Kur’ani – Mbrojtës dhe shërues, kapitulli i katërt

Kur’ani – Mbrojtës dhe shërues, kapitulli i katërt

Kur’ani dhe Bibla
Astronomia – Drita dhe lëvizja
Toka
Libri i shenjtë islam me emrin “Kurani i Kosovës” (VIDEO)

KAPITULLI I KATËRT

                 MBROJTJA DHE SHËRIMI ME KUR’AN

     S’do mend se e vërtetë absolute është ajo që e ka thënë All-llahu xh.sh. në Kur’anin famëlart:

     “Ne shpallim nga Kur’ani atë çka është bar dhe mëshirë për besimtarët” (el-Isra, 82)

Kur’ani a.sh. ndikon në sëmundjet, gjegjësisht në shërimin e tyre. Në këtë nuk ka dyshim. Kjo është më e lehtë se sa copëtimi (rrënimi) dhe shkatërrimi i kodrave dhe maleve. Ja se ç’thotë ajeti i mëposhtëm.

“Sikur këtë Kur’an t’ia kishim zbritur ndonjë mali, do të kishe parë si përulet dhe si copëtohet nga frika ndaj All-llahut. Ata janë shembuj që ua sjell njerëzve, ndoshta mendojnë” (el-Hashr, 21). Njeriu qetësohet psiqikisht me leximin e këtyre ajeteve (si dhe në përgjithësi me ajetet tjera të Kur’anit, pa marrë parasysh i lexon vetë apo dikush tjetër ia lexon.

Është vërtetuar shkencëtarisht se te njeriu ndikojnë shumë gjëra për të cilat ai vetë shumë pak di! Për shembull, njeriu në disa raste posedon aftësi dhe fuqi të ndryshme, ka raste kur zgjohet i disponuar dhe i fuqishëm duke mos ditur shkakun e kësaj. Njeriu e ndjenë ndikimin e qartë të muzikës dhe çdoherë kur ndërrohet ritmi, te njeriu shkakton mosrehati – sëmundje. Gjithashtu zhurma negativisht ndikon edhe te i sëmuri. Pra, muzika dhe zhurma ndikojnë pozitivisht dhe negativisht. Kur’ani a.sh. me siguri ndikon pozitivisht, sepse është fjalë e All-llahut e cila është shëruese  më e mirë.

Mjeku dhe mjekësia konsiderohen vetëm shkak për shërim. Kur’ani a.sh. kur na urdhëron për konsultim, njëkohësisht rekomandon edhe konsultimin e mjekut: “Dhe konsultohu me ata në punë…”.[i] Edhe Pejgamberi a.s. ka urdhëruar që të mjekohemi: “Për çdo sëmundje ka ilaç…”, All-llahu për çdo sëmundje ka krijuar ilaç, por atë ilaç dikush e di e dikush nuk e di. Së pari vjen dëshira e All-llahut xh.sh. e pastaj ilaçi dhe mjekimi. Njeriu kur e përdorë ilaçin ose kur i drejtohet mjekut, duhet të ketë mbështetje të plotë tek All-llahu, sepse Ai është i mëshirshëm dhe shërues. Ai në Kur’an thotë: …A nuk u mjafton atyre, që ne ta shpallur librin, i cili u lexohet atyre? Ne atë ka, me siguri, mëshirë e qortim për popullin i cili beson” (el-Ankebut, 51)

 

AJETET QË KANË TË BËJNË ME SHËRIMIN

 

Dijetarët kanë bërë përpjekje që t’i shpjegojnë ajetet të cilat mund të lexohen për shërimin e të sëmurëve. Disa prej tyre (ulemave), janë të mendimit se ato janë: sureja Fatiha dhe Ihlas, duke u bazuar në transmetimin e Enesit (Zoti qoftë i kënaqur me të) se Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Kur ta veshë kokën në jastëk (kur të biesh të flesh) dhe e lexon Fatihasë dhe suren Ihlas, je i mbrojtur prej çdo gjëje përveç prej vdekjes.”

Po ashtu thuhet se sureja Kafirun dhe Ihlas shërojnë dyfytyrshmërinë, shirkun, kufrin. Ngjashëm me këtë thuhet edhe për suren Felek dhe Nas.

