm për trupin.

Gjatë agjërimit sistemi nervor është në një qetësi absolute. Kënaqësia që na jep kryerja e një adhurimi, i shuan të gjitha tensionet dhe pakënaqësitë tona. Në këtë mënyrë, shmangen streset, të cilat janë ndër problemet më të mëdha të ditëve të sotme.”[6]

cc) E mbron trupin nga sëmundjet

Shumë fjalë janë thënë gjer këtë çast mbi dobinë e agjërimit për shëndetin e shpirtit dhe trupit, janë shkruar një numër i madh artikujsh dhe librash me këtë temë. Krahas shumë botimeve që tregojnë se agjërimi nuk është i dëmshëm, agjërimi ka shumë dobi shëndetësore. Profesori gjerman Cehardet, në librin e tij mbi çështjen e mbështetjes dhe të forcimit të vullnetit, duke e këshilluar agjërimin, tregon se agjërimi është rruga më e efektshme për të siguruar sundimin e shpirtit mbi trupin me qëllim që njeriu të mos bëhet robi i prirjeve materiale, që të bëjë një jetë ku t’i ketë në duar frerët e nefsit (frymës, egos).[7]

Kurse Dr. Rowy thotë kështu rreth kësaj çështjeje: “Agjërimi e rrit rezistencën e trupit ndaj sëmundjeve. Këtë të vërtetë mjekësore të rëndësishme, ‹slami e ka zbatuar duke e bërë agjërimin të detyrueshëm, kurse mjekësia e sotme moderne e përdor agjërimin si mbrojtës dhe ilaç kundër sëmundjeve.”[8] Sikur të donin të mbështetnin në praktikë fjalët e Dr. Rowy-t, në spitalin e Dr. Henri Lahman-it në Dresden të Saksonisë, veçanërisht në shtëpitë e shëndetit të Dr. Bersherbenr dhe Dr. Moliere bëhet mjekim me anë të agjërimit.[9]

Muhamed b. el-Yeman e tregon kështu rëndësinë e agjërimit: “I pyeta gjashtë lloj vetë për gjashtë gjëra të ndryshme dhe mora të njëjtën pyetje. I pyeta mjekët për ilaçin më të mirë për shërim dhe më thanë se “ilaçi më i mirë për shërim është uria dhe ngrënia e pakët”. I pyeta filozofët se ç’ishte gjëja më e vlefshme për ta kërkuar urtësinë dhe më thanë, “uria dhe ngrënia e pakët”. I pyeta adhuruesit se ç’ishte gjëja më e dobishme për adhurimin e Allahut dhe më thanë, “uria dhe ngrënia e pakët”. I pyeta dijetarët se ç’ishte gjëja më e dobishme për ta ruajtur në kujtesë diturinë dhe më thanë, “uria dhe gjumi i pakët”. I pyeta mbretërit se cilat ishin gjellët më të mira dhe më thanë, “uria dhe ngrënia e pakët”. I pyeta të dashuruarit se cila ishte gjëja që e afronte njeriun te i dashuri dhe më thanë, “uria dhe ngrënia e pakët”.

Edhe Ebu Talib-i Mekki thotë kështu: “Besimtari është si flauti; vetëm nëse është bosh brenda, i del zëri i bukur!”

Një studim i veçantë rreth kësaj çështjeje.

Ky studim u botua nën titullin “Efekti i agjërimit mbi shëndetin e njeriut” në revistën “el-Muslimun” që del në Pakistan. Studimin e kanë bërë dy pedagogë të fakultetit të mjekësisë të Dakarit, kurse kritikën e ka bërë një tjetër Profesor. Tani le t’ua lëmë fjalën autorëve të këtij studimi.

Hyrje: Të gjithë muslimanët e botës agjërojnë çdo vit në muajin e ramazanit që është muaji i nëntë i kalendarit hënor. Gjatë gjithë muajit të agjërimit, muslimanët e kanë të ndaluar të hanë nga zbardhja e ditës, domethënë rreth një orë e gjysëm para lindjes së diellit, gjer në perëndimin e diellit. Kurse nga iftari gjer në imsak mund të hanë sa të duan.

Agjërimi është i detyruar për meshkujt e shëndoshë duke filluar nga mosha pesëmbëdhjetë vjeç, pra, që kanë mbushur moshën e pubertetit, dhe për femrat e shëndosha duke filluar nga mosha dymbëdhjetë vjeç, pra që kanë mbushur moshën e pubertetit. Ndërkaq, sipas ajetit si më poshtë, për të sëmurët dhe udhëtarët bëhet ky përjashtim:

“Të sëmurët ose udhëtarët nga ju, agjërojnë po aq ditë sa kanë lënë pa agjëruar!” (Bakara, 2/184)

Në vartësi të qarkullimit të vitit hënor, muaji i ramazanit lëviz çdo vit ndaj vitit diellor, sepse, siç dihet, viti hënor hyn çdo vit njëmbëdhjetë ditë më parë se viti diellor.

Periudha ditore e agjërimit ndryshon mes nëntë dhe dymbëdhjetë orësh në vartësi të zonave gjeografike dhe stinëve të vitit diellor kur bie ramazani. Kështu, personi që agjëron, gjatë gjithë mbrëmjes dhe natës gjer në zbardhje mund të hajë një ose dy vakte ushqim sipas oreksit.

Çështja se në ç’raport ndikon agjërimi mbi organizmin e njeriut është bërë qysh në krye të herës temë e debateve shkencore të gjata. Ndërsa disa studiues kanë pretenduar se agjërimi është i dëmshëm për organizmin e njeriut, disa shkencëtarë të tjerë kanë mbrojtur pikëpamjen sipas së cilës, në qoftë se çështja kufizohet vetëm me ndryshimin e orëve të ngrënies, agjërimi nuk shkakton asnjë dëm mbi organizmin e njeriut, sepse ndryshimi në fjalë nuk do të ndikonte mbi nevojën njëzetekatërorëshe të organizmit të njeriut për kalori.

Me të vërtetë, në muajin e ramazanit, organizmi i njeriut shpenzon më tepër proteina, karbohidrate dhe sheqer se në muajt e tjerë. Dhe kjo do të thotë se organizmi i agjëruar shpenzon kalori në raport më të madh se organizmi normal.

