Eksperti zviceran: Kjo është zgjidhja më e mirë për Maqedoninë

Eksperti zviceran: Kjo është zgjidhja më e mirë për Maqedoninë

Telefonat do të mbushen për 5 minuta, prej vitit të ardhshëm
Ky është skenari Ahmeti- Thaçi
Çmenduri shqiptare/ Festë me të shtëna pistolete, plumbat kapin dasmoren
Ekskluzive: Arrihet marrëveshja mes BDI dhe VMRO!

Daniel Bochsler (38) nga Berni është profesor i shkencave politike në Universitetin Kopenhagen dhe në Qendrën për Demokraci Aarau. Studimet e tij fokusohen kryesisht në shtete ku ndarjet etnike janë evidente. Një kohë të gjatë ka studiuar mbi ish Jugosllavinë, duke publikuar një sërë dokumente.

Në intervistën e tij ekskluzive për gazetën kombëtare “Bota sot”, Bochsler flet për Platformën e partive shqiptare, qeverinë e re dhe ndikimet e jashtme, që sipas tij nuk e prek Maqedoninë.

“Bota sot”: Zoti Bochsler, partitë etnike shqiptare kanë nënshkruar një platformë të përbashkët në Tiranë ku pa plotësimin e tyre nuk do jenë pjesë e qeverisë. Si e shikoni këtë hap?

Partitë shqiptare në Maqedoni janë nën presion. Shumë shqiptarë etnikë kërkojnë ndryshime. Është e vështirë të thuash nëse ata pikë së pari kërkojnë ndryshimin e qeverisë – shumë kanë votuar partinë opozitare Lidhja Social Demokrate – ose nëse BDI ishte larg pritshmërive të zbatimit të premtimeve.

Edhe pse partitë shqiptare kanë një program të ngjashëm – më shumë të drejta për shqiptarët e Maqedonisë – tek ata është një konkurrencë se kush i përfaqëson më denjësisht. Kjo është reflektuar me platformën e përbashkët.

Megjitahtë shqiptarët janë përpara momentit historik. Kurrë nuk kishin qenë ndarjet aq të thella mes OBRM dhe LSDM dhe rezultatet ishin thuajse barazim. Andaj shqiptarët mund të vendosin, nëse do ketë rotacion. Me platformën ata e kanë vështirësuar punën e pjesëmarrjes në qeveri, por unë nuk do habitesha, nëse në fund ata përsëri do vendosnin pikë së pari për postet qeveritare dhe ndarjen e financave sesa për reformat dhe të drejtat e tyre.

“Bota sot”: Përherë të parë një numër mjaft i madh i shqiptarëve kanë votuar për maqedonasit e LSDM dhe BDI ka humbur gjysmat e votave. Pse tani përsëri nuk shohim fundin e politikës etnike?

Për ndërtimin e qeverisë së re – fatkeqësisht – kjo fare pak luan rol. Forma e Badinterit këtu ka stimuj të gabuar. Prandaj qeveria e Maqedonisë është e aftë për të vepruar, nëse shumica e deputetëve shqiptarë janë pjesë e saj.

Në këndvështrimin e zgjedhjeve të ardhshme, pyetja është, nëse LSDM do ia dalë përsëri, që të politizojë votuesit shqiptarë pa humbur votuesit maqedonas. Kjo varet nga de-etnizimi i politikës së Maqedonisë.

“Bota sot”: Cila do ishte zgjidhja më e mirë për Maqedoninë?

Demokracia, liria e mediave dhe sundimi i ligjit vitet e fundit kanë bërë hapa pas në Maqedoni. Në Maqedoni nevojitet një koalicion që ta orientojë vendin përsëri në kursin demokratik dhe ti ofrojë perspektivë europiane. Një qeveri e cila fiton besimin për garantimin e të drejtave të minoriteteve dhe rritjes ekonomike, më shumë sesa një qeveri që mendon vetëm konsolidimin për ta orientuar pushtetin e saj.

“Bota sot”: Në Ballkan vërehen tensione. Në Bosnjë, Kosovë, Malin e Zi dhe gjithashtu edhe në Maqedoni. Pse kanë ardhur këto tensione tani dhe çfarë roli luajnë “Fuqitë e Mëdha”?

Si ju lutem? Tensionet ushqehen nga politikanët lokalë që kanë fituar besimin e votuesve lokalë – ose ndonjëherë edhe i kanë blerë. Në shumicën e rasteve të tanishme nuk janë qeveritë, që kërkohen nga Brukseli, Ëashingtoni ose George Soros. Komuniteti Ndërkombëtar mund të ndryshojë diçka në rajon, nëse bashkëpunojnë me politikanët e zgjedhur lokalë.

“Bota sot”: Sa e rëndësishme është Maqedonia për perëndimin, Rusinë dhe Turqinë?

Europa interesohet për Maqedoninë në kontestin e refugjatëve ose nëse kërcënohet nga shpërthimi i luftës. BE ka mjaft probleme të veta për të zgjedhur. Dhe tani vërehet që shumë qeveri evropiane – në fund edhe Austria – kanë braktisur Ballkanin perëndimor për të ndikuar atje në demokratizimin dhe pajtimin. Pikat ndarëse mes Putinit dhe Perëndimit qëndrojnë shumë larg Shkupit.

“Bota sot”: Disa politikanë, mes tyre edhe Ali Ahmeti, kanë shprehur frikë nga ‘ukrainizimi’ i mundshëm i Maqedonisë?

Dhe pikërisht mu ata politikanë kanë përgjegjësi. Unë jam i kënaqur përderisa zgjedhjet kanë kaluar dhe tani do ndahen ministritë, e cila do ulë tonet.

“Bota sot”: Keni ndonjë sugjerim për partitë shqiptare BDI dhe Lëvizjen BESA?

Është e vështirë të thuhet nëse humbja e votave të BDI vjen nga vetëgabimet e saj ose është një shenjë që votuesit shqiptarë kanë humbur besimin te ish kryeministri Nikola Gruevski. Por që partitë e minoriteteve pas një kohe të gjatë në qeveri humbin votat e tyre, këtë e njohim nga Rumania, Slovakia ose Serbia. Qytetarët kishin shpresuar më shumë, megjithatë partitë e tyre i gjetën të kapur pas korrupsionit dhe dashurisë ndaj pushtetit. Si vijim partitë e minoriteteve rivalizojnë veten në konkurrencë me parulla nacionaliste. Pozitive e shoh partinë e re multi-etnike në Sllovaki „Most-Hìd“, slovakisht/hungarisht ka kuptimin “Urë” që i ka bërë bashkë sllovakët dhe hungarezët që arritën të kalojnë pragun e vështirë zgjedhor. Me një profil pro-hungarez dhe shumë kandidatë hungarez në listat zgjedhore ajo mposhti partitë dominuese të më përparshme hungareze.

“Bota sot”: Statistikat e regjistrimit të popullsisë në 2002 nxorën shqiptarët 25 përqind, megjithatë sipas shumë organizatave jo-qeveritare ky numër sillet 35-40 përqind. Mendoni se simbolet shtetërore duhet të ndryshohen?

Ju mendoni atëherë, sipas përqindjes së popullsisë duhet të ndryshohen dhe përzihen ngjyrat e flamurit? Unë mendoj se integrimi i shqiptarëve në Maqedoni pikë së pari duhet të orientohet në ekonomi, arsim dhe njohja e ndërsjelltë e gjuhës dhe religjionit, në vend që të ndryshohet himni.

“Bota sot”: Çfarë mendimi keni për rastin e Kumanovës (9/10 maj 2015) dhe cila është zgjidhja sipas jush?

Nuk do dëshiroja t’i përgjigjem kësaj pyetje. Për këtë pyetje duhet të japë përgjigje organet e drejtësisë. Këtë pyetje e njoh gjithashtu shumë pak, për të thënë diçka.

Nëse shtypni reklamat më poshtë mundësoni funksionimin e portalit tonë. Ju falemnderit.