Imam Kushejriu thotë: “Djali im është i sëmurë rëndë derisa humbi shpresa se mund të shërohet. Unë e ëndërrova Muhammedin a.s. i cili më tha: “Pse nuk i lexon ajetet e shërimit?” I kërkova në Kur’an dhe ato ishin gjashtë” “…dhe do t’i shërojë kraharorët e njerëzve besimtarë” (et-Tevbe, 14).

“… Një bar për zemrat tuaja” (Junus, 57). “….I cili kur sëmurem më shëron” (esh-Shuara, 80). Që është bërë shërim për njerëzit” (en-Nahl, 69). “Thuaj! Ai është për besimtarët udhëzim dhe bar” (Fussilet, 44).

Ia lexova birit këto ajete disa herë duke shpresuar në shërimin e tij dhe me lejen e All-llahut u shërua”.

Transmetohet se Ebu Muhammed Jahja el-Mes’habij (njëri nga shokët e Shafiut), ka qenë njeri i devotshëm, ka jetuar një jetë të gjatë duke mos e goditur asnjë sëmundje, bile Zoti e ka mbrojtur në rastet kur ka pasur përpjekje dhe ka ekzistuar mundësia që ai të zhduket. Kur e kanë pyetur pse atë e mbronë All-llahu është përgjigjur:

“Unë shumë i përsëris ajetet e mbrojtjes të cilat janë: “Atij nuk i vjen rëndë mbajtja e tyre. Ai është i Lartmadhërishëm, i Madh”. (el-Bekare, 255). “Zoti im pa dyshim është roje mbi çdo send” (Hud, 57). “Dhe All-llahu është ruajtësi më i mirë dhe Ai është më i mëshirshmi i mëshirëplotëve” (Jusuf, 64). “Ai (njeriu) ka përcjellës përpara dhe pas, atë e ruajnë me urdhër të All-llahut” (er-Rrad, 11). “Ne në të vërtetë e kemi shpallur Kur’anin dhe pa dyshim në jemi mbrojtësit e tij” (el-Hixhr, 19). “Dhe e ruajmë atë prej çdo djalli të mallkuar” (el-Hixhr, 17). “Kurse qiellin e kemi bërë kulm të sigurt”. (el-Enbija, 32). “Duke i mbrojtur prej çdo djalli prapshtan” (es-Saffat, 7). “Dhe mbi ju me siguri vigjilojnë” (el-Intifar, 10). “…dhe mbrojtje. Ai është ligj i të Fortit, të Gjithëdijshmit” (Fussilet, 12). “All-llahu i mbronë edhe ata të cilët ata i marrin si mbrojtës në vend të Atij. Ti nuk je përfaqësues i tyre” (esh-Shura, 6). “Nuk ka njeri, i cili nuk ka një mbrojtës” (et-Tarik, 4). “Dhe mbi ju me siguri vigjilojnë, shkrues fisnikë, të cilët dijnë se çka punoni” (el-Intifar, 10-12). “Njëmend, hakmarrja e Zotit tënd është shumë e fortë. Pa dyshim vetëm Ai është, që e fillon dhe e rifillon. Dhe falë shumë dhe ka plot dashuri”. Zoti i gjithësisë, i Lartmadhërishëm. Që punon çka dëshiron vet. A të ka ardhë ty lajmi për ushtritë e faraonit dhe Themudit? Por, ata të cilët mohojnë – përgënjeshtrojnë. Por, All-llahu do t’i mbërthejë nga të gjitha anët. Po, ai Kur’an madhështor. Në një pllakatë të ruajtur mirë” (el-Buruxh, 12-22)

Të gjitha këto ajete të shërimit dhe mbrojtjes janë pjesë prej Kur’ani Kerimit i cili është fjalë e All-llahut. Është e preferueshme që i sëmuri vetë ose dikush t’ia lexojë Kur’anin në tërësi. Ai i cili me vëmendje e lexon suren Felek (Ai i cili nuk e njeh arabishten në përkthim sh.p.), do të vërejë se kërkon mbrojtje, e mbrojtës është All-llahu i gjithëfuqishëm, i cili ka krijuar çdo gjë. Ai pra e mbronë njeriun prej çdokujt dhe prej çdo të keqeje. Sherr (e keqe) është ajo që e bëjnë ata që lidhin dhe fryjnë nyja, ajo është sëmundje të cilën e shkakton magjia (sihri). Kurse e keqja e egoistit kur egoizmi e kaplon është sëmundje e cila ka pikënisjen në vetëkënaqësi – egoizëm. Këto ajete fisnike të kësaj sureje e urdhërojnë njeriun që të kërkojë mbrojtje tek All-llahu nga sëmundjet e ndryshme fizike e psikike.

