Intervistë me analistin Shpend Kursani

Intervistë me analistin Shpend Kursani

Fantazmat e Ballkanit
5 Qershori, dita botërore e ambientit jetësor
“Flaka e janarit”, kur aktorët e UÇK sfidojnë në teatër
Intelektualët dhe militantët e qytetit

Intervistoi: Labinot KUNUSHEVCI

Kunushevci: I nderuar zt. Shpend Kursani, fillimisht ju përshëndes. Kam nderin dhe kënaqësinë që të zhvilloj me ju një intervistë dhe ju falënderoj shumë që gjetët kohë të ndani me ne për këtë intervistë. I nderuar Shpend, a mund të na thoni diçka në pika të shkurtra një CV tuajen?

Kursani: Nuk jam shumë i mirë të flas për vetën. Po të përgjigjesha në këtë pyetje, e gjitha çka do të thosha është të tregoj për shkollimin dhe aktivitetet e mija, të cilat edhe vetë dhe për të tjerët nuk i marr për bazë të vlerësimit. Individi duhet gjykuar nga qëllimet e tij, e pastaj edhe nga veprat për t’i arritur ato qëllime. Hitleri ka pasur në kabinetin e tij 15 persona, 9 nga të cilët ishin doktor shkence në lëmi të ndryshme, këta 9 të aftë e të shkolluar mirë, ishin mendimtarët më të tmerrshëm të tij.

Kunushevci: Cili është roli i analistit në shoqëri? Si e vlerësoni qasjen, diskursin dhe perspektivën e analistëve përball sfidave dhe aktualiteteve në Kosovë? Çfarë kontributi analitik japin ata?

Kursani: Një analist apo opinionist i çështjeve publike gjithsesi duhet ta jap opinionin e tij apo të saj nga një kënd kritik dhe analitik me të dhënat dhe informacionit që ka përpara vetit. Sa i përket diskursit të analistëve përball sfidave që ka Kosova, ai është shumë i butë. Natyrisht se ka përjashtime, por shumica e analistëve apo opinionistëve në Kosovë qëndrimet e tyre i mbajnë thuaja janë duke japë opinion për Suedinë apo Norvegjinë, ku problemi më i madh i qytetarëve të tyre është lartësia e një trotuari, apo butësia e asfaltit për t’iu përshtatur gjunjëve të të moshuarve. Gabimi që bëhet në këtë aspekt është se shpeshherë analizat po bëhen, jo në bazë të gjendjes reale në të cilën gjendet Kosova, por në bazë të gjendjes reale në të cilën gjendet vetë analisti, ku për bazë e marrin luksin dhe rehatinë e tyre shoqërore në krahasim me mesataren e popullatës, dhe gjykojnë thuaja Kosova është ajo që ata e kanë në shtëpi, familje, shoqëri, apo në punë. Pra mendojnë se Kosova është po aq rehat sa vetë ata. Po ashtu, shumë pak nga analistët dalin nga ‘mainstream’-i politik, çka në fakt do të duhej të ishte puna e një analisti apo më shumë të themi një intelektuali. Analistët nuk analizojnë më ndryshe se sa vetë politikanët në Kosovë. Për fund, kontributi i analistëve në Kosovë është që ta hutojnë qytetarin sa më shumë, për shkak të interesave të tyre që kanë o për shkak të parave, o për shkak të afërsisë së tyre me pushtetin në një formë apo tjetrën.

Kunushevci: Si e vlerësoni diskursin e debateve të sferës intelektuale, politike, sociale, fetare e kulturore që zhvillohen në Kosovë dhe si reflekton ky diskurs debatues në opinionin publik? Pse dominon prirja për paragjykim, përjashtim e dekonstruktivitet? Çka duhet ta karakterizoj diskursin intelektual?

