“Flaka e janarit”, kur aktorët e UÇK sfidojnë në teatër

“Flaka e janarit”, kur aktorët e UÇK sfidojnë në teatër

Shoqata Kulturore “Vizioni M” realizon projektin “…e ardhmja të pret ty!”
A do të jenë shqiptarët ende hizmeqarë!?
Fatkeqësitë që solli kolonializmi evropian në moralin njerëzor
TREGIM | Sot më shumë se kurrë, i’a vlen të lexohet historia e nxënësit Tedi Stoddard!

Nga Miho Gjini

Është diçka fort e rrallë, gati e pazakontë, realizimi i një manifestimi të gjerë kulturor në palcën e dimrit, kur vazhdimisht bie borë e temperatura zbret në minus 25! Dhe, kur i gjithë qyteti zbardhet, rëndohen pemët e monumentet nga bardhësia, por çuditërisht salla e Teatrit të Gjilanit mbushet me publikun artdashës. Është si një ritual ndaj të rënëve të janarit, i atyre shqiptarëve të mëdhenj, luftëtarëve e heronjve të kombit që janë ndarë nga jeta apo që kanë rënë në beteja për lirin e vatanit pikërisht gjatë këtij muaji të ftohtë me zemrën e tyre të zjarrtë. Para teatrit të qytetit, në këto ditë kremtuese, ndizen llampadarët e flakës e sikur merr dritë tërë vendi e dëbora përskuqet. Kemi të bëjmë me edicionin e 26-të kushtuar Idriz Seferit dhe heroin kombëtar kanë ardhur ta nderojnë artistë, shkrimtarë, poet, dramaturge, studiues të artit e të letërsisë dhe intelektual nga të gjitha trevat shqiptare, nën kujdesin e Komunës së Qytetit e të kryetarit të saj Lutfi Haziri. Katër “kollonat” që mbajnë hapësirën e madhërishme të këtij manifestimi artistiko-kulturor (Teatri-Mizika-Arti Pamor dhe Letërsia), dëftejnë për atë dëshirë të zjarrtë e koncept filozofik të qytetarëve të Kosovës se themelet e shtetit të tyre të ri e të lirisë së fituar me gjak, nisin nga kultura, nga mbijetesa shpirtërore. “Kur ne po merreshim me përgatitjet e këtij eventi kulturor, -më thotë Bashkim Nexhipi, udhëheqë- si i kulturës-Rinisë e Sporteve në Komunën e Gjilanit, desh me hy në tokën tonë treni serb, me na prish qetsinë e me na provokue lirinë dhe na do të baheshim gati me ndrue teshat që kishim vesh e me u ba gadi gjithsesi….!”.

Por treni u zmbraps dhe gëzimin nuk do t’ua prishte ktyne njerëzve-artistë. Pishtarët do të rindizeshin e mbrëmjeve flakët do të skuqnin dëborën me një tjetër dritë. Publiku do të mbushte sallën e teatrit e në skenë do të ngjiteshin dy ishluftëtarë te UÇK-ës, aktori Basri Shala, me pseudonimin “Virusi” dhe Brahim Basha, me pseudonimin, për të bërë komedi, për të risjellë të qeshurën e për ti thënë publikut se sa i shtrenjtë e me mjerim apo me arkivole (sipas komedisë-farse të Ilir Ajdinit)! Se këtu është vendi i tyre, për të mos u braktisur kurrë në një dhe të huaj e per të mos u rrikthyer po këtyre dy aktorëve të Prishtinës, do tu shtohej me monodramë një tjetër aktor-regjisor i kompletuar si Mentor Zymberaj, me spektaklin “Aktori në kuti”, të shkruar po prej tij, që shprehte me fines fatin e artistit në rrethanat e luftës, si një simbol mbijetese, force e lirie. Ndërsa mikpritësit Gjilanas, do të ngjisnin në skenën e tyre një tablo të historisë së kombit, sipas veprës të Mehmet Krajes, si një parashtrim për ta rigjykuar atë nga pozitat e sotme, për të mos u përsëritur po ato gabime e probleme që e vënë në rrezik ekzistencën tonë si popull e si komb, lirinë e fituar me aq shumë gjak e sakrifica. Aktorët vendas si Emine Toska, Gani Rahmani, Ernest Zymberi, Avni Shkodra, Alban Shahiqi, Safete Mustafa, Tringa Hasani, Ali Demi interpretuan si një figurë e vetme. E do të mbyllej festivali me dramën tronditëse të Bashkim Hoxhës “Askush”, ku do të shihnim se si nëpërkëmbet edhe figura e një luftëtari të luftës, kur në kohë paqeje ai mbetet askushi, derisa ta mbuloje hipokrizia e lavdia e të tjerëve në kohë paqeje! Në këtë trajtë arti e kultura i shërbejnë vendit, Atdheut e sidomos shtetit më të ri në botë, sikundër është Kosova. Dy vepra skenike të tjera si “Darka e thërrimeve” nga Teatri i Dramës Shqipe në Shkup të Maqedonisë dhe “Askushi”, nga Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit, plotësonin këtu edhe tablon e jetës sociale bashkëkohëse.