Kuptimi i sures Nas është kërkesë apo lutje e njeriut me të cilën i drejtohet të Gjithëfuqishmit – Krijuesit të njerëzve dhe të të gjitha botëve. Ai i lutet All-llahut ta mbrojë nga e keqja e cytësit i cili ngacmon, në gjoksin e tij, pa marrë parasysh se ajo cytje a është nga njerëzit, nga ai ose nga xhinët. Ky sherr, siç duket, është sherri i sëmundjeve psikike të cilat ndikojnë edhe në aspektin fizik.

 

ISTIGFARI – MBROJTJE DHE SHËRIM

 

Kur’ani a.sh. e ka krahasuar istigfarin (kërkimin e faljes) me praninë e Muhammedit a.s. në mesin e bashkëkohanikëve të tij, në lidhje me largimin e të këqijave, fatkeqësive dhe dënimeve, ashtu që thotë:

“All-llahu ata nuk i dënonte sepse ishe ti në mesin e tyre, dhe ata All-llahu nuk i dënon derisa luten për falje” (en-Fal, 33).

Prania e Muhammedit a.s. ka mjaftuar që mirësia dhe bereqeti ta përfshijnë ummetin e tij, kurse istigfari është lutje personale për mbrojtje prej dënimit dhe nuk mund të ndikojë te dikush tjetër. Çdo njeri është nën hijen e istigfarit të ve.

Pohimi i pjesës së parë të ajetit të lartpërmendur është realizuar, All-llahu xh.sh. nuk e ka dënuar ummetin e Muhammedit a.s. duke qenë ai (Pejgamberi a.s.) në mesin e tyre. edhe pjesa e dytë e ajetit pa dyshim duhet të realizohet:

Njeriu i cili vazhdimisht bën istigfar All-llahu e mbronë prej dënimit. Është vërtetuar se istigfari është një nga metodat më të suksesshme për shërim nga sëmundjet psikike. Psikologjia ka konstatuar se njeriu kur gabon, në vetvete ndjenë një disharmoni shpirtërore e cila mund ta shpiejë deri në delirium. E istigfari është mbrojtje më e mirë nga kjo.

All-llahu u premton njerëzve, e nuk ka kush që e realizon premtimin e vet më mirë se sa i Lartmadhëruari. Kur dikush, i lutet atij, Ai i pranon lutjet.

Nuk duhet harruar se lutja paraqet ibadet, prandaj ai që nuk i lutet All-llahut, ai refuzon ibadetin.

Ata të cilët janë mendjemëdhenj ndaj lutjes së All-llahut, do të hyjnë në xhehennem të nënçmuar. Ne sikur ta studiojmë në thellësi namazin i cili është farz dhe kryhet për 5 herë brenda 24 orëve, do të përfundojmë se vetë namazi është (lutje). Sureja Fatiha e cila përsëritet për çdo reqat, ka formën e lutjes. Ajeti i kësaj sureje “Drejtona në rrugë të drejtë” është një lutje e nevojshme dhe e dobishme për njeriun, përfshinë çështjet e jetës dhe të fesë. As puna e kësaj jete e as e asaj të amshueshmes nuk mund të jenë në rregull nëse nuk je i drejtuar në sirati-mustekim (në rrugë të drejtë).

Besimtari mund t’i drejtohet All-llahut edhe me lutje tjera si p.sh. “O Zot, më fal mua, prindërit e mi dhe gjithë besimtarët në Ditën e Gjykimit”.

“O Zot, Ty të lutem, që të më mbrosh mua dhe familjen time nga hidhërimi dhe dënimi yt, dhe na mbrojë prej sherrit të njerëzve”.

Njeriu po ashtu mund të lutet edhe pas namazit, me kusht që duaja të jetë me vend dhe e mirë. Shumë ajete të Kur’anit janë në formë të duasë. Lutësi duhet të jetë i vendosur dhe i bindur se lutja e tij do të pranohet, pasi që ai e di se All-llahu xh.sh. në Kur’an thotë:

“Dhe kur të pyesin robërit e mi për Mua, unë jam në të vërtetë afër, i përgjigjem lutjes së lutësit kur më lutet, prandaj le të kërkojnë përgjigje prej Meje dhe të më besojnë Mua për të qenë në rrugë të drejtë” (el-Bekare, 168).

Nëse i marrim dhe i shqyrtojmë ajete e shumta të Kur’anit, për pyetjet të cilat i parashtrohen Muhammedit a.s. , All-llahu xh.sh.  i është përgjegjur duke i thënë atij, “KUL” (Thuaj), ndërsa në këtë ajet besimtarëve u përgjigjet pa ndërmjetësimin e fjalës. Për shembull: “Të pyesin për alkoolin dhe bixhozin. Thuaj që të dyja janë mëkat i madh” (el-Bekare, 219).

“Të pyesin për Ditën e kijametit kur do të ndodhë. Thuaj: Atë e di vetëm Zoti” (el-A’raf, 187)

“Të pyesin për shpirtin, Thuaju: çështja e shpirtit është punë vetëm e Zotit tim” (el-Isra, 85)

“Dhe të pyesin për malet, Thuaju: Zoti ata do t’i bëjë hi e pluhur” (Taha, 105)

Në të gjitha këto ajete dhe në disa ajete tjera, pas pyetjes vjen përgjigjja që fillon me “thuaj”, kurse në ajetin 186 të sures Bekare nuk është rast i tillë.

Shtrohet pyetja: Vallë a pranohet çdo lutje dhe prej çdo kujt? Nevojitet që lutja të bëhet me sinqeritet dhe vendosmëri të thellë, pasi që paraqet ibadet.

“Prandaj adhuroni All-llahun me sinqeritet në fenë e Tij”  (el-Mu’min, 41)

Islami është besim dhe nuk ka fe pa besim dhe ibadet. Feja islame ngritet mbi pesë shtylla:

Të dëshmuarit se nuk ka Zot tjetër pos All-llahut (Tevhid) dhe se Muhammedi a.s. është I dërguar i Tij. Pas kësaj pasojnë katër shtyllat tjera të cilat paraqesin ibadet (namazi, zeqati, haxhi dhe ramazani). Njeriu është i obliguar që të bëjë ibadet ndaj All-llahut. Besimi besimtarin e obligon të jetë i pastër nga çdo gjë e dyshimtë dhe e ndaluar. Besimtari i lutet All-llahut duke qenë i bindur n përgjigjen e Tij. Muhammedi a.s. na ka sqaruar se si duhet të sillet ai i cili dëshmon t’i pranohet lutja”.

“All-llahu është i pastër, prandaj e pranon vetëm të pastrën, ai i ka urdhëruar besimtarët me atë ë i ka urdhëruar pejgamberët dhe thonë:

“O të dërguar! Hani nga ushqimet e mira dhe bëni vepra të mira, sepse Unë e di mirë se ç’bëni ju” (el-Mu’min, 51), po ashtu u drejtohet besimtarëve dhe thotë:

“O besimtarë, hani nga ushqimet e mira që ju kemi dhënë” (el-Bekare, 172). Më tutje Pejgamberi a.s. thotë: “Si do t’ia pranojë All-llahun lutjen një njeriut i cili ngren duart lartë nga qielli dhe thotë: O Zot, o Zot… kurse ushqehet me haram, vishet dhe mbahet me haram”.

“Luteni All-llahun duke qenë të bindur se All-llahu i pranon lutjet e tuaja, dhe dine se All-llahu nuk e pranon lutjen e atij, zemra e të cilit është indiferente”.

Duaja është shpresë dhe kërkesë tek All-llahu xh.sh., prandaj besimtari duhet të jetë kujdes sepse e di se kujt ia bën atë. Për t’u plotësuar lutja e tij duhet të jetë ashtu siç porosit Kur’ani:

“Lutjuni Zotit tuaj me përulje dhe fshehurazi! Ai nuk i do ata të cilët e teprojnë. Dhe mos bëni trazira në tokë pasi që në të është vënë rregull, dhe Atij lutjuni me frikë dhe dëshirë të madhe. Dëshira e All-llahut është me të vërtetë afër mirëbërësve”. (el-A’raf, 55,56)”

All-llahu na porosit që t’i lutemi Atij duke shpresuar në falje dhe duke u frikësuar nga dënimi i Tij…

“Ata bënin gara që të bënin sa më shumë vepra të mira dhe na lutnin me shpresë dhe frikë, dhe ndaj nesh kanë qenë të përulur” (el-Enbija, 90).