Kursani: Në Kosovë nuk ka fare intelektualë, andaj edhe nuk ka debate të nivelit intelektual. Kemi shumë njerëz të shkolluar, me syze të leximit, dhe me çanta në dorë, por intelektual nuk kemi. Kjo reflekton edhe në debate që po i përmendi ju, ku gjithsesi dominon paragjykimi, përjashtimi, dhe etiketimi. Këto tri të fundit zakonisht përdoren në debate nga palët në debat që nuk kanë argumente, dhe rrjedhimisht spektatorët e një debati në Kosovë përfundojnë më shumë duke u informuar për karakteristikat individuale të debutuesve, se sa për argumentet dhe tezat e tyre. Mungesën e parashtrimit të argumenteve nëpër debate mendoj se nuk e bëjnë me qëllim, rrjedhimisht edhe paragjykimet dhe etiketimet nuk i bëjnë si ndonjë qëllim primar të tyrin. Paragjykimet dhe etiketimet dalin si rezultat i mosdijes së dikujt, injorancës mbi një çështje, si dhe aspekteve psikologjikë që i ndezin këto të parat. Ndërkaq diskursi i një debati intelektual duhet të jetë i bazuar jo domosdo brenda ‘mainstream’-it politik, sepse përndryshe do të duhej t’i dëgjonim politikanët duke debatuar e jo ata jashtë sferës së tyre. Po ashtu, një debat intelektual duhet të jetë nga njerëz të mençur, të dijshëm, dhe sidomos të guximshëm, karakteristika këto nga të cilat asnjëri nuk përbëhet deri më tani, andaj siç e thash, edhe nuk kemi intelektual.

Kunushevci: Në veçanti diskursi fetar në Kosovë, a përbën një rrezik të dëmtimit të identitetit dhe orientimit laik, demokratik e perëndimor apo është një akter i pashmangshëm social i cili mund ta begatojë perspektivën shoqërore? Çfarë kontributi mund të japin interpretuesit e fesë në Kosovë dhe mbi cilat premisa dhe paradigma duhet ta fundamentojnë diskursin e tyre fetar? Toleranca ndërfetare, a është më shumë mit apo më shumë realitet?

Kursani: Së pari, dhe shkurtimisht duhet të merremi me konceptin e shtetit sekular, që nuk do t’i thosha laik për çështje të mundësisë së keqkuptimeve nga besimtarët e ndryshëm. Shteti sekular duhet përqafuar pikërisht për faktin se së pari, çështjet shtetërore dhe fetare ndahen njëra me tjetrën, dhe kjo për shumë arsye historike, po çka është më e rëndësishmja, shteti sekular nuk e mohon fenë, dhe në shumë raste e sheh atë të rëndësishme për shkak të zhvillimeve të ndryshme shoqërore. Ndërkaq sa i përket dëmtimit të mundshëm të identitetit kombëtar, dhe nëse është fjala për fenë Islame, mendoj se më shumë është Plani i Ahtisarit që e ka dëmtuar identitetin kombëtar në 7 vitet e fundit, se sa Islami brenda kësaj periudhe, apo edhe më herët – kjo edhe nëse shikohet për efektet e tyre të mundshme në ardhmen. Sa i përket ndikimit të fesë Islame në orientimin perëndimor të Kosovës, duhet të nisemi nga vetë thelbi dhe premisat, p.sh. të Bashkimit Evropian (BE). BE-ja në thelbin e tij ka multikulturalizmin si vlerë. Si rrjedhojë pasurimi i BE-së me një vend me shumicë Myslimane, besoj do ta pasuronte vlerën e multikulturalizmit brenda BE-së, andaj mendoj se fakti që Kosova është me shumicë Myslimane, nuk do të duhej të ishte aspak pengesë për rrugëtimin e Kosovës drejt perëndimit.

Duhet të bëjmë kujdes megjithatë që këto gjana të mos keqkuptohen siç rëndom ndodhë në Kosovë. Ka një numër predikuesish të fesë Islame, që qëndrimet e tyre personale tentojnë t’i arsyetojnë gjoja se qëndrimet e tyre janë edhe qëndrimet e Islamit. P.sh. një predikues fetar i cili për shkak të pikëpamjeve dhe botëkuptimeve të tij personale, flet, shanë, psiqikisht maltreton të tjerët, gjoja se ato pikëpamje janë të fesë Islame, dhe kështu shpeshherë të rinjtë manipulohen nga disa predikues – kjo momentalisht në Kosovë nuk ka përmasa të mëdha, mirëpo të rinjtë në Kosovë duhet të kujdesen që mos të bien preh e këtyre predikuesve jo kredibil dhe jo legjitim fetarë, por të lexojnë e të mësojnë aty ku duhet. Ka pasur tendenca në Kosovë që të shahen fetë e tjera, çka është e padrejtë edhe në Islam, sidomos kur është fjala për të Krishterët dhe Jevrejët, pejgamberët e të cilëve njihen edhe në Islam. Por ka predikues fetarë, megjithatë ende të pakët, që për shkak të mllefit të tyre, nxisin një mosdurim fetar, por kjo momentalisht është në përmasa të vogla dhe jo alarmante, por komuniteti Mysliman në Kosovë, e sidomos të rinjtë duhet të kenë kujdes dhe të lexojnë më shumë.