Studimi: Ky studim mjekësor u zbatua në trembëdhjetë persona vullnetarë. Mes tyre ndodheshin dy gra shtatzëna 6-muajshe. Qëllimi ishte të përcaktohej efekti i agjërimit mbi trupin e njeriut. Me qëllim krahasimi, studimi u zbatua nën të njëjtat kushte dhe brenda të njëjtës periudhë kohore edhe mbi një vullnetar njëzeteshtatëvjeçar që nuk agjëronte. Gjatë studimit u hetua ndikimi i agjërimit mbi peshën trupore, nxehtësinë e trupit, pulsin, tensionin arterial, veprimtarinë asimiluese në qelizat dhe mbi ekuilibrin e lëngjeve të organizmit. Njëkohësisht, u bënë edhe analizat e gjakut dhe urinës.

Metoda e eksperimentimit dhe studimit: Ndër personat vullnetarë që iu nënshtruan eksperimentimit dhe studimit, ishin edhe tri femra me moshë shtatëmbëdhjetë, njëzet e shtatë dhe dyzet vjeçe. Kurse mosha e meshkujve ndryshonte mes njëzet e dy dhe njëzet e nëntë vjetëve. Vullnetarët e zgjedhur që të gjithë nga shtresa e mesme, merrnin një sasi ditore kalorish prej 2500-3000 kalori. Në mënyrë të veçantë, të gjithë të eksperimentuarit ishin persona të shëndoshë që nuk vuanin nga asnjë lloj sëmundjeje organike ose mikrobike.

Tek të eksperimentuarit u bënë analizat dhe studimet e nevojshme gjatë një jave para ramazanit për të krahasuar të dhënat para dhe gjatë agjërimit. Analizat e javës para ramazanit u morën para ngrënies së mëngjesit, kurse analizat e muajit të ramazanit u morën në iftar pas pirjes së një goje ujë. Analizat dhe provat u përsëritën në ditën e parë, të dhjetë e të fundit të ramazanit si dhe një muaj pas ramazanit.

Në provat u përdorën metodat më moderne e të ndjeshme.

Rezultatet:

1) Pesha trupore: Efekti i agjërimit mbi peshën trupore tregohet në tabelën e mëposhtme ku është përdorur njësia e matjes Ritll.

Para ramazanit   Në ramazan        Pas ramazanit

a             b       c      d                 h

Vullnetari i paagjëruar          142                  140    140  140            142

Vullnetarët e agjëruar           122         122    121  119            121

(mesatarja)

Gruaja shtatzënë                  106         106    108   110           117

(Shënim: a) Të dhënat para ramazanit; b, c, d) Të dhënat e ditës së parë, të dhjetë e të fundit të ramazanit; h) Të dhënat e një muaj pas ramazanit)

Përfundimet që mund të nxirren nga tabela, janë këto: Në peshën trupore të vullnetarit të paagjëruar nuk duket ndonjë ndryshim i dukshëm. Me përjashtim të dy vetëve, në peshën e vullnetarëve të agjëruar, gjatë gjithë ramazanit ka ndodhur një rënie e lehtë në peshë gjer në 7 Ritëll, pesha trupore e një personi s’ka ndryshuar aspak, por e ka ruajtur gjendjen para ramazanit. Ndërkaq, pesha e gruas shtatzënë gjatë gjithë ramazanit u rrit gjer në 4 Ritëll. Sipas të dhënave të një muaji pas ramazanit, shihet se gjer gjysma e vetëve që ranë në peshë gjatë ramazanit, e rifituan peshën e humbur.

2) Qarkullimi i gjakut: Nuk u shfaq ndonjë efekt i dukshëm i agjërimit mbi pulsin dhe nxehtësinë trupore. U

vëzhgua se raporti i hemoglobinës mbeti normal. Nga kjo kuptohet se agjërimi prej një muaji nuk është aq i gjatë sa të shkaktojë një ndryshim për t’u shënuar në raportin e hemoglobinës. Në përgjithësi, ndryshim nuk ndodhi as në tensionin arterial të personave të agjëruar. Ndërkaq, në tensionin e disa personave u vëzhguan rënie të vogla në ditët e para të ramazanit.

3) Frymëmarrja qelizore: Gjatë gjithë ramazanit nuk u vëzhgua ndonjë ndryshim për t’u shënuar në raportin e frymëmarrjes qelizore. Vetëm në frymëmarrjen e gruas shtatzënë, në periudhën e parë të ramazanit u vëzhgua një rritje +15,1 njësi mbi normalen dhe në matjet një muaj pas ramazanit u vëzhgua një rritje prej +26,15 njësi mbi normalen. Edhe këto të dhëna tregojnë një ndryshim që mund ta durojë organizmi i një gruaje shtatzënë (x).

4) Raporti i sheqerit në gjak: Në tabelën e mëposhtme shihen ndryshime në raportin e sheqerit në gjak gjatë gjithë periudhës së studimit. Në këto matje u përdor njësia 200 mm3 / mgr.

Para ramazanit         Në ramazan        Pas ramazanit

a             b          c        d                h

Vullnetari i paagjëruar              92            87      90      88             93

Vullnetarët e agjëruar               84            80      80      74             86

(mesatarja)

Gruaja shtatzënë (x)                 88          84        72      68            81

(Shënim: a) Të dhënat para ramazanit; b, c, d) Të dhënat e ditës së parë, të dhjetë e të fundit të ramazanit; h) Të dhënat e një muaj pas ramazanit)

Siç duket nga kjo tabelë, në raportin e sheqerit në gjak të personave të agjëruar u shfaq një rënie e dukshme. Kjo rënie arriti gjer në 70 miligram, gjë që konsiderohet kufiri i poshtëm i raportit normal të organizmit. Në asnjërin nga personat e marrë në studim raporti i sheqerit nuk arriti mbi 104 miligram.