Tek e para, dramaturgu shqiptar nga Maqedonia Refet Abazi, trajton ndjenjën komplekse të raporteve njerëzore midis dashurisë dhe urrejtjes në dy njerëz që kanë vendosur të jetojnë bashkë dhe i largon nga kjo jetë një aksident vdekjeprurës. Refleksionet që vazhdojnë në “jetën e përtejme”, plotësojnë atë boshllëk shpirtëror që herë i ka bashkuar e herë i ka ndarë, përmes një digresioni tronditës të karakterit psikologjik, ku nuk janë të pakta edhe instiktet frojdiane, me kundërshtitë e afeksionet e tyre. Të dy aktorët që interpretojnë këtu sjellin një atmosferë dhimbjesh e acari, me kontraverse përjetimesh të kundërta, që do të shpalosin edhe filozofinë ekzistencialiste të jetës reale, të parë prej jetës ireale, brenda një arkivoli gjigand, ku varen rrjeta merimangash, prej të cilave femra shkëput rrënje lulesh e burri bishta cigaresh . Armenis NikshiqiJovaneski, në dilemat e veta tronditëse midis dashurisë dhe urrejtjes dhe Laurant Ahmeti me egërsin e një burri që s’di shpesh se ç’farë kërkon prej saj në atë torturë njerëzore ekstreme. Dhe, do të duhej një aksident vdekjeprurës që t’i përmend më në fund këta bashkëshort që i përjashton jeta përkohësisht në boshllëkun e vet të errët, të një varri gjigand. Armenis, një aktore me bagazh interpretues dhe aktori Ahmeti, me një lojë spontane, krijojnë këtu një duet artistësh, që për dy orë mbajnë të ngrehur tensionin dramatik të dashurisë e të urrejtjes, të jetës e të vdekjes. Ndërsa tek “Askushi” i Bashkim Hoxhës, ana tragjike e fenomenit, jepet e mbulohet shpesh në skenë me një lojë cirku, si mjet për të anashkaluar një krim, një humbje e harresë, të bërë kinse me dashje.

Dhe pas një monumenti të ngritur do të rrëzohet mandej personaliteti i heroit që mbase nuk është hero, po një njeri si gjithë të tjerët që do ta paguaj më pas me jetën e vet. Dy aktorët kryesor të këtij teatri. Një katërshe aktorësh si Besmir Bitraku, Eralda Caushi, Mimoza Marjanaku, Gjergj Doco, por edhe të tjerë, e krijuan të plotë atë atmosferë tragjikomike, e cila u mirëprit nga Publiku Gjilanas që mbushte sallën. Si pjesë përbërëse e këtij eventi të rëndësishëm, festivali teatror, është impakti më me vlerë, duke gërshetuar kështu dramaturgjinë shqiptare, artin e aktrimit e të regjizurës, skenografin, kostumografinë dhe formulimin muzikor. Pra, i jepet përparësi krijimtarisë origjinale shqiptare, koloritit e vlerave të gjithanshme të shpirtit shqiptar, psikologjisë tonë e të gjitha mesazheve morale që lidhen me ndërgjegjen kombëtare. Dhe është në të njëjtën kohë një nxitje e madhe krijuese e një konkurs vlerash midis nesh. Pa dyshim edhe përkrahje talentesh për të rinjtë tanë që marrin guximin të garojnë në këtë konkurs vlerash të artit skenik. Kështu, krahas regjisorëve më në zë, sikundër janë Mentor Zymberaj, Ilir Bokshi, Kastriot Saqici, shprehu talentin e vet Qëndrim Rijani i cili po e rrëfen bukur udhën e tij krijuese në disa spektakle të vëna në skenat shqiptare. Nga ana tjetër, përcjellja e shfaqjeve me analiza e debate krijuese, i shton ca më tepër vlerat pozitive, kundrejt dukurive të mëparshme të formalizmit e të bërjes se festivaleve për hirë të festivalit, si një mani apo rutinë, sa për të shkuar radhën, edhe pse sponsorizimet e tyre, për fatin e keq, vijnë duke shterur! E megjithatë populli ynë i do dhe i kërkon ato, në këto kohëra, kur shpesh “flasim me vete”, përreth problemeve social-politike, që edhe ato nuk kanë të shterur…..!/Shekulli

Nëse shtypni reklamat më poshtë mundësoni funksionimin e portalit tonë. Ju falemnderit.