Kunushevci: Si e analizoni trendin e migrimit ilegal të kosovarëve drejt vendeve të Perëndimit? Mbi kënd bie përgjegjësia më e madhe për krizën socio-ekonomike dhe politike në vend? A ka optimizëm për perspektivë më të mirë, shance të reja, vende të reja të punës dhe mundësi më të gjera në Kosovë? Cilët faktorë po ndikojnë më së shumti; mjerimi socio-ekonomik i prodhuar nga keq-qeverisja, pasioni për të jetuar në Perëndim, stimulimi nga trafikantët apo ndonjë faktor tjetër? Çfarë duhet të bëjë pushteti, shoqëria civile, institucionet, qytetarët dhe shoqëria në përgjithësi?

Kursani: Përgjegjësia kryesore për emigrimin masiv dhe të dhimbshëm të qytetarëve të Kosovës drejtë Perëndimit bie mbi supet e sistemit të instaluar në Kosovë në 15 vitet e fundit, dhe pushteteve të cilat punuan brenda këtij sistemi. Në 15 vitet e fundit është ndjekur doktrina neoliberale e tregut të lirë si model i zhvillimit ekonomik, ndërkaq kjo doktrinë, ka zhvilluar pak veta të pasur dhe të lidhur me pushtetin, ndërkaq ka varfëruar apo ka mbajtur në varfëri shumicën e qytetarëve. Nuk është vetëm varfëria problemi i emigrimit, sepse ai ka të bëjë edhe me humbjen e dinjitetit të qytetarëve, ku pak pushtetarë me sjelljet dhe politikat e tyre përqeshin shumicën e qytetarëve. Ndërkaq optimizëm nuk mund të ketë nëse punojmë brenda këtij sistemi të padrejtë, pra sistem të pamëshirshëm kapitalist neoliberal, të cilën Kosova e mori si model nga vendet perëndimore, ndërkaq anashkaloi procesin e zhvillimit qindra vjeçar të këtyre vendeve deri sa kanë ardhur tek kapitalizmi. Andaj shoqëria së pari duhet të prodhojnë intelektual të cilët, jashta ‘mainstream’-it politik e edhe mendor, mund të propozojnë ndryshimin e sistemit të tërë, së pari nëpërmjet ndryshimeve Kushtetuese, të cilat ndryshime edhe mund t’i udhëheqin edhe vetë. Politikanët e deritanishëm duhet mos-besuar sa më shumë. Ata nuk janë kredibil për as të vetmin aspekt pozitiv për të ardhmen nëse dikush dëshiron të shpresojë diçka.

Kunushevci: Shteti kosovar në geto? Jemi në vitin 2015 dhe ende pas shtatë viteve të shtetësisë trajtohemi të izoluar dhe të pasigurtë, veçmas me mungesë të liberalizimit të vizave. Atëherë si i analizoni dhe vlerësoni politikat perëndimore, përkatësisht trendin e plotësimit të kushteve drejt liberalizimit të vizave dhe çfarë mundësish do të ofroj liria e lëvizjes në shtetet perëndimore për kosovarët, veçmas për ata të cilët kanë synim punësimin në tregun evropian? Ku gjendet ngërçi i mosliberalizimit të vizave?

Kursani: Bashkimi Evropian nuk është i vetëdijshëm për 100 e më shumë kushte që ia ka vendosur Kosovës që t’i plotësojë për të përfituar nga liberalizimi i vizave. Nga 100 e më shumë këto kushte, asnjëri nuk ka të bëjë me zhvillim ekonomik e shoqëror; të gjitha kushtet kanë të bëjnë me teknikalitete, shumica e të cilave më së shumti i shkojnë për shtati BE-së. P.sh. siguria e dokumenteve të udhëtimit, ri-atdhesimi e ri-integrimi që siguron kthimin e qytetarëve të deportuar nga BE-ja, e gjana të tilla të ngjashme, të cilat pikësëpari i shkojnë për shtati politikave të sigurisë së BE-së, e natyrisht edhe Kosova pastaj përfiton paksa nga plotësimi i këtyre kushteve. Po ashtu, duke mos vendosur kushte për zhvillim ekonomik e shoqëror me një anë, e duke vendosur kushte për luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit në anën tjetër, i bënë këto kushte jo serioze. BE-ja mendon se duke u luftuar krimi i organizuar e korrupsioni do të zhvillohet ekonomia e shoqëria, besoj një huqje totale e gjykimit, pasi është pikërisht e kundërta. Pra është zhvillimi ekonomik e shoqëror që me automatizëm dhe gradualisht e vënë nën hije krimin e organizuar dhe korrupsionin. Por duket se këta janë më shumë të interesuar për teknikalitete, së bashku me pushtetarët në Kosovë, se sa për ndonjë zhvillim të mirëfilltë.

Nëse merret edhe koncepti i Adam Smith-it, babait të tregut të lirë që e përqafon edhe vetë BE-ja, secili e mëson që duke përqafuar doktrinën e tregut të lirë, BE-ja nuk bënë politikë të sinqertë me vendet e tjera, në këtë rast me Kosovën. P.sh. Adam Smith-i, kur ka folur për tregtinë e lirë, ai nuk ka folur vetëm për tregtinë e lirë të mallrave, por edhe për lëvizjen e lirë të fuqisë punëtore. Ndërkaq marrëdhëniet e Kosovës me BE-në janë kufizuar në tregtinë e lirë të mallrave, e ngufatjen e lirisë së lëvizjes së fuqisë punëtore, që tregon se BE-ja dhe shtetet e tjera të fuqishme e zbatojnë doktrinën e tregut të lirë në mënyrë selektive dhe në mënyrë të padrejtë.

Kunushevci: Cila duhet të jetë forma më e duhur e shprehjes së pakënaqësisë, revoltës dhe zërit të qytetarisë për ndryshim? Nëpërmjet protestës apo formave tjera?

Kursani: Nëse dëshirojmë ta shohim realisht situatën në të cilën gjendet Kosova, pra jo nga rehatia jonë individuale, por parehatia kolektive e Kosovës, atëherë nuk shoh që mund të sjellët ndonjë ndryshim i mirëfilltë dhe i dëshirueshëm pa revoltë të qytetarëve të shprehur me forma të rezistencës së përhershme, qoftë tubime, qoftë protesta, e kështu me radhë. Në Kosovë nuk do të kemi demokraci për pa ardhur koha ku pushteti i frikësohet qytetarit e jo anasjelltas, e kjo mund të vije vetëm nëpërmjet rezistencës së përhershme të qytetarëve kundër pushteteve të padrejta, pikërisht hapa këto që vazhdimisht merren në perëndim (Gjermani, Francë, Angli), çka edhe i bënë pushtetet e përgjegjshme ndaj qytetarëve të tyre.

Kunushevci: Kam dëgjuar një thënie poeti në kontekst të kritikave të politikave demokratike e cila thotë: “Të vrasësh një njeri të pafajshëm, thonë: “Krim që s’falet, dënojeni!”, ndërsa të vrasësh një popull të pafajshëm në shtëpinë e tij, thonë: “Ky është problem, për këtë duhet me negociu”!” Përkitazi me këtë thënie, në kontekst të Kosovës me Serbinë, si i analizoni negociatat dhe marrëveshjet e arritura mes dy qeverive dhe rolin e faktorit ndërkombëtar? A po lihet qytetari në margjina?

11056959_10206308878904614_1940005470_nKursani: Nuk është vetëm qytetari, por edhe Kosova po lihet në margjina. Në vend se ta përforcojë subjektivitetin e vetë ndërkombëtar, Kosova është shndërruar në objekt në mes të marrëdhënieve të Serbisë dhe Perëndimit. Perëndimi ndihet i penduar që e ka bombarduar Serbinë, sepse tashmë ka parë se si Kosova është kapur nga kriminelë e banditë, dhe kësisoj, dhe në njëfarë formë të nënvetëdijshme të saj, Perëndimi po mundohet ta lajë “gabimin” që e ka bërë në marrëdhënie me Serbinë. E këtë “gabim” po mundohet ta lajë duke marrë nga Kosova, e duke i dhënë Serbisë. Shikoni sot se si në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës asnjë vendim i rëndësishëm nuk mund të merret për pa e pyetur Serbinë. Bazat e kësaj janë vendosur me marrëveshjen e arritur me 19 prill 2013 në Bruksel. Kosova ka qenë më e pavarur në ditën e shpalljes së pavarësisë se sa 7 vite pas shpalljes së kësaj pavarësie.

Kunushevci: Si e analizoni rolin e medieve në Kosovë? A janë të lira dhe a ia kanë frikën pushtetit? Sa është profesionale publicistika? A ka mungesë të etikës profesionale gazetareske? A mund të themi se disa medie kanë qasje selektive? Nëse po, a mund ta merrni ndonjë shembull për të argumentuar se në cilat sfera më shumë mediet kanë qasje selektive sepse në opinionin publik gjykohet fenomeni i akteve terroriste që bëhen në emër të fesë, si pretekst diskriminues e selektiv i disa medieve qofshin vendore apo ndërkombëtare që i bëjnë për kauzat e tyre?

Kursani: Liria e medias është çështje mjaft e koklavitur. Në njërën anë duhet të flasim për lirinë e mediave nga pushtetet apo strukturat shtetërore, dhe në anën tjetër duhet të flasim për lirinë e veprimit të mediave në kontekst të varësisë së tyre nga korporata biznesesh të mëdha të cilët edhe i mbajnë këto medie. Në përgjithësi nuk mendoj se mediat janë të lira, në fakt ato janë më shumë të lira nga strukturat shtetërore se sa nga korporatat e bizneseve të mëdha të cilat janë bërë aq të forta sa që ndikojnë jo vetëm në medie, por edhe në pushtete të ndryshme në Kosovë. Etikë profesionale në mediat në Kosovë ka shumë pak. Ato udhëhiqen nga qarkullimi i parasë, e jo nga etika profesionale e një informimi të mirëfilltë.

Sa i përket selektivitetit të mediave, natyrisht që ekziston, dhe jo vetëm në kontekstin që ju e përmendni, e i cili natyrisht është me rëndësi. P.sh. nëse vriten 3 perëndimorë në Lindjen e Mesme, mediat perëndimore thonë “janë vrarë 3 persona”, ndërsa kur vriten 3,000 jo perëndimorë në Lindjen e Mesme, të njëjtat media thonë “kanë vdekur 3,000 persona”. Kjo filozofikisht tregon shumë. Sepse në rastin e parë, faji i lihet dikujt tjetër për vrasjen e këtyre 3 personave, ndërsa në rastin e dytë faji i lihet vetë viktimave të vrara nga dikush tjetër. Sidoqoftë, selektiviteti ekziston edhe në raste dhe aspekte tjera, dhe jo vetëm në këtë. Pra ka agjenda të ndryshme, natyrisht, dhe për këtë lexuesi i juaj nuk duhet të më besojë mua, atë mund ta shohin dhe ta vërejnë vetë – nëse donë.

Kunushevci: Çfarë duhet bërë për ta tejkaluar krizën universitare, të shkollave publike, institucioneve, organizatave dhe akterëve tjerë arsimor dhe edukativ në Kosovë?

Kursani: Në Kosovë nxënësit mësojnë së paku 10 vite gjuhë Angleze, ndërkaq përmbi 75% e përdorin internetin vetëm në gjuhën shqipe. Në Kosovë diplomojnë me qindra jurist në vit, ndërkaq nuk ka konkurrentë për 50 pozita për gjykatës në Kosovë. Në Kosovë është punuar e është investuar shumë në sektorin e arsimit për ta mbytur mendimin kritik të nxënësit dhe studentit. Këto, e shumë të dhëna të tjera tregojnë që në Kosova ka shumë shkolla, por pak arsim. Çfarë duhet të bëjmë është që të kemi një plan nacional për arsim, i cili do të aprovohej me 2/3 e deputetëve në Kuvend, dhe i cili plan nuk guxon të ndryshojë me ndryshimet qeveritare, për pa kaluar ato ndryshime sërish me 2/3 e deputetëve në Kuvend. Kjo për arsye se ky plan arsimor duhet të jetë i një periudhe 20-30 vjeçare, dhe duhet të ketë ndryshime të mëdha të qasjes sonë në arsim. Duhet të futen lëndët e mendimit kritik, si dhe në secilën lëndë mësimore të zbatohen metoda të mësimit që inkurajojnë mendimin kritik, pra që inkurajojnë nxënësin e studentin që t’i thonë mësuesit apo profesorit që e kanë gabim, kur këta e kanë gabim. Duhet të investojmë më shumë në lëmin e teknologjisë dhe inxhinierisë, sepse vetëm me këtë sektorë mund të reformohet dhe ri-orientohet edhe zhvillimi e modeli ekonomik i Kosovës. Por natyrisht me këtë sistem dhe me këto pushtete këto janë pak të mundura, andaj duhet fillimisht të bëhen ndryshime sistemike në vend.

Kunushevci: Si i vlerësoni kriteret e punësimit në Kosovë dhe çfarë duhet bërë që të rritet numri i të punësuarve? A po i zbehet Kosovës klasa e mesme? Disa nga arsyet e emigrimit të të punësuarëve me paga mesatare, sipas tyre, është edhe mungesa e sigurisë në punë, si e gjykoni ju këtë fakt dhe arsye që ata japin? Si ndikojnë këta faktorë: nepotizmi, klientelizmi, ryshfeti, politizimi, mungesa e sigurisë, standardi i lartë, pagat e vogla, tatimet e larta, kushtet e pafavorshme etj? Përkitazi me këtë, a posedon tregu kosovar kushte dhe mundësi potenciale të favorshme për investitor të huaj të cilët do të ndikonin në krijimin e vendeve të punës dhe ngritjen e standardit ekonomik?

Kursani: Të gjitha problemet e lartpërmendura i sjellin edhe problemet që ju i shtroni në këtë pyetje. Sa i përket standardeve dhe kushteve të punës në Kosovë, merreni mundin një ditë shkoni në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila është përgjegjëse sidomos për sigurimin e mirëqenies së punëtorëve dhe plotësimin e standardeve sipas Ligjit të Punës në Kosovë, dhe takoni rojtarin në hyrjen e kësaj ministrie. Do të mësoni që ky rojtar kushtet dhe standardet e punës i ka përkundi minimumit që kërkohet me ligj, pra punëtori tek vetë një ministri që duhet t’i sigurojë ato gjëra edhe për të tjerët. Natyrisht që ka shumë klientelizma dhe nepotizma në shumicën e rasteve të punësimeve të Kosovë, dhe kjo vjen si rezultat i pranimit nga të gjitha palët, pra edhe nga punëdhënësit edhe nga punëmarrësit, të një status quo-je ku kjo është bërë kushtimisht të them e pranueshme. Duhet të ketë revoltë të punëtorëve të të gjitha sektorëve, gjë pa të cilën vetëm sa do të ruhet kjo status quo, nga e cila gjendje përfitojnë vetëm punëdhënësit, ndërkaq punëtorët shtypen përderisa u kërkohet të jenë më efikas në punë.

Sa i përket kushteve për investitor të huaj, Kosova ka politika fiskale të mira për investitorët, mirëpo janë kushtet dhe rrethanat tjera që pamundësojnë ardhjen e investitorëve. Njëra nga këto është koncepti i haraçit i cili zbatohet tek investitorët si formë e taksës së fshehur. E këta haraçexhinjë janë o në pushtet, o të lidhur ngushtë me pushtetin. Investitorët frikësohen nga gjëra të tilla, edhe në rastin ku do të ia hiqnim të gjitha tatimet, ata prapë do të paguajnë taksat e fshehura të haraçit.

Kunushevci: Mesazhi juaj për fund:

Kursani: Ftoj qytetarët, e sidomos të rinjtë që të fillojnë të dyshojnë në atë çka për çdo ditë ju thuhet, si nëpër media, si nëpër shkolla, si nëpër universitete, si nëpër familje. Le të dyshojnë, sepse dyshimi e bënë njeriun më të vëmendshëm si për informacionin që e marrin, por edhe për veprimin e duhur që duhet ndërmarr si rezultat i një gjykimi kritik që vjen nga dyshimi. Rrjedhimisht edhe përgjigjet në këtë intervistë le t’i gjykojnë me dyshim. Deri më tani qytetarët e Kosovës, por edhe në mbarë botën, janë gënjyer e gënjehen, proces i cili udhëhiqet si nëpërmjet mediave, ashtu edhe nëpërmjet institucioneve arsimore. Dhe rrjedhimisht le të reagojnë. Pa regim, nuk ka zhvillim.

Kunushevci: Në emër të revistës “Paqja” ju falenderojmë shumë që gjetët kohë t’iu përgjigjeni këtyre pyetjeve. Ishte kënaqësi të zhvilloja me ju këtë intervistë duke shpresuar se opinionit shqiptar i kemi ofruar atë që është më se e nevojshme për të ditur në këtë kohë.

Kursani: Më vjen mirë dhe ishte kënaqësi t’i prekim një sërë çështjesh të rëndësishme.

Nëse shtypni reklamat më poshtë mundësoni funksionimin e portalit tonë. Ju falemnderit.

KOMENTO