Kur’ani – Mbrojtës dhe shërues, kapitulli i tretë

Kur’ani – Mbrojtës dhe shërues, kapitulli i tretë

Libri i shenjtë islam me emrin “Kurani i Kosovës” (VIDEO)
Kur’ani – Mbrojtës dhe shërues
Kur’ani – Mbrojtës dhe shërues, kapitulli i dytë
Drita e Zbulimit

KAPITULLI I TRETË

                        KUR’ANI MBROJTËS DHE SHËRUES

            All-llahu xh.sh. vetë Ai e ka krijuar njeriun. Në këtë aspak nuk dyshohet. Ajetet të cilat flasin për këtë janë të shumta. Çdo qelizë tek njeriu argumenton për fuqinë e All-llahut xh.sh., argumenton për urtinë dhe mjeshtrinë e Tij.

Fuqia e Zotit shihet në fizionominë dhe pamjen fizike të njeriut, në funksionimin e gjymtyrëve eshtrave dhe rolin që ato luajnë, flokëve me forma dhe ngjyrë të ndrysme, mishin, yndyrërat, gjakun dhe funksionin e tyre etj. Dihet se cilësitë gjenetike të cilat njeriu i trashëgon prej prindërve dhe paraardhësve dallojnë prej njeriut në njeri. Vetëm në trupin e një njeriu ka biliona qeliza, e sa biliona qeliza kanë gjithë njerëzit prej Ademit a.s. e deri më sot?

Krijesat shumohen, njerëzit linden… argumentet në çdo moment shtohen. i shembull morëm qelizat që janë vetëm një argument, të cilat janë të panumërta. I Lartmadhëruar qoftë All-llahu i cili na krijoi.

“Lartëso emrin e Zotit tënd, të Lartmadhërishëm. I cili krijon dhe nivelizon çdo send” (A’la, 1,2)

Të vërtetat për gjithëfuqishmërinë e All-llahut, përshkruhen në Kur’anin famëlart, i cili është fjalë e Tij. Argumentet për këtë nuk kanë të numëruar. Çdo njeri gjatë leximit të një fjale apo ajeti shijon kënaqësinë e muxhizes kur’anore.

Thellimi gjatë të lexuarit të Kur’anit na udhëzon dhe na bind se ai është shpallur si shërim dhe mëshirë (rahmet) për njeriun.

Përpjekjet për të zbuluar aspektet e ndryshme të mrekullisë së tij janë të kahershme. Se Kur’ani është ilaç dhe shërim,shëron shpirtin e njeriut, dhe se është shpëtim në botën e ardhshme, flasin ajetet (versetet) e shumta.

 

BESIMI NË ALL-LLAHUN XHEL-LE SHANUHU

 

Porosia kryesore e Kur’anit adhimush-shan është besimi në All-llahun. Edhe Muhammedi a.s. besimin në All-llahun e ka numëruar si kusht t parë të besimit.

Fjala besim – iman, në Kur’an është përsëritur 811 herë. All-llahu xh.sh. besimtarëve në shumë vende u drejtohet me thirrjen:

“O besimtarë, besoni All-llahun dhe Të dërguarin e Tij (en-Nisa, 136). Muslimani dëshmon se nuk Zot tjetër pos All-llahut. Kjo është forma më e thellë dhe më e lartë e shprehjes së besimit: Imani – besimi shtohet përmes argumenteve bindëse ku shfaqet fuqia e pakufishme e Të Lartmadhëruarit… p.sh. në precizitetin e funksionimit të krijesave. Deri te besimi i vërtetë mund të arrijë vetëm njeriu i cili logjikon, i dijshëm dhe i mençur. për këtë All-llahu xh.sh. në Kur’anin famëlart thotë:

“All-llahu ka dëshmuar se nuk ka Zot tjetër përveç Tij, edhe engjëjt dhe të diturit me veprim të drejtë. Nuk ka zot tjetër përveç Atij, të fortit dhe të urtit” (Ali Imran, 17) Thirrja për besim të cilën e bën Kur’ani a.sh. ia bën njeriut pandërprerë, dhe ka qëllimin e vet. Përmes besimit All-llahu xh.sh. e ngrenë njeriun në piedestalin më të lartë në krahasim me krijesat tjera (dhe pikërisht për këtë ai do të jetë përgjegjës para All-llahut xh.sh.)

All-llahu xh.sh. nuk ka nevojë për besimin e njeriut. Të Tij janë qiejt dhe toka dhe çka ndërmjet tyre, e pranojnë këtë njerëzit ose jo. Atij me dëgjueshmëri i përulet çdo gjë në këtë botë. Ai është Krijuesi i vetëm i gjithë njerëzimit. Në dorë të Tij është jeta dhe vdekja e çdo njeriu, e pranojnë këtë ose jo, i besojnë kësaj të vërtete ose e mohojnë. Besimi e njerëzve nuk shton gjë tek All-llahu. Besimi i njerëzve nuk i sjell Krijuesit as dëm e as mungesë. Pra, besimi është i patjetërsueshëm dhe i domosdoshëm për vet, njeriun, për mirëqenien e tij, krijesa ka nevojë për besimin në Krijuesin.