Muhammedi a.s. duke e ditur rëndësinë e lutjes thotë:

“Duaja është truri i ibadetit, ajo është e natyrshme për njeriun, shihet qartazi tek ai kur e godet ndonjë fatkeqësi”.

“Kur  godet njeriun ndonjë e papritur, i drejtohet Zotit të vet dhe i lutet Atij, pastaj pasi All-llahu e mëshiron, ai e harron (njeriu) Atë të cilit më parë i është lutur dhe i bën shok All-llahut për t’u larguar nga rruga e Tij. Thuaj: Kënaqu për pak kohë me mosbesimin tënd sepse pa dyshim je nga banorët e zjarrit” (ez-Zumer 8)

“Por njerëzit i prekë ndonjë e keqe, ata me përulje i drejtohen Zotit të tyre, e pastaj kur Ai u mundëson të shijojnë mëshirën e Tij, menjëherë një grup Zotit i konsiderojnë shok tjetër (të barabartë)” (rum, 33)

Kur njeriu i nënshtrohet dhe i përulet All-llahut, ai nuk mund të paramendojë mëshirën e madhe të Tij. Ai është shumë afër robërve të vet në çdo rast, u përgjigjet atyre dhe e largon të keqen…

“E kush përveç All-llahut i përgjigjet të ngratit kur i drejtohet, Ai i cili të keqen e largon dhe juve ju bën zëvendës në tokë. A ka pos All-llahut tjetër Zot? Fort pak ju përkujtoni!” (en-Neml, 62)

Ajetet në të cilat flasin për lutjen janë të shumta, në sure të ndryshme të Kur’anit. Ato kanë të bëjnë me shërimin, mbrojtjen si dhe me kërkesa tjera:

“O Zoti ynë. Mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë, pa qëllim. Mos na ngarko barrën që ua ke ngarkuar atyre para nesh. O Zoti ynë. Mos na ngarko për detyrë atë për çka nuk kemi mundësi. Shlyej mëkatet tona, dhe ki mëshirë ndaj nesh, Ti je Zoti ynë, Andaj na ndihmo kundër popullit mosbesimtarë” (el-Bekare, 286).

Njeriu duhet të dija se çdo e keqe që e godet është rezultat i veprave të tij. Megjithatë, kur i lutet All-llahut, Ai e mëshiron:

“Çfarëdo fatkeqësie që t’ju gjejë, është ajo që e keni bërë vetë, por Ai fal shumë” (esh-Shura, 30)

Njeriu kur sëmuret e humbë fuqinë, shëndetin, dobësohet e All-llahu e mëshiron dhe shëron. Lutja për kërkim mbrojtje te All-llahu është porosi e Muhammedit a.s. ku thotë:

“Lutja më e mirë është që prej All-llahut të kërkosh mbrojtje, shërim dhe falje në këtë botë dhe botën tjetër, e nëse këto të dhurohen, në këtë botë dhe në botën tjetër, je nga të shpëtuarit”

Kur’ani a.sh. na e shpjegon gjendjen e pejgamberëve. Kur ata i ka goditur ndonjë fatkeqësi, i janë nënshtrua All-llahut dhe i janë drejtuar me lutje dhe së shpejti atyre u ka ardhur përgjigjja. Për ilustrim e cekim ejjubin a.s. i cili është goditur me shumë sprovime, e ka kapluar sëmundja, e ka humbur pasurinë dhe fëmijët. Ai i është drejtuar me lutje All-llahut, e i Lartmadhëruari i është përgjigjur duke e shëruar, i ka dhënë fëmijë e pasuri. Këtë rast e vërteton Kur’ani:

“Edhe Ejjubi, kur e thirr në ndihmë Zotin e vet: Më gjeti fatkeqësia, kurse Ti je më i mëshirshmi i nga të mëshirshmit!” Iu përgjigjëm dhe fatkeqësinë që e mundonte ia hoqëm, dhe i dhamë fëmijë e familjen nga mëshira jonë, që të jenë mësim për adhuruesit (en-Enbija, 83,84).

Zekerijjanë a.s. e mundi pleqëria, gruaja e tij arriti moshën e sterilitetit (kur nuk është në gjendje të lindë më). u përmallua për një fëmijë. I kishin humbur të gjitha shpresat. Megjithatë, Zekerijja a.s. iu drejtua All-llahut xh.sh. me lutje të sinqertë dhe bindje të thellë se All-llahu do t’i përgjigjet dhe do t’ia plotësojë dëshirën. Ai ishte i bindur në gjithfuqishmërinë e all-llahut. i Lartmadhëruari ia pranoi lutjen dhe ia plotësoi dëshirën…

Edhe Zekirkjjas, kur e luti Zotin e vet: O Zoti im, mos më le të vetmuar e Ti je trashëgimtari më i mirë. Ju përgjigjëm edhe atij dhe ia falëm Jahjanë. dhe bashkëshorte të mirë. Ata bënin gara që të bëjnë sa më shumë vepra të mira dhe na lutnin me shpresë frikë,  ndaj nesh kanë qenë të përulur” (en-Enbija, 89-90).

Poashtu Junusin a.s. duaja shpëtoi prej një vështirësie të rëndë dhe vdekjeje të sigurt… kur u fundos në det dhe e gëlltiti peshku. Dikush mund të mendojë se është e paparamendueshme që të shpëtosh nga barku i peshkut dhe thellësia e detit, por, me ndihmën e All-llahut edhe kjo ndodh. Junusi a.s. iu drejtua Zotit xh.sh. me lutje e Ai e Shpëtoi nga gjendja në të cilën ndodhej. Për këtë më së miri na rrëfen Kur’ani a.sh.:

“Edhe Dhen Nunin, kur shkoi i zemëruar dhe mendoi se atij nuk kemi çka t’i bëjmë – po pastaj në errësirë klithi (nga frika): nuk ka Zot përveç Teje, Ti qofsh lavdëruar! Unë me të vërtetë jam zullumqar. Ju përgjigjë dhe shpëtuam nga ajo që e shtrëngonte. Kështu ne i shpëtojmë besimtarët” (en-Enbija, 87, 88)

Muhammedi a.s. për këtë rast thotë:

“Lutja e Dhen – Nunit (Junusit) të cilën e bëri në barkun e peshkut është: “Nuk ka Zot tjetër përveç Teje, Ti qofsh i lavdëruar. Unë me të vërtetë jam zullumqar. Çdo besimtar që i drejtohet all-llahut me këtë lutje, lutja i pranohet”.

Selefus-salih (gjenerata e parë e muslimanëve) janë munduar që të shpjegojnë se si pranohet lutja. Ibni Ataullah thotë:

“Duaja i ka shtyllat, degët kohën dhe shkaqet e saj. Nëse e qëllon shtyllën forcohesh, e nëse i qëllon degët lartësohesh, e nëse i qëllon kohën  dhe shkaqet shpëton. Shtylla e saj është që të bëhet me gjithë zemër dhe duke shpresuar në bekimin e All-llahut. Degët (krahët) e saj janë sinqeriteti dhe ushqimi hallall, kurse koha është kur njeriu është i vetmuar dhe i qetë shpirtërisht, shkaqet e pranimit janë salavatet mbi Muhammedin a.s.

Këto ishin disa fjalë rreth duasë dhe rolit të saj për mbrojtje dhe shërim. Si dhe për ndikimin e saj tek i sëmuri psikikisht dhe fizikisht. Pse jo, meqë e shohim në praktikë se vizita e cila bëhet të sëmurit nga ndonjë dashamirë i sinqertë, fjalët e tij e inkurajojnë dhe pozitivisht ndikojnë në shërimin e të sëmurit, atëherë është më  e sigurt se fjalët e Zotit ndikojnë më mirë. Pa dyshim se fjalët e All-llahut të cilin edhe pse nuk e shohim, Ai na sheh, janë të vërteta. Fjala e Tij është edhe Kur’ani Kerimi i cili është shërues, mbrojtës dhe ilaç.

    [i] Bëhet fjalë për urdhërin drejtuar Pejgamberit a.s. që të konsultohet me as’habët e vet, universaliteti i fjalëve kur’anore na jep të kuptojmë të konsultuarit, këshillimin në përgjithësi për kohët, vendet dhe rastet e ndryshme.

Nëse shtypni reklamat më poshtë mundësoni funksionimin e portalit tonë. Ju falemnderit.