5) Konsumi i sheqerit në gjak: Në këtë mes, tek katër persona të agjëruar, nga të cilët njëra grua, në provat e bëra para ramazanit dhe në ditën e fundit të ramazanit, u matën ndryshimet e shkaktuara nga agjërimi mbi shpejtësinë e konsumimit të sheqerit në gjak. Në këto matje, tek personat e agjëruar nuk u pa ndonjë ndryshim i dukshëm në raportin e glukozës në krahasim me personat që nuk agjëronin. U vëzhgua se komponentët e gjakut mbetën në raporte normale gjatë gjithë periudhës së agjërimit. Veçanërisht u përcaktua se edhe mëlçia e zezë funksionoi normalisht.

6) Raporti i lëngjeve në trup: Në këtë studim u vu re se shumica e personave të agjëruar mundën të merrnin lëngje në sasi të mjaftueshme për trupin e tyre. Madje u vërejt se disa persona të agjëruar, duke dalë pak mbi sasinë e mjaftueshme, morën 2,4 litra lëngje në 24 orë. Edhe raporti i jashtëqitjes së urinës, siç duket në tabelën më poshtë, mbeti normal gjatë periudhave 24-orëshe. Në të vërtetë, tek personat e agjëruar, kohë pas kohe u vunë re disa rënie në sasinë e urinës së nxjerrë, por kjo rënie u mat edhe te personat e paagjëruar. Nga kjo u kuptua në mënyrë të prerë se këto rënie u krijuan jo nga agjërimi, por në vartësi të ndryshimeve klimatike dhe të avullimit nëpërmjet poreve të trupit, sepse kjo rënie e sasisë së nxjerrjes së urinës u pa edhe te personat e agjëruar, edhe tek ata që s’mbanin agjërim. Tani, efektin e ramazanit mbi sasinë e urinës së nxjerrë ta shohim në tabelën e mëposhtme:

Para ramazanit   Në ramazan        Pas ramazanit

a             b        c          d             h

Vullnetari i paagjëruar              102         101     105      104          100

Vullnetarët e agjëruar               104         107      102      102         104

(mesatarja)

Gruaja shtatzënë                    104          103      103       108        104

(Shënim: a) Të dhënat para ramazanit; b, c, d) Të dhënat e ditës së parë, të dhjetë e të fundit të ramazanit; h) Të dhënat e një muaj pas ramazanit)

Siç duket nga kjo tabelë, gjatë agjërimit, në funksionimin e veshkave nuk ndodhi ndonjëfarë ndryshimi. Tek të gjithë personat në studim u vu re se përbërësit e urinës qenë normalë.

Përfundim i përgjithshëm: Provat dhe studimet mjekësore të mësipërme tregojnë se agjërimi nuk ka ndonjë efekt të dukshëm prishës për shëndetin e njeriut. Natyrisht, po qe se do të ishte e drejtë të thuhej në kuptim të përgjithshëm se agjërimi e dëmton shëndetin, duhet të mbajmë parasysh se tek shumica e personave të marrë në studim janë vërejtur shtim i vogël peshe dhe rënie e raportit të sheqerit në gjak vetëm afër mbrëmjes për shkak të gjatësisë së ditës, megjithëse kjo rënie nuk e kalon kufirin e durimit dhe nivelin fiziologjik normal.

Ndërkaq, duhet ta kemi të qartë se këto prova dhe studime u bënë mbi individë të shëndoshë. Prandaj nuk mund të themi se rezultatet dhe përfundimet e nxjerra vlejnë edhe për të sëmurët dhe të gjymtuarit. Kështu, do të ishte shumë e dobishme të bëhej një studim me qëllim për të përcaktuar efektin e agjërimit mbi personat me diabet ose me sëmundje të tjera të rënda.

Në studimin e mësipërm, te personat e agjëruar u vu re sidomos në orët e fundit të ditës një mpirje dhe përgjumje, ndoshta për shkak të rënies së raportit të sheqerit në gjak, sepse, menjëherë pas ngrënies së iftarit, personat e agjëruar kanë rifituar gjallërinë e mëparshme të trupit.

Interpretimi i Doktorit

Ky studim, i kryer nga dy shkencëtarë muslimanë me metoda shkencore moderne, ka nxjerrë në shesh se agjërimi nuk është i dëmshëm për shëndetin e njeriut. Duke shkuar një hap më përpara, unë dua të shtoj se agjërimi jo vetëm që s’është i dëmshëm për shëndetin e njeriut, por ka shumë dobi shëndetësore të provuara gjithashtu me rezultate shkencore, të cilat janë kryesisht:

a) Pushimi i sistemit të tretjes gjatë gjithë orëve që kalojnë me agjërim. Siç dihet, sistemi i tretjes, si organet e tjera që zënë vend në hapësirën e barkut, janë një mekanizëm organik që punon në mënyrë të pandërprerë nga thithja e parë e gjirit nga foshnja e gjer në vdekje. Prandaj, izolimi i këtij mekanizmi nga ushqimet gjatë disa orëve konsiderohet një metodë e natyrshme që përdoret në mjekimin e shumë sëmundjeve. Veçanërisht kjo përdoret detyrimisht gjatë përgatitjes së të sëmurëve për operacione të gjata, sepse në raste të tilla është kusht që para se të sëmurit t’i jepet narkoza, stomaku i tij duhet të jetë krejt i zbrazët dhe i pastër. Edhe kirurgu të cilit i duhet të bëjë një operacion urgjent, bën më parë zbrazjen urgjente të stomakut të të sëmurit, pastaj i jep narkozë. Mjeku i shquar arab Harith b. Kelde ka thënë: “Stomaku është çerdhe sëmundjesh, kurse pehrizi (dieta), kreu i mjekimit të sëmundjeve!”

b) Eshtë një e vërtetë shkencore e njohur qysh në krye të herës se ngrënia e pakët është më e mirë se ngrënia e shumtë. E thënë më hapur, ngrënia në kohë të caktuara të ditës për të marrë vetëm porcionet që do t’i siguronin trupit energjinë e nevojshme, është shumë më e dobishme se gëlltitja kohë e pa kohë e ushqimeve të ndryshme dhe mbushja e stomakut me të rrasur. Ja, kjo është një nga dobitë më të mëdha që i siguron agjërimi trupit të njeriut. Personi që agjëron, duhet të mjaftohet me një të ngrënë të lehtë në iftar. I tillë është edhe suneti i Profetit (s.a.s.) në këtë drejtim. Edhe Allahu i Lartë na urdhëron: “Atë që ju ka sjellë Profeti, atë mbajeni!”[10]

c) Eshtë një e vërtetë e padiskutueshme shkencore se ngrënia e shumtë është e dëmshme për shëndetin. Madje ka lidhje të drejtpërdrejtë mes ngrënies së tepërt dhe disa sëmundjeve të caktuara, si disa lloje reumatizmash, sëmundje të zemrës, çrregullime të tensionit arterial dhe shqetësime urologjike me përqindje sheqeri të lartë. Sipas kësaj, pushimi një muaj në vit i stomakut të organizmave të sëmura s’duhet konsideruar si një mënyrë mjekimi e shpenzuar kot.

Më në fund, studimet shkencore tregojnë se këto lloj sëmundjesh janë më pak të përhapura në zonat ku agjërimi është i detyrueshëm në krahasim me zonat e tjera.[11]

 

b) Dobitë shpirtërore

Siç u tha edhe më sipër, njeriu ka një strukturë të përbërë prej shpirtit dhe kurmit. Që të dyja këto përpiqen ta bëjnë njeriun satelit të tyre. Njëra lëndë janë dëshirat epshore dhe shtazore, aspekti i tij i kurmit që Kur’ani na e bën të njohur me këto fjali: “Me të vërtetë, Ne e krijuam njeriun nga një baltë e thatë, nga një argjilë e trajtësuar.”[12] “Pyeti ata: “Ata janë më të fuqishëm në krijim, apo gjërat që krijojmë Ne?” Me të vërtetë, ne i krijuam ata nga argjila.”[13] “Ai e krijoi njeriun nga një argjilë e thatë (që tingëllon) si bardak.”[14]

Kurse aspekti tjetër i njeriut është ai shpirtëror që ia kujton njeriut qëllimin e krijimit, që e shtyn njeriun të bëjë gjëra të mëshirshme, që i bëhet njeriut shkak për të soditur botërat shpirtërore, që edhe kur të mbetet i uritur e i etur, i jep mundësi njeriut të shijojë kënaqësi të papërshkrueshme, që ia sugjeron njeriut të mos i shohë të këqijat si të mira, që të mos i pëlqejnë të këqijat dhe që të largohet prej tyre!

Po qe se zotërimi i shpirtit mbi njeriun dobësohet ose kurmi kthehet në gjendje sunduesi, atëherë njeriu zhytet në kënaqësi dhe epshe; kufirin e arsyes, kufijtë e përcaktuara nga feja i vlerëson me zero; fuqinë e mendjes e shpenzon pothuaj për të shtënë në dorë lloje të ndryshme të ngrënash e të pirash. I gjithë shqetësimi i tij përqëndrohet në gjetjen e gjërave duke i fshikulluar dëshirat epshore, në mësimin e rrugëve dhimbëse, shtytëse, orekshapëse. Kështu, megjithëse është ngjitur në kulmin e shkencës, kulturës dhe qytetërimit, s’ka ndryshim me gomarin që rrotullon gurin e mullirit, me kaun që tërheq parmendën dhe s’bën gjë tjetër veçse shkon e vjen mes dhomës së gjumit dhe banjos. S’merr vesh, veç kësaj, as për ndonjë parim, as për ndonjë jetë tjetër. Tek ai vdes e shkon çdo gjë tjetër veç dëshirës për të ngrënë e për të pirë, veç ndjenjës së kënaqësisë e dëfrimit, veç shqetësimit për të fituar për ushqim. Meqë nuk ka mundësi për të bërë një përshkrim më të drejtë e më të hollë se të Kur’anit, po ia lëmë fjalën përsëri atij:[15] “Sa për mohuesit, ata në këtë botë vetëm dëfrehen e kënaqen dhe hanë si bagëtitë. Vendi i tyre është zjarri!”[16]

aa) Agjërimi i kujton njeriut takimin me Zotin

Çdo orë, çdo minutë dhe çdo sekondë e atij që agjëron është e çmuar sepse ia kujton atij të mirat dhe dhuntitë e Allahut dhe të mirën më të madhe për nga përfundimi, bashkimin me Allahun. Këtë funksion të tij, agjërimi e kryen në dy mënyra. Këtë mund ta përmbledhim kështu: me perëndimin e kënaqësive (tokësore), dëshirë për kënaqësi që s’do të kenë të perënduar dhe kënaqësi tjetër që vjen me perëndimin e dhimbjeve. Edhe nëse njeriu që rri nga mëngjesi në mbrëmje i uritur e i etur, vuan në dukje, frytet shpirtërore që ka për t’i sjellë adhurimi i agjërimit e bëjnë t’i harrojë dhimbjet dhe vuajtjet në dukje. Gjatë gjithë ditës, agjëruesi mendon bashkimin me Zotin e vet për hir të të cilit ka braktisur epshet, ngrënien e pirjen. Falë të këtij mendimi, të gjitha fakultetet jetësore zhvillohen në kuadrin e orientimit në rrugën e drejtë. Edhe Profeti ynë ka thënë: “Për atë që agjëron, ka dy kohë qetësuese: e para, koha e iftarit kur çel agjërimin dhe e dyta, koha kur do të takohet me Zotin e vet!”[17]

bb) Agjërimi e lartëson njeriun në nivel engjëllor

Te njeriu ka dy aspekte: aspekti engjëllor dhe aspekti shtazor. Kur njeriu ecën në kahje të kundërt me ndjenjat shtazore, e ndjen në mënyrë të ndërgjegjshme se aspekti engjëllor i zhvillohet, kurse aspekti shtazor i dobësohet. Njeriu është krijuar nën engjëjt dhe mbi gjallesat e tjera. Ndërkaq, Allahu e ka pajisur njeriun me mundësinë dhe aftësinë për t’iu përshtatur cilësdo pike të një vije që shtrihet nga pozita më e lartë gjer poshtë e më poshtë. Për rrjedhojë, njeriu herë-herë e kapërcen botën e engjëjve duke i lënë pas ata si gradë, kurse herë-herë struket në një vend nën djajtë. “Ne njeriun e krijuam në formën më të bukur. Pastaj e hodhëm atë poshtë e më poshtë. Përveç atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira. për ta ka një shpërblim të pasosur!”[18]

Njëra nga veçoritë që e dallon njeriun nga engjëjt është se njeriu ka ego. Te engjëjt s’ka gjëra të tilla, si ngrënie-pirje, martesë, kundërshtim të Allahut, etj. Si domosdoshmëri e krijimit të tyre, engjëjt janë qenie të pafajshme, janë qenie që merren vazhdimisht me madhërimin dhe adhurimin e Allahut. “Ata nuk flasin para Tij, ata lëvizin e veprojnë me urdhër të Tij. Allahu e di se ç’kanë ata para e ç’kanë lënë pas. Ata nuk ndërhyjnë për faljen e dikujt tjetër veç atyre për të cilët dëshiron Allahu dhe dridhen nga frika prej Tij!”[19] Kurse njeriu mund ta vazhdojë jetën vetëm me të ngrënë e me të pirë. Mundësia që njeriu të kundërshtojë (Zotin), që të bëjë gabim, ekziston gjithmonë. Por sa për njeriun që agjëron, ai, duke mos ngrënë e mos pirë nga mëngjesi në mbrëmje, duke e zotëruar epshin, duke u shmangur nga përfolja dhe padrejtësia ndaj të tjerëve, fiton pothuajse një cilësi engjëllore. Madje, me këto sjellje e qëndrime, ai i lë pas engjëjt. Zoti krenohet para engjëjve me rob të tillë të Tij, ua tregon engjëjve si shembull![20]

cc) Agjërimi ia mëson njeriut vlerën e të mirave

Zoti e ka pajisur globin tokësor me një mijë e një lloje të mirash dhe e ka vënë atë nën urdhrin e njeriut që është zëvendësi i Tij mbi tokë. Çdo ditë para nesh pothuajse zbret nga qielli një sofër e tjetra ngrihet; dhe sapo ngrihet njëra, zbritet tjetra. Pemët japin fruta pa pushim, pranverë e verë, vjeshtë e dimër. Qielli na dërgon margaritarë me prehrin plot, nga toka shpërthejnë të mira. “Në qiell është ushqimi juaj dhe ka gjëra që ju janë premtuar!”[21]

Toka dhe qielli i janë ofruar urdhrit të njeriut. Duke notuar brenda të mirave kaq të shumta sa të mos numërohen dot, shpesh njeriu nuk u bie dot në të këtyre të mirave. “Ata plangprishësit që notojnë në det po s’e dinë se ç’është deti! Janë brenda në det, por s’dinë gjë për ujin që e lehtëson notimin. Njeriu që noton mes të mirave, me anë të agjërimit e kupton vlerën dhe rëndësinë e tyre dhe përpiqet të falenderojë për to.

çç) Agjërimi e mëson njeriun të bëjë ekonomi

Adhurimi i agjërimit në Islam ia mëson njeriut parimin e ekonomisë që është një virtyt i bukur. Agjërimi është si një mësues që ua mëson njerëzve ç’është ekonomia dhe sesi duhet të bëjnë ekonomi. Personi që është mësuar të bëjë pa asnjë kufizim çdo gjë që i vjen ndërmend, kur të jetë i agjëruar, s’do të veprojë dot kështu. Për shembull, personi që ha sa herë që i bie ndërmend, që u nënshtrohet dëshirave materiale të trupit, kur të jetë i agjëruar, detyrimisht do të presë mbrëmjen, për rrjedhojë, me këtë pritje ai do të mësojë të bëjë ekonomi dhe do të heqë dorë nga jetesa pa përgjegjësi.

 

dd) Agjërimi e maturon shpirtin

Njeriu është një qenie e përbërë nga dyshja trup-shpirt. Ashtu siç ka trupi një sërë nevoja dhe kërkesa, edhe shpirti ka kërkesat e veta. Për nga ana trupore-materiale, njeriu është një qenie e vogël, por për nga aspekti i aftësive shpirtërore, ai është në garën e bashkimit me përjetësinë. Me prirjet, dëshirat, kërkesat, fantazitë, mendimet dhe idetë e pakufishme që ka, njeriu është si një indeks i vogël i gjithësisë.

Akti më i lartë që i zgjeron dhe i zhvillon aspektin shpirtëror dhe të gjitha aftësitë e një njeriu të tillë, që bëhet shkak për plotësimin e dëshirave të tij, që ia zgjeron idetë dhe ia vë në rregull, që ia vë nën fre fuqitë e epshit dhe zemërimit, që e çon njeriun në përsosmërinë e paracaktuar dhe e vë në lidhje me Zotin e vet, është vetëm e vetëm adhurimi.[22] Për rrjedhojë, të gjitha këto specifika janë të pranishme te agjërimi që është një lloj adhurimi. Në një hadith të tij, Profeti ynë ka thënë: “Çdo gjë ka zeqatin e vet, kurse zeqati i trupit është agjërimi. Agjërimi është gjysma e durimit!”[23] Namazi është shtylla e fesë, agjërimi është shtylla dhe ushqimi i shpirtit, kurse zeqati është shtylla e shoqërisë. Pra, është e vështirë që feja të qëndrojë në këmbë pa namazin, shpirti pa agjërimin, shoqëria pa dhënien e zeqatit. Ashtu siç e ushqen ngrënia trupin, agjërimi e ushqen shpirtin. Ashtu siç është i vështirë vazhdimi i jetës pa ngrënë, po aq është i vështirë vazhdimi i jetës shpirtërore pa agjëruar.

Ky është shkaku që në të gjitha fetë që kanë për synim ta ngrenë lart shpirtërisht njeriun, agjërimi, pavarësisht nga dallimet formale, është bërë parim i rëndësishëm i tyre. Për më tepër, të gjithë profetët që kanë vepruar si udhëzues për formimin dhe maturimin e njeriut, periudhën e tyre përgatitore për ta marrë përsipër një mision të tillë e kanë kaluar krejt me agjërim. Dhe kjo është një provë e veçantë që tregon ndikimin e agjërimit në formimin dhe maturimin e njeriut.

Po, te njerëzit shpirti zhvillohet në emër të trupit, kurse trupi, në emër të shpirtit. Ata që kërkojnë të zhvillohen në aspektin shpirtëror, duhet patjetër të mnbajnë agjërim. Ose le të themi ndryshe: ata që s’mbajnë agjërim, mbeten nën kufomën e vet dhe nuk afrohen dot në pjekurinë shpirtërore të kërkuar.

ee) Agjërimi i vë fre egos

Njerëzit e kanë për nevojë të pamënjanueshme t’i mbajnë në duar frerët e vetes, egos, sepse kërkesat dhe veset e egos janë për njeriun si helme vrasëse dhe si pesha të rënda që e tërheqin atë poshtë. Vetja, egoja e urdhëron njeriun përherë për të keq. Profeti Jusuf thoshte: “Me të vërtetë, unë duhet ta nxjerr veten të pafajshëm, sepse veç rasteve kur Zoti ka mëshirë për mua dhe më mbron, vetja më kërkon përherë të keqen, më shtyn për të keq. Me të vërtetë, Zoti im është falës dhe shpërblyes!” Me këto fjalë ai është përpjekur ta përkufizojë sa më mirë veten (nefsin, egon).

Nefsi ose vetja, egoja e njeriut është i tillë që sa më shumë t’i japësh, aq më shumë fryhet dhe sa më shumë që të fryhet, aq më shumë kërkon. Në një nga lutjet e tij, Profeti (s.a.s.) thotë: “Allahu im, mbështetem tek Ti nga dobësia dhe përtacia, nga frikacakëria dhe koprracia, nga pleqëria dhe vuajtja e varrit! Allahu im, fali nefsit tim përkushtimin dhe bëje atë krejt të pastër, sepse Ti je nga më të dobishmit e atyre që i nxjerrin të tjerët të pastër. Ti je Zoti dhe Zotëria i nefsit tim! Allahu im, mbështetem tek Ti nga dituria që s’jep dobi, nga zemra që s’ka frikë, nga nefsi që s’ngopet, nga lutja që s’pranohet!”[24] Kurse në një lutje tjetër, Profeti është mbështetur te Allahu nga e keqja e nefsit, nga të këqijat që mund t’i sjellë në kokë.[25]

Në këtë kuptim, agjërimi është si një mburojë kundër ndodhive të zinasë (adulterit ose marrëdhënieve seksuale jolegjitime dhe prostitucionit) që e zvarrisin njeriun në rreziqe shumë të mëdha. Ata që s’kanë mundësi të martohen, sipas porosisë së Profetit (s.a.s.), duhet të agjërojnë sepse agjërimi është mburojë kundër mëkateve.

Agjërimi është simboli i zbatuar i mbajtjes së nefsit nën kontroll. Prandaj, agjërimi, i cili është detyrim (farz), është bërë një nga shtyllat themelore të besimit dhe është konsideruar si një nga rrugët që e çojnë me të vërtetë njeriun në devocion (takva) që është shprehja praktike e zbatimit të Islamit në veten e njeriut. Allahu i Lartë urdhëron kështu: “O njerëz, ashtu siç qe bërë agjërimi detyrim (farz) për paraardhësit tuaj, u bë detyrim edhe për ju që të ruheni (nga mëkatet)!”[26]

Agjërimi është një fre, një mëgojëz për nefsin (egon). Agjërimi e thyen egoizmin faraonik të nefsit (egos). Në një hadith ku bëhet fjalë për këtë specifikë, thuhet kështu: “Për ta edukuar nefsin, Zoti i dha ndëshkime të ndryshme. Në fillim e dogji me zjarr. Dhe e pyeti: “Kush je ti e kush jam unë?” Nefsi iu përgjigj: “Ti je ti e unë jam unë!” Pastaj Zoti e edukoi me agjërim. Dhe e pyeti përsëri: “Kush je ti e kush jam unë?” Nefsi iu përgjigj: “Ti je Zoti i botëve, kurse unë, një rob i yt i përvuajtur!”

Shkurt, me anë të agjërimit, njeriu e mbron veten nga paturpësia ndaj Zotit dhe e kthen në një rob që i bindet dhe e adhuron Atë. Çdokush që mban agjërim, e ndjen në mënyrë të ndërgjegjshme se fiton më shumë cilësi engjëllore ose bëhet më shumë engjëll se gjatë kohës kur nuk është i agjëruar. Gjithashtu çdo njeri e kupton se, po të mos i jepet leje, nuk bën dot as gjënë më të vogël, nuk e zgjat dot as dorën për ta marrë gotën e ujit dhe, prandaj, nuk është sundimtar, por i sunduar, nuk është i lirë, por rob dhe skllav. Si përfundim, e dallon dobësinë, varfërinë dhe mangësinë e vet dhe përgatitet të trokasë në portën e mëshirës me dorën e falenderimit shpirtëror. Mjafton që ta mbajë atë në përmasat e dhëna nga feja…

ff) Agjërimi e mbron njeriun nga mëkatet

Mëkati është një shembje, një prapësi dhe kundërvënie ndaj krijimit dhe natyrës njerëzore. Personi që hyn në mëkat është një fatkeq që ia lë veten vuajtjeve të ndërgjegjes dhe shqetësimeve të zemrës, një viktimë që ia ka dorëzuar djallit të gjitha aftësitë dhe mundësitë shpirtërore. Dhe, nëse vazhdon ta kryejë atë mëkat, e lëshon krejtësisht fillin prej dore dhe s’i mbetet më as vullnet, as qëndresë, as fuqi për ta ripërtëritur veten.

Në rrugët ku ecën njeriu gjallojnë mëkate me grumbuj. Në këto rrugë, mëkatet e vëzhgojnë njeriun si kobra. Edhe sikur të mundet të shpëtojë prej njërës, e ka mjaft të vështirë ta vazhdojë rrugën pa u kapur prej të tjerave. Duhet një vullnet tejet i fortë që njeriu të mund të shpëtojë nga dalja nga rruga ose nga rënia në ndonjë gropë siç ndodh me makinën në kthesat e forta ose në rrugën plot gropa!

Ja pra, përballë këtij rreziku, agjërimi ka vlerën e një dorëzanësi ose garantuesi. Për disa njerëz është një ledh mbrojtës nga shkarja. Eshtë një “përqëndrim trupash” kundër mëkateve. Agjërimi është si një mburojë që e mbron të zotin, si një portë e fshehtë në muret e xhennetit, parajsës, që e ndihmon agjëruesin të hyjë në xhennet, si një shok i bekuar që me gotën në dorë i ofron ilaç nga lumenjtë e parajsës.

I Dërguari i Allahut (s.a.s) thotë: “O të rinj! Kush nga ju të ketë mundësi për t’u martuar, të martohet, sepse kjo (martesa) është mbrojtës për sytë (nga shikimi i gjërave të ndaluara), është ruajtës i vetes nga prishja e nderit. Dhe kush të mos jetë në gjendje për t’u martuar, të agjërojë, sepse agjërimi është për të një mburojë!”[27]

Agjërimi është një stërvitje, zhvillon tek personi aftësinë për t’iu kundërvënë dëshirave trupore. Ashtu siç kur është i agjëruar, njeriu gjen forca për t’u bërë pengesë ndaj çdo lloj dëshire dhe prirjeje negative, ashtu dhe kur s’është i agjëruar, me këtë qëndresë të fituar, mund të gjejë forca për t’iu bërë pengesë dëshirave dhe prirjeve në fjalë. Sepse agjërim s’do të thotë vetëm ta lësh stomakun të uritur, përkundrazi, do të thotë që edhe sytë, veshët, zemrën, imagjinatën, etj., t’i pengosh nga gjërat e ndaluara e mëkatare dhe secilën prej tyre t’i shtysh drejt përjetësisë sipas veçorive të secilës. Personi që agjëron në këtë mënyrë, bën një jetë me indeks hallallin, gjërat e lejuara e të bekuara. Brenda kësaj ideje duhet interpretuar hadithi në vijim i Profetit: “Kush më jep garanci se do ta ruajë gojën dhe nderin, edhe unë do t’ia garantoj xhennetin!”[28]

Agjërimi është rruga më e efektshme për ta mbajtur fenë nën kontroll. Kur stomaku mbahet vazhdimisht plot, të gjitha organet e trupit arrijnë kapacitetin më të lartë të energjisë dhe kjo bën që dëshirat dhe kërkesat e nefsit (frymës, egos) të arrijnë gradën më të lartë të përqëndrimit. Atëherë, njeriut i zgjidhet gjuha dhe i bëhet e pakontrollueshme. Ndërkaq, gjuha e pakontrolluar është njëra nga rreziqet më të mëdha për njeriun për jetën e pasme (ahiret). Mënyra e vetme për ta vënë nën kontroll gjuhën është shkurtimi dhe prerja e dëshirave dhe kërkesave të nefsit. Dhe agjërimi është receta më e mirë për t’u këshilluar si kryerëse e këtij funksioni. Këtë e mbështesin edhe këto hadithe të Profetit: “Në ditët kur dikush nga ju është i agjëruar, të mos i thotë fjalë të shëmtuara tjetrit, të mos çirret e të mos bërtasë. Po qe se dikush e shan ose e godet me dorë, t’i thotë, “unë jam i agjëruar”.[29] “Kush nuk heq dorë nga thënia e gënjeshtrave dhe veprimet e këqija duke qenë i agjëruar, ta dijë se Allahu nuk ka nevojë për ndenjjen e tij pa ngrënë e pa pirë!”[30]

Shkurt, forma më e përsosur e agjërimit është edhe “agjërimi”, domethënë, kufizimi i syve, veshëve, zemrës, imagjinatës, mendimit, etj. Me fjalë të tjera, pengimi dhe largimi i tyre nga haramet dhe mëkatet duke i shtyrë në adhurimin e Zotit në mënyrën që është e posaçme për secilën. Dhe rruga e kësaj është kufizimi i stomakut. Po qe se stomaku mund të vihet nën kontroll me anë të agjërimit, edhe të tjerat mund të vihen lehtësisht në ndjekje të tij.[31]

gg) Agjërimi ia mëson njeriut respektin ndaj amanetit

Agjërimi e mëson njeriun ta respektojë gjthmonë amanetin, fshehur, apo hapur, sepse s’ka vëzhgues tjetër veç Allahut që të sigurojë shmangien prej ngrënies e pirjes së gjërave të bëra hallall prej Tij. Personi që agjëron respekton kufijtë e Allahut nga mëngjesi gjer në mbrëmje. Megjithëse i ka gati të gjitha mundësitë, megjithëse s’e sheh askush, personi e vazhdon agjërimin. Ai është gjer në mbrëmje i mbushur plot me ndjenjat e ruajtjes së amanetit. Ky qëndrim ndaj agjërimit reflektohet në tërë jetën e muslimanit. Prandaj, njeriu që mban agjërim, gjatë gjithë jetës sillet tejet i vëmendshëm ndaj gjërave që i lihen amanet.

hh) Agjërimi ia mëson njeriut besnikërinë ndaj fjalës së dhënë

Agjërimi është adhurimi më i bukur te i cili shfaqet ndjenja e besnikërisë, sepse agjërimi është një besëlidhje mes Allahut dhe robit. Duke hequr dorë në fragmente kohore të caktuara nga gjëra të caktuara, njeriu tregon se i rri besnik fjalës së dhënë, se e respekton besëlidhjen. Ndërkaq, me agjërimet e mbajtura, njeriu e zhvillon më tej ndjenjën e besnikërisë, besnikëria bëhet pjesë e pandarë e karakterit të tij. Njeriu që arrin një cilësi të tij të karakterit, kthehet në “përmendore” besnikërie në jetën e vet shoqërore, familjare dhe individuale.

ii) Agjërimi ia mëson njeriut të jetë i ngopur e i kënaqur

Me anë të agjërimit, njeriu vë një pritë para trazimeve djallëzore që nefsi (fryma, egoja) përpiqet t’ia pëshpërisë, i merr në dorë frerët e nefsit duke u përpjekur ta drejtojë atë, sepse njeriu i agjëruar është i privuar nga ngrënia dhe pirja, nga femra dhe nga dëfrimet. Në këtë mënyrë, i çliruar nga presionet e nefsit dhe ndjenjave njerëzore, ai bën një mënyrë jetese të virtytshme dhe arrin të zotërojë ndjenjën e virtytit, të cilën Zoti e ka bërë të njohur si atribut të besimtarëve. “Virtyti (epërsia) është i posaçëm vetëm për Allahun, të Dërguarin dhe besimtarët!”[32]

jj) Agjërimi ia mëson njeriut durimin

Njëra nga dobitë e agjërimit është, pa dyshim, ta mësojë dhe ta stërvisë njeriun për të duruar. Me anë të agjërimit, njeriu merr mësime durimi, sepse po të uritet, nuk ha, po të etet nuk pi ujë, përballë të këqijave që mund t’i bëhen, duron duke thënë, “unë jam me agjërim”! Po qe se njeriut që rreh flatrat drejt Zotit të vet me duart, këmbët, gjuhën, buzët dhe veshët të lidhura, durimi i bëhet kalë fluturues, ai arrin të ketë nderin e fitimit të pëlqimit të Zotit.

kk) Agjërimi ia mëson njeriut të përballojë shqetësimet

Gjendja e njeriut që bën një jetë të qetë mes gjithë të mirave, mund të mos vazhdojë e tillë gjithmonë. Mund të ndodhë që në një kohë krejt befasuese, nga një drejtim krejt i papritur, t’i bjerë mbi krye varfëria. Përballë një gjendjeje të tillë të papritur, duhet qenë i qëndrueshëm, duhet qenë qysh më parë i përgatitur për të mos u lëkundur, duhet përgatitur qysh më parë trupi për kohë të tilla. Ndërsa është i pasur, njeriu mund të falimentojë dhe të varfërohet, gjatë një fatkeqësie, mund ta humbë çdo gjë, gjatë një lufte, mund të përballet me shqetësime të ndryshme.

Ja pra, për të mos rënë në gjendje të vështirë përballë shqetësimeve të tilla të ngjashme, për të mos rënë në pesimizëm, agjërimi pothuaj kryen një edukim qëndrese, e bën njeriun të durojë fizikisht mungesën e plotësimit të nevojave të detyrueshme si ushqimi, e përgatit për të përballuar një sërë shqetësimesh që mund t’i bien në kokë papritmas, e aftëson njeriun për të përballuar më lehtë mundimet dhe vuajtjet. Në të njëjtën kohë, agjërimi formon njerëz të përkryer dhe idealë që nuk përkulen para shqetësimeve dhe vuajtjeve, që e zotërojnë veten, që përballë premtimeve që mund t’i bëhen, kurrë nuk heq dorë nga parimet që i njeh për të drejta e të vërteta.

ll) Agjërimi ia mëson njeriut rregullin dhe rregullsinë

Besimtari që agjëron, kryen një vetedukim rregulli dhe rregullsie. Ngrënia-pirja në kohë të caktuara dhe respektimi i ndalimit të ngrënie-pirjes në kohë të tjera të caktuara, kryerja më me vëmendje e namazeve duke qenë i agjëruar në krahasim me kohët e tjera jashtë agjërimit, ngritja në syfyr në të njëjtën kohë bashkë me besimtarët e tjerë, falja e namazit të teravive, etj. të gjitha këto janë shkaqe më vete që e mësojnë dhe e stërvisin njeriun me rregullin dhe rregullsinë. Kështu, duke e vlerësuar dhe përdorur kohën në mënyrën më të mirë, besimtari e disiplinon jetën dhe përfiton prej saj në kuptim të plotë të fjalës.



[1]  Dharijat, 51/56.

[2] Në origjinal është përdorur fjala ceset (xheset) që do të thotë kurm ose kufomë, kurse pak më sipër në nëntitull është përdorur fjala beden që do të thotë trup. Me fjalën ceset emërtohet kufoma, trupi i të vdekurit ose i vdekuri, domethënë trupi pa shpirt, kurse me fjalën beden emërtohet trupi me shpirt. Përkthyesi.

[3] … mbi trupin, domethënë mbi kurmin ku ndodhet edhe shpirti. Përkthyesi.

[4] Në origjinal: riyazat.

[5] Bediuzzaman, 22. Mektubat; 29. Mektub.

[6] Halûk Nurbakî, Kur’ân-ı Kerim’den Ayetler ve İlmî Gerçekler, s. 98

[7] Abdulfettah Tabbara, ‹lmin Ifl›€›nda ‹slamiyet, f. 274, ‹st. 1977.

[8] K›rca, Celal, Kur’an-› Kerimde Fen Bilimleri, f. 141, Marifet Yay. ‹st. 1984.

[9] Abdurrezzak, Nevfel, ‹slam ve Modern ‹lim, f. 209, Sönmez Yay. ‹st. 1870.

[10] Hashr, 59/7.

[11] Said Havva, el-Islam, 170-176.

[12] Hixhr, 15/26.

[13] Saffat, 37/11.

[14] Rahman, 55/14.

[15] en-Nedvi, Dört Rükün, f. 194, 195.

[16] Muhammed, 47/12.

[17] Buhari, Tevhid, 35; Muslim, Sijam, 164; Tirmidhi, Sijam, 55; Nesai, Sijam, 41; Ibni Maxhe, Sijam, 1; Ahmed b. Hanbel, 1/446; Darimi, Savm, 50.

[18] Tin, 95/4-6

[19] Enbija, 21/27-28.

[20] Tergib, 2/99.

[21] Ibrahim, 14/34.

[22] Bediuzzaman Said Nursi, ‹flaratü’l-‹caz, f. 94.

[23] Tirmidhi, Davaat, 86; Ibni Maxhe, Sijam, 44.

[24] Muslim, Dhikr, 73.

[25] Tirmidhi, Davaat, 14.

[26] Bakara, 2/183.

[27] Buhari, Savm, 10; Ebu Davud, Nikah, 1; Nesai, Sijam, 43; Ibni Maxhe, Nikah, 1.

[28] Buhari, Rikak, 23.

[29] Buhari, Savm, 9; Nesai, Sijam, 42; Ahmed b. Hanbel, 2/273.

[30] Buhari, Savm, 8.

[31] Said Nursi, Mektubat, 29. Mektub, 7. Nükte (f. 423).

[32] Munafikun, 63/8.

Nëse shtypni reklamat më poshtë mundësoni funksionimin e portalit tonë. Ju falemnderit.