Dijetarët dhe hulumtuesit e mbarë botës (të feve të ndryshme) janë dakorduar se besimi në Zot është i vetmi faktor i pazëvendësueshëm për mbrojtjen e njeriut nga “sëmundja” e pesimizmit, nga humbja e shpresës, vetëbesimit dhe të ndierit e vetes të vetmuar, i izoluar, monotonia, depresioni etj. Besimi pra, qenka ilaçi më efektiv dhe receta ndikuese nga psikologët e çdo kohe dhe vendi. Besimi është ilaçi për sëmundjet e ndryshme psikike-shpirtërore, t cilat fillojnë me humbjen e shpresës, vazhdojnë me pikëllimin dhe si rezultat final arrihet deri të çmenduria, paraliza e ndoshta edhe vetëvrasja.

Njerëzit më parë kanë menduar se sëmundjet psikike nuk kanë lidhje dhe ndikim me ato fizike. Por shkencëtarët bashkëkohorë vërtetuan se ekziston, bile lidhshmëri e madhe. Në shumë raste sëmundjet psikike janë shkaktarë dhe faktorë të rëndësishëm për paraqitjen e sëmundjeve fizike.

Mjeku francez Alex Carel i cili është fitues i çmimit Nobl për mjekësi dhe kirurgji, në librin e tij “Njeriu – krijesë enigmë” në mes të tjerash thotë:

“Me siguri brenga, shqetësimi etj. tek njeriu shkaktojnë sëmundje serioze dhe më të madhe e dëmtojnë shëndetin. Njerëzit të cilët nuk dinë të mbrojnë veten nga brengat dhe zemërimet, vdesin në moshën rinore. Mjekët më parë kanë qenë të mendimit se brengat e tepërta ia hapin rrugët kancerit. Ata njerëz të cilët besojnë, shumë shpejt e ndjejnë ëmbëlsinë e besimit siç e ndiejnë nxehtësinë  e diellit dhe afërsinë e shokut të ngushtë”.

Është arritur konsensus se brenga dhe shqetësimi shpirtëror shkaktojnë çrregullime në punën e zemrës, shkaktojnë pagjumësi, dhembjen e kokës dhe disa lloje të paralizës.

Dill Karning autor i shumë teksteve psikologjike, ka ofruar rezultatet e studimeve të tij, dhe thotë:

“Psikiatrët janë të bindur se besimi i plotë dhe përqëndrimi në fe mjaftojnë për ta shkatërruar pesimizmin dhe shqetësimin shpirtëror”.

Ndër hulumtimet të cilat janë bërë kohëve të fundit në lidhje me shqetësimin shpirtëror dhe ndikimin në çrregullimin e shëndetit (konkretisht pas vitit 1982), është ai të cilin e barë dr. Fernand Raley, shkencëtar i shoqatës NORTH WEST PACIFIC, për sëmundjet e kancerit në një qytet të Amerikës. Dr. Raley rezultatet e tij t arritura në këtë lëmë, në mes tjerash i shprehu edhe në një simpozium gjithëamerikan për sëmundjen e kancerit. Ai së bashku me një ekip ekspertësh erdhi deri te kjo konkluzë:

“Brenga dhe presioni psikik jo vetëm që shkaktojnë sëmundjen e kancerit, por, ndihmojnë në përhapjen e sëmundjeve në të gjitha pjesët e trupit, prandaj pengimi me kohë i shqetësimeve shpirtërore dhe brengave është një nga mënyrat për pengimin e kancerit”.

Një grup tjetër i shkencëtarëve dhe mjekëve amerikanë kanë bërë studime të ngjashme të cilat kanë zgjatur 5 vjet dhe më në fund Bol Ridsick nga Nju Jorku dhe prof. Bernard Segal i kanë shpallur rezultatet, ku mes të tjerash thuhet se shqetësimi shpirtëror dhe brenga shkaktojnë kancerin. Me anë të largimit të shqetësimeve dhe brengës kanë arritur sukses në luftën kundër kësaj sëmundjeje. Prof. Hollmson, një dijetarë i shquar, thotë: Besimi i thellë është faktori kryesor për shërimin e kancerit”.

Rezultatet e besimit All-llahun xh.sh.  dhe qëllimet e tij veç më janë rezultate shkencore, meqë është vërtetuar ndikimi i tij i shpejtë dhe i drejtpërdrejtë në lidhje me njeriun, trupin e tij, në jetën shpirtërore dhe jetën e kësaj bote në përgjithësi. Prej besimit, kuptohet se dobitë më të mira janë ato të ahiretit.

Studimet shkencore vetëm e vërtetojnë atë që Kur’ani e ka thënë shumë më herët, se me iman – besim qetësohen zemrat. Në lidhje më këtë I Lartmadhëruari në Kur’an thotë:

“Ata të cilët besojnë dhe zemrat e të cilëve me përmendjen e All-llahut qetësohen – kur përmendet All-llahu u qetësohen zemrat, apo jo?” (er-Rra’d, 28)

Mendja e njeriut nuk mund të përfshijë thellësinë dhe domethënien e besimit në All-llahun, që përmendet në Kur’an. Mendja e njeriut nuk mund të paramendojë të gjitha ato të mira të cilat i potencon I Lartmadhëruari përmes Kur’anit. Vetëm ai që ka besim të plotë dhe të shëndoshë mund t’i shijojë të gjitha këto vlera t besimit.

Besimi islam është i rëndomtë, nuk është i komplikuar, në të nuk ka kundërti. Ky besim më së miri shprehet përmes sures Ihlas:

“Thuaj: Ai është All-llahu. Një i vetmi. All-llahu është mbrojtës i gjithkujt. Nuk ka lindur as nuk është i lindur. Dhe asgjë Atij nuk i përngjet”. Pra All-llahu është Një i pashoq, gjë të cilën e pranon logjika e shëndoshë. Ai është krijues i çdo gjëje dhe të gjithë të tjerat janë krijesa të Tij. Ai është Zot i çdo gjëje dhe te Ai kthehet çdo gjë.

Imperativi “Kul” (thuaj) na obligon neve, besimtarëve që tjerëve t’u predikojmë dhe t’i thirrim të besojnë All-llahun xh.sh. Pra, çdo person i cili beson All-llahun, është i obliguar që këtë t’ua përcjellë të tjerëve. Është e domosdoshme që njeriu, të besojë me zemër dhe ndërgjegje të pastër, por të mos kufizohet në vetveten. Besimi duhet të shprehet edhe me zë që të jetë besimtar edhe intuicionin e vet edhe jasht. Imani duhet të jetë i pranishëm në çdo pjesë të trupit të njeriut. Njeriu kur bën ndonjë punë të mirë është i disponuar, kurse kur bën ndonjë punë të keqe dëshprohet. Besimtari nuk lejon që të bëhet pesimist, nëse dëshiron në ndonjë plan t vetin. Besimi në All-llahun e shtyn atë që mos t’i humbë shpresat, por të tentojë ta realizojë atë që e ka planifikuar. Kur besimtari sëmuret, besimi i ndihmon, i jep fuqi dhe lajm të gëzueshëm për shërim të shpejtë. Besimi më i thellë, më i pastër, më i sinqertë është besimi në të cilin thërret Kur’ani a.sh. besimi në Të Gjithëfuqishmin, të Pasurin, besimi në të Gjithëmëshirshmin i cili mbisundon me gjithçka.

All-llahu është mbikëqyrës i njeriut në çdo vend dhe në çdo hap. Ai është më i afërt te njeriu sesa damari i qafës, siç thuhet në suren Kaf, ajeti i 16-të:

“Ne e krijuam njeriun dhe e dimë se çka dëshiron shpirti i tij, sepse Ne jemi te ai më të afërt se damari i qafës”.

Besimi në All-llahun është faktori më i rëndësishëm për qetësimin e shpirtit, e qetësia shpirtërore është shenjë e besimit.

“Ai i cili u lëshon qetësi zemrave të besimtarëve, për t’ua forcuar besimin me vetëbesim” (Fet’h, 4)

Qetësia shpirtërore, siç vërteton pra mjekësia bashkëkohore, është mbrojtje dhe shërim për shumë sëmundje. Për këtë Kur’ani ka paralajmëruar qysh herët. Shembull konkret e kemi ngjarjen e Jakubit a.s. kur e humbi aftësinë e të pamurit pasi që e kaploi pikëllimi (kur e “humbi” të birin – Jusufin a.s.) Ky rast përmendet edhe në Kur’anin adhimush-shan:

“U kthye prej atyre dhe tha: O i mjeri unë për Jusufin! – dhe sytë iu patën zbardhër nga pikëllimi, ka qenë shumë i pikëlluar” (Jusuf, 84) Jusufi a.s. meqë ishte i mësuar nga All-llahu se qetësia shpirtërore, ndikon në shëndetin e njeriut, i porositi vëllezërit e vet që këmishën e tij t’ia shpiejnë babait të vet dhe me atë t’i fshijë sytë. Kur babai i tij fshiu sytë ndjeu erën e Jusufit, u qetësua,iu kthye të pamurit, dhe u shërua.

Jusufi a.s. u tha vëllezërve të vet:

“Çojeni këtë këmishë timen dhe venia babës tim në fytyrë, atij do t’i vijnë sytë (do t’i kthehet të pamurit)” (Jusuf, 93) Kur ia çuan këmishën…, Por kur arriti përgëzuesi (sihariqdhënësi) ia vuri atë (këmishën) në fytyrën e tij dhe ai filloi të shohë” (Jusuf, 96). Qetësia shpirtërore shëroi një sëmundje të rëndë siç është verbëria e cila ishte pasojë e brengës dhe shqetësimit shpirtëror. Njeriu me besim të thellë ndjenë kënaqësinë dhe ndikimin e besimit kur si besimtar thellohet në mendime. Në atë moment e ndjenë kënaqësinë e imanit dhe në çdo rast gjenë mbështetje te All-llahu xh.sh.

 

NAMAZI

 

Kur’ani kerimi i ka obliguar muslimanët me namaze në kohë të caktuara.

“Të falurit është caktuar për besimtarët në kohë të caktuar” (en-Nisa, 103). Sa u përket kohëve, Kur’ani ato i ka caktuar me këtë ajet:

“Kryej namazet kur dielli niset nga gjysma e qiellit e deri në terrin e natës, edhe lutjen e agimit, me të vërtetë Kur’anin në sabah shumica dëshmojnë” (el-Isra, 78). Pra kohët e namazit janë dreka, iqindija, akshami, jacia dhe sabahu. Kur’ani namazin e ka bërë farz, Muhammedi a.s. e ka quajtur shtyllë të fesë Islame. Muslimanët duhet t’i kushtojnë kujdes të posaçëm faljes së namazit. ata janë të obliguar që të studiojnë dhe zbulojnë dobitë dhe qëllimet e faljes. Nuk dyshohet se All-llahu fuqiplotë nuk ka nevojë për askend dhe për asgjë. All-llahu nuk ka nevojë për namazin e njerëzve por njerëzit kanë nevojë për namaz. All-llahu xh.sh. i ka urdhëruar njerëzit të falin namaz që ai të jetë mbrojtës dhe “shërim” për ta. Aq më tepër namazi është bërë temë studimi. Kur’ani e ka kapërcuer zbulimet mjekësore kur i ka shpërblyer falësit e namazit me shpëtim e kënaqësi të kësaj bote dhe botës së ardhshme. shkenca i ka studiuar kohët e namazit dhe ka përfunduar se janë të përshtatshme dhe namazi është i dobishëm për njeriun në aspektin psikik, fizik etj.

Sabahu i cili falet para lindjes së diellit, është koha më e përshtatshme në aspektin shëndetësor për zgjim nga gjumi. Dijetarët kanë rënë në dakord në fjalët ku thuhet: “Flej herët, zgjohu herët”. Në kohën e drekës dhe të iqindisë kur njeriu është angazhuar me punë të shumta, shkenca bashkëkohore porosit që njeriu ta ndërprejë një herë ose dy herë punën që të relaksohet. Ky pushim do ta mbrojë dhe ruajë nga lodhja (e tepërt).

Sa i përket gjumit, mjekësia porosit që atë nuk duhet filluar me angazhime, i hidhëruar, i brengosur etj. Po ashtu edhe gjatë gjumit njeriu duhet të jetë krejtësisht i liruar nga problemet e ditës. Namazi i jacisë padyshim është mënyra më efikase për ta qetësuar njeriun. Fillon në një gjendje të rehatshme. Gjatë gjumit marrim qetësim psikik dhe trupor.

Është konstatuar se me namaz realizohet fiskultura e domosdoshme të cilën njeriu duhet ta bëjë. Shkenca ka caktuar se ushtrimet e hershme sportive janë më të dobishme. Koha më e përshtatshme për këtë është koha para lindjes së diellit, ngase ajri është më i pastër dhe më i mirë, kështu që i konvenon trupit të njeriut. Kur’ani a.sh.këto kohë i ka caktuar dhe ka obliguar që t’u përmbahemi atyre me ç’rast njëkohësisht bëhet edhe stërvitje fizike. Stërvitje më të dobishme janë ato që bëhen gjatë namazit. Këto nuk janë blic-stërvitje e as të mërzitshme, nuk janë aq të lehta, shkel e shko, e as të rënda, por janë të stërvitje me të cilat arrihet qëllimi dhe suksesi i duhur për shëndetin e njeriut. P.sh. rukuja gjatë pesë kohëve të namazeve farze bëhet lëvizje e boshtit kurrizor, aktivizohet lukthi. Po ashtu sexhdeja e cila përsëritet dyfish (34 herë), e aktivizon qarkullimin e gjakut në mushkëri dhe në kokë, po ashtu i aktivizon arteriet, i përforcon ato gjatë rënies në sexhde kur me fytyrë qëndrohet për toke, me duart e gjunjtë dhe me majat e gishtërinjve. Qëndrimi në teshhud dhe ngritja e cila përsëritet disa herë gjatë namazeve, e aktivizon lukthin. Bie me dhënien e selamit në të djathtë pastaj në majtë, qafa lëviz në të djathtë dhe në të majtë, që do të thotë se gjatë namazit nuk mbetet asnjë pjesë e trupit pa mos e lëvizur. Namazi siç është mbrojtje dhe shërues i shumë sëmundjeve psikike, ai është mbrojtje dhe shërues edhe i shumë sëmundjeve fizike. Ai  rregullon tensionin e gjakut, e stabilizon rrahjen e zemrës etj. Mjeku francez Alex Carel në librin e tij “Njeriu enigmë”, në tekstin me titull “Namazi ilaç i mrekullueshëm”, thotë: “Disa aktiviteteve psikike u bashkangjiten disa ndryshime fiziologjike. Namazin nuk duhet kuptuar si përshpëritje ose përsëritje e disa pasuseve, por ai është një përjetim shpirtëror i cili shijohet me ndjenja, meditim i cili të lidh me Krijuesin e botës. Kjo gjendje shpirtërore nuk mund të arrihet përmes logjikës, po ashtu nuk është e kuptueshme për filozofët dhe disa shkencëtarë të pashpirtë. Kur njeriu ia dorëzon veten Zotit, ai njëkohësisht shpreson në begatitë e Tij, shpreson në realizimin e planeve me ndihmën e Tij, shpreson në shërim, e rast për t’u shëruar e ka namazin. Në këtë rast tek njeriu bëhet një lloj përtërirjeje, përmes namazit arrihet një shërim i mrekullueshëm”. Pra namazi, ky është shërim i mrekullueshëm, është obligimi me të cilin na ka obliguar Kur’ani. Dhe në çdo ajet në të cilin përmendet namazi dhe imperativi për të, nuk ka për qëllim vetëm kryerjen formale të tij, por inicon faljen  me kujdes dhe përkushtim. Pejgamberit a.s. i ka zbritur nga All-llahu xh.sh. edhe ky ajet:

“Dhe kryej faljen në të dy skajet e ditës, edhe në orët e para të natës” (Hud, 114) me t cilin tregohet koha kur duhet bërë faljen.

Ajetet e ndershme për besimtarët tonë: “Dhe kryeni faljen dhe jepni zeqatin” (el-Bekare, 110). “Thuaju robërve të Mi që kanë besuar, le të kryejnë namazin” (Ibrahim, 31). “Të cilët kryejnë namazin dhe japin zeqatin…” (Llukman, 4).

Meqë fjala salat gjegjësisht versioni arab për namazin ka edhe domethënien Siletun (lidhje), me këtë Kur’ani Kerimi na urdhëron ta forcojmë lidhjen tonë me All-llahun, kontaktin tonë të drejtpërdrejtë me Të Gjithëfuqishmin; Pra abdesti nuk është asgjë përpos përgatitje për këtë lidhje, kurse tekbiri fillestar nuk është asgjë tjetër pos se një leje për qëndrimin e njeriut para All-llahut. Kur ai e lexon Kur’anin, i lutet me lutjet më të mira, përshëndet me përshëndetjet në t bukura dhe në fund kërkon leje që të mbarojë bisedën me Të duke dhënë selam. Edhe pse njeriu në të vërtetë gjithmonë është në lidhshmëri me All-llahun xhel-le shanuhu, All-llahu nga mëshira e Tij e pakufishme i ka përcaktuar njeriut kohë të posaçme  në të cilat do t’i lutet Atij.

Kjo që u përmend deri më tani ka t bëjë me namazin si ruajtës i shëndetit, por namazi gjithashtu ndikon edhe në qetësimin dhe stabilizimin shpirtëror. Namazi i ndihmon njeriut që mos ta ndjejë veten të vetmuar.

Gjatë namazit njeriu e ndjen veten se është duke biseduar me All-llahun dhe kërkon ndihmë prej Tij.

Para se të fillojë namazi, patjetër duhet bërë përpjekje siç janë pastrimi i vendit, trupit (gusli ose abdesti), siç thotë ajeti që vijon:

“O besimtarë! Kur niseni të kryeni faljen (namazin) lani fytyrat tua edhe duart me gjithë bërryla, kurse kokën tuaj fërkone (mes’h), edhe këmbët tuaja deri në zog të këmbës. Dhe nëse jeni të papastër (xhunub) atëherë pastrohuni!” (el-Maide, 6). Me këtë ajet All-llahu e obligon muslimanin që para çdo namazi të marrë abdest. Abdesti njeriun e mbronë nga shumë sëmundje siç janë ato të lëkurës, po ashtu nga larja e gojës, hundës, syve, veshëve ka dobi të shumta. Pastrimi i lëkurës pengon afrimin e insekteve të cilat bartin mikrobe që e dëmtojnë trupin. Disa studime shkencore kanë vërtetuar se larja e  këtyre pjesëve të trupit gjatë ditës e aktivizon qarkullimin e gjakut, përsëritja e larjes së këtyre pjesëve ndikon +në stabilizimin e qarkullimit të gjakut. Kjo konsiderohet si mënyrë për stabilizimin e tensionit të gjakut.

Pra, namazi dhe abdesti janë nga faktorët e dobishëm dhe ilaç për njeriun.

 

ZEQATI

Muslimanët janë të obliguar me Kur’an që të ndajnë pjesë të caktuar nga pasuria e tyre (nëse plotësohen kushtet). Ky imperativ përsëritet në shumë ajete të Kur’anit:

“Kryene faljen (namazin), jepni zeqatin dhe respektonie të dërguarin” (Nur, 6). Kur’ani  cek se të obliguarit me zeqat është në favor (dobi) të shoqërisë dhe atë konsideron dhënie hua Zotit. “… faljen kryeni dhe lëmoshë jepni, dhe All-llahu t me gjithë zemër jepni hua! Ndërsa, të mirat që tek All-llahu i siguroni për vete qysh më arë, do t’i gjeni edhe më të mëdha tek All-llahu (el-Muzemmil,20).

All-llahu xh.sh. e ka obliguar Të dërguarin që të marrë zeqatin prej njerëzve, të pasur, që ta shpenzojë aty ku ka nevojë sepse ai është lider dhe i kishte kompetencat. Ai ka vërtetuar se zeqati është pastrim i pasurisë së besimtarit. Për këtë na dëshmon ajeti i Kur’anit ku thotë:

“Merre zeqatin nga pasuria e tyre që t’i pastrosh me të dhe t’i bësh të bekuar” (et-Tevbe, 103).

Kur përmendëm “pastërtia, pastrimi” ka për qëllim edhe pastrimin e shpirtit nga koprracia, egoizmi, mendjemadhësia etj. Kurse fjala “tezkijeh” nënkupton bereqet, bollëkun, shtimin, pasurinë…

Zeqati jepet për çdo vit për pasurinë e cila kalon nisabin (sasinë e caktuar). Zeqati i bereqeteve jepet në kohën e grumbullimit  si p.sh. në korrje e shirjet, në vjeljen… Pra zeqati përfshinë të gjitha llojet e pasurisë. Më gjerësisht rreth zeqatit mund të njiheni në literaturën e fikhut (e drejta Islame).

 

AGJËRIMI

 

Agjërimi është njëra nga shtyllat kryesore të Islamit. Agjërohet një muaj të plotë pandërprerë duke abstenuar prej ushqimit, pijes marrëdhënieve intime dhe çfarëdo kënaqësie duke filluar prej mëngjesit deri në mbrëmje. Për çdo ibadet me të cilën na urdhëron Kur’ani, në të ka dobi. i njëjtë është edhe rasti edhe me agjërimin, siç thotë Kur’ani:

“Por të agjëroni është më mirë ta dini” (Bekare, 184)

Është e tepërt të përmenden faktet që shkenca i ka vërtetuar për atë se agjërimi është mbrojtje dhe shërim për shumë sëmundje të cilat na kanosen në këtë kohë dinamike siç ka qenë dhe do të jetë edhe për çdo kohë. Në këto rezultate kanë arritur dijetarët të shquar bile edhe nga radha e jomuslimanëve. P.sh. mjeku Alexis Karel thotë: “Agjërimi synon që përmes urisë të arrihet deri te shëndeti. Se agjërimin ta bëjë obligim feja, e bënë obligim kushtet – varfëria; Konsumimi i ushqimeve pa masë e asgjëson (pengon) kujdesin e njerëzve për njëri-tjetrin”…

Amerikani prof. Benedikt thotë: “Gabon ai që mendon se njeriu nuk ushqehet kur abstenon nga të ngrënurit. Përkundrazi, trupi vazhdon të ushqehet edhe gjatë agjërimit. trupi më së pari tretë materiet e dëmshme që gjinden në brendësinë e tij d.m.th. trupi ushqehet nga vetvetja e han veten. Poashtu gjatë agjërimit trupi i njeriut ushqehet me yndyra të cilat janë të dëmshme dhe tepricë rreth zemrës dhe në pjesët tjera të trupit. Por më e çuditshme është se trupi kur ushqehet vetvetiu, predestinimi hyjnor cakton që gjatë agjërimit, ndërprerjes së ushqimit të ushqehet me ato materie të cilat nëse mbeten në trupin e njeriut janë më të dëmshme dhe trupi për to nuk ka nevojë”.

Ja pra se ç’na tha mjeku amerikan për agjërimin islam. Sipas tij agjërimi i muslimanëve është shërim prej shumë sëmundjeve.

Dr. B. Sherenbur pohon se agjërimi i një muajit në vit është bazë për gjallëri, vitalitet dhe rini të përhershme”.

Dr. Robert Barnollo thotë: “S’ka dyshim se agjërimi është ndër mënyrat më me ndikim për zhdukjen e disa mikrobeve që dëmtojnë qelizat dhe përtrirjen e tyre”. sipas përfundimeve të disa konziliumeve mjekësore të universiteteve amerikane, agjërimi është mbrojtje dhe shërim nga sëmundjet e sheqerit.

Për dobitë nga agjërimi flasin edhe armiqtë e përbetuar të Islamit, të cilët vazhdimisht e kanë luftuar dhe luftojnë këtë fe, siç është Rusia. Revista “Ushqimet” e cila botohet në Moskë, në numrin e janarit të v. 1967 mes tjerash shkruan edhe si vijon:

“Më në fund meriton të ceket libri i profesor Nikollajevit “Uria për të arritur deri te shëndeti” i cili thotë se nëse qytetarët e qyteteve të mëdha duan që të jenë të shëndoshë, duhet që të jenë të uritur të abstenojnë nga ushqimi në një periudhë tri-katërjavore, që kjo  të përfshijë çdo kohë të vitit me qëllim që ta mbrojë trupin nga materiet helmuese – dëmtuese. Këtë rol s’do mend se më së miri e luan agjërimi të cilët e praktikojnë muslimanët. Agjërimi , sipas konstatimeve të shkencëtarëve të ndryshëm, e mbronë njeriun nga sëmundje e shumta e në mes tjerash edhe nga sëmundjet e lëkurës dhe të syve.

Nuk duhet harruar ndikimin e agjërimit në psikikë e njeriut. Agjërimi e bën njeriun të durueshëm e durimi është mbrojtja nga sëmundjet psikike të cilat i shkaktojnë brengat dhe shqetësimet. Agjërimi e bën njeriun që të ndjejë afërsinë e All-llahut.

Për agjërimin dijetarët e Lindjes dhe të Perëndimit të religjioneve dhe ideologjive të ndryshme janë dakorduar se ai është mbrojtje prej shumë sëmundjeve. Me një fjalë është shumë i dobishëm për njeriun, e në këtë e dimë duke u bazuar na ajetin:

“Por të agjëroni është më mirë, ta dini” el-Bekare, 184)

 

 

HAXHI

 

All-llahu xh.sh. në lidhje e haxhin në Kur’anin famëlartë thotë:

“Dhe shpallju (njerëzve) haxhin! – do të vijnë me këmbët dhe me deve të rraskapitura, do të vijnë nga largësit të thella, që të kenë dobi dhe që në ditë të caktuara do të përmendin emrin e All-llahut për atë që i ka furnizuar me kafshë (për kurban). Hani prej tyre dhe ushqeni të varfërit e mjerë”. (el-Haxh-xh, 28)

Ky imperativ i Kur’anit është ibadet dhe ka për qëllim të mirën e individit, kjo është kësisoj sepse kur njeriu merr rrugën e haxhxhit e eliminon përtacinë, koprracinë, disponohet. Me anë të haxhxhit njeriu bën një ndryshim në jetën e përditshme, këtë gjë bilë e rekomandojnë edhe dijetarët. Nuk ndodh ndonjë udhëtim tjetër që e realizon këtë qëllim. Haxhxhi zgjon në ndërgjegjen e njeriut ndjenjën se ai i takon një shoqërisë më të gjerë. Ai teoritikisht dhe praktikisht merr pjesë në një kongres gjithislam i cili e mbronë nga ndjenjat se ai është i vetmuar. Aktivitet të cilat i bën gjatë haxhxhit janë të dobishme për trupin e njeriut. Veshja e ihramëve, pastrimit të trupit, prerja e thonjve, shkurtimi i mustaqeve, rruarja e kokës etj., të gjitha këto pjesë përbërëse të haxhxhit kanë qëllimin e vet. Gjithashtu veshja e ihramëve të bardhë tregon pastërtinë trupore dhe shpirtërore.

Tavafi konsiderohej një ndër lutjet të cilat robi ia bën All-llahut xh.sh. Remji-gjuajtja e gurëve është një akt simbolik i cili simbolizon largimin prej mëkateve dhe luftë ndaj forcave të errëta, shejtanit të cilin e gjuan me gurë duke iu kërcënuar se nuk i përgjigjet thirrjes së tij në asnjë vepër.

Nuk duhet harruar edhe pirjen e ujit të zem-zemit i cili i shëron shumë sëmundje. Për ujin e zem-zemit Muhammedi a.s. thotë: “Për njeriun pirja nga uji zem-zemit është e dobishme”

Ndoshta ne vetëm pak kemi cekur prej dobive të shumta të haxhxhit.

 

USHQIMI MBROJTJE DHE SHËRIM

 

Çdo urdhër i All-llahut ka intencën e vet pozitive si dhe çdo ndalim ka qëllimin e vet. Njëri prej këtyre ndalimeve të All-llahut është edhe:

Ndalimi i teprimit në ngrënie dhe pirje.

Kur’ani kerimi na porositë që gjatë ngrënies dhe pijes të kemi kujdes atë mos e teprojmë. “Hani  pini por mos e teproni (el-Araf, 31) Kjo normë kur’anore është bërë parim bazë e mbrojtjes dhe e shërimit në mjekësi. Shumë mjekë të ndryshëm të rruzullit tokësor pacientëve të tyre u kanë porositur që ta pakësojnë ushqimin dhe pijën. konsumimi i tepërt i ushqimeve dhe pijeve shkakton sëmundje të ndryshme. Shtimi i peshë shkakton sëmundje të zemrës, mushkërive, lukthit, ngritjen e tensionit të gjakut etj. Pikërisht për këtë Kur’ani a.sh. për mbrojtjen e shëndetit të njeriut ndalon të tepruarit në ushqim dhe në pije.

     Të ushqyerit me ushqim të pastër

Kur’ani a.sh. besimtarët i porositë prej ushqimeve të pastra dhe të lejuara:

“O njerëz, hani nga ajo çka në tokë, q është e lejuar dhe mirë” (el-Bekare, 168)

Njeriu duhet të hajë prej llojeve të ndryshme të cilat atij i janë bërë hallall të lejuara. Urdhëri për ndalim të disa ushqimeve ka ardhur për shkak se ato janë të dëmshme për njeriun. Haram të ndaluara janë këto ushqime:

Ju ndalohet cofëtina, gjaku dhe mishi i derrit dhe ajo që është e prerë në emër të ndonjë tjetri, jo në emër të All-llahut; edhe ajo që është mbytur dhe vrarë dhe që ka ngordhur pas ndonjë rrëzimi dhe që është shqyer me brirë ose e ka hëngër ndonjë egërsirë, përveç nëse e keni therrë ju de që është flijuar për hir të idhujve (el-Maide, 3). Shkenca ka pranuar se Kur’ani ka inicuar në gjërat e dobishme dhe të dëmshme qysh para 14 shekujve. Pas zbulimit t mikroskopit janë zbuluar mikrobet dhe bakteriet, si dhe qenie të imëta të cilat gjinden në disa ushqime. Cofëtina është e dëmshme për njeriun, poashtu edhe gjaku sepse përmbajnë mikrobe të ndryshme etj. Mishi i derrit përmban parazitin – shiriti i derrit. Kjo është kafsha e vetme që përmban këtë parazit. Po ashtu është vërtetuar se yndyra e derrit ndikon në formimin e gurit në veshkë.

Ajo që s’është prerë në emër të All-llahut por në emër të dikujt tjetër, paraqet shirk. Ky mish shkakton nervozizëm dhe shpirtngushtësi te ai që konsumon, plus dënimit që do ta përjetojë në botën tjetër.

Edhe kafsha që është mbytur, vrarë, që ka ngordhur pas ndonjë rrëzimi, që është shkyer me brirë ose që ka hëngër ndonjë egërsirë, të gjitha këto konsiderohen cofëtina, përveç nëse arrihet që të therren, përndryshe janë haram që të konsumohen.

     Ndalimi i konsumimit të alkoolit

All-llahu xh.sh. me qëllim që ta ruajë shëndetin dhe mendjen e njeriut, e ka ndaluar konsumimin e alkoolit, siç dëshmon ajeti që vijon:

“O besimtarë, nuk ka dyshim se alkooli edhe loja me para, edhe idolatria, edhe shigjeta për fall janë të ndyra, nga punët e shejtanit, prandaj largohuni që të jeni të shpëtuar” (el-Maide, 90).

Pas vendimit të prerë të Kur’anit për ndalimin e alkoolit për shkak se shkakton dëme të mëdha në shëndetin psiko-fizik të njeriut, edhe shkenca solli vendim të ngjashëm. Kështu që universitetet dhe institucionet tjera shkencore të rangut të ndryshëm janë dakorduar se alkooli është “helmues” dhe vdekjeprurës. Alkooli dëmton mëlçinë, lukthin, shkakton çrregullim në rrahjen e zemrës, njeriu që konsumon alkool humb fizionominë e vet.

Në v. 1982 mjekët e Universitetit të Floridës kanë bërë t ditur se gjatë studimit laboratorik të alkoolit kanë hasur në një materie kimike e cila shkakton çrregullim në frymëmarrjen gjatë gjumit, shkakton mungesën e oksigjenit i cili është i domosdoshëm për trupin e që konsiderohet shumë më i rëndësishëm për qelizat e trurit. Këto qeliza dobësohen në qoftë se përdoret alkooli.

E gjithë bota përpiqet që ta pengojë përdorimin e alkoolit kështu që miratohen ligje me të cilat u kërcënohen konsumatorëve të kësaj pije shkatërruese. Por ata nuk e kanë arritur e as nuk kanë për ta arritur suksesin që e ka arritur Kur’ani në lidhje me ndalimin e alkoolit. Islami ka ardhur me vendim të prerë për prohicionin e tij dhe për largimin nga çdo kontakt me të siç janë prodhimi, shitblerja, punësimi në vendet ku prodhohet, transportohet, distribuohet, ulja në ato vende ku pihet, e mos të flasim për konsumimin e tij.

 

USHQIMET MBROJTËSE DHE SHËRUESE

     Përdorimi i mjaltës

Kur’ani a.sh. i përshkruan vetitë shëruese të mjaltit…

Nga brendia e tyre (bletave) dalin pije me ngjyra të ndryshme që janë bërë shërim për njerëzit (en-Nahl, 69). Mrekullinë dhe kuptimin e plotë të këtij ajeti më së miri e di vetë All-llahu xh.sh. por në kohën e fundit shkencëtarët përmes analizave kanë arritur në disa përfundime. Mjalti përmendet edhe në një ajet tjetër të Kur’anit:

Shembulli i xhennetit që u është premtuar atyre që janë të ruajtur, ku ka lumenj me ujë të pashtershëm dhe ka lumenj të ëmbël e me shije të pandryshueshme, lumenj me lëng rrushi, të shijshëm për ata që e pinë edhe lumenj me mjaltë të shtrydhur” (Muhammed, 15). Është vërtetuar se bleta prodhon katër lloje të materieve ushqyese. Shkenca thotë se në të gjitha këto materie ushqyese ka shërim për njerëzit siç na ka lajmëruar Kur’ani shumë më herët. Të gjitha institucionet mjekësore si dhe ato për studimin e ushqimeve e kanë cekur dobinë dhe specifikën e shërimit me mjaltë. Sa për ilustrim do ta cekim një mjek rus, Poprishij i cili është autor i librit me mjaltë “Shërimi me mjaltë”. Ky libër është rezultat i studimeve të gjata dhe të mundimshme nën kontrollin e Asociacionit Medicinal. Në këtë libër për çdo sëmundje është caktuar nga një kaptinë dhe pos tjerash ceket rëndësia e përdorimit të mjaltit për fëmijët dhe për të moshërriturit, pleqtë etj.

  Hurmat të freskëta

Kur’ani a.sh. për rastin e Mejremes (nënës së Isaut a.s.) thotë: “Shkunde trungun e hurmës se për ty kanë për të rrënë hurma të freskëta. Andaj haji dhe qetësohu!” (Merjem, 25). Hurmat e freskëta, ushqimi me t cilin All-llahu e furnizoi Merjemen, sipas dijetarëve janë ushqim që barazohen me mishin dhe asnjëherë nuk janë të dëmshëm. Janë nga ushqimet më të dobishme dhe përmbajnë vitamina të shumta. Në ajetin që më parë e përmendëm gjendet edhe fjala “qetësohu”. Dijetarët pohojnë se hurmat e freskëta e qetësojnë dhe disponojnë njeriun në momentet e dëshprimit.

Mejremin në çastet e lindjes, kur ishte e vetmuar dhe kishte dhimbjet e mëdha të lindjes, All-llahu, e porositi që t hajë prej hurmave dhe prej tyre të fitojë fuqinë, qetësinë, disponimin etj.

     Ushqimet tjera

Rrushi – Ndër pemët Kur’ani Kerimi rrushin e ka cekur në 11 vende. Sa për ta ilustruar këtë do ta cekim këtë ajet:

“Ne nëpër të (tokë) krijojmë kopshte panojsh (hurmash), vreshta dhe bëjmë që nga ajo të shpërthejnë burime” (Jasin, 34). Rrushi sikur edhe hurma është nga frytet më të dobishme. Ai përmban dy lloje të sheqerit – glukozën që është sheqer i rrushit dhe fruktozën që emërtohet sheqer pemë. Këto dy lloje t sheqerit janë më të nevojshme, më të dobishme dhe më të lehtë për njeriun. Këto ushqime tretën shumë lehtë prandaj preferohet që t’i konsumojnë të sëmurit.

Shega – “Aty ka pemë dhe sheqë” (Rrahman, 68). Po ashtu edhe shega përmendet në Kur’anin famëlart. Përmendet edhe në dy ajetet tjera (sureja Nisa). Shkenca vërteton se edhe shega sikur hurma dhe rrushi posedon vitamina të ndryshme, ndihmon në rrënien e temperaturës, shuan etjen etj. Ibni Bejtari thekson se lëvorja e shegës nëse digjet dhe përzihet me mjaltë dhe nëse me atë lyhet lëkura disa ditë me radhë shërohet sëmundja e fruthit. Shega pra është pemë me veti shëruese.

Ulliri – Kur’ani a.sh. si një nga ushqimet mbrojtëse dhe shëruese e cek edhe ullirin, i cili gjashtë herë përmendet në të (Kur’an). Ulliri përmbanë vitamina të shumta, kurse përparësia kryesore e tij është se prej tij prodhohet vaji, njëri prej produkteve më cilësorë i cili sipas mjekësisë, pastron mushkëritë, aktivizon qarkullimin e gjakut etj. Po ashtu ky vaj i jep lëkurës një ngjyrë shumë të bukur. Sapuni i cili përmban vaj ulliri është më cilësor.

Përveç këtyre cilësive, ulliri është edhe fryt shumë i shijshëm për ushqim.

Fiku – Edhe fiku ceket në Kur’an, bile një sure e mban emrin suretul Tin” (kaptina e fikut). Në fillim të kësaj  sureje thuhet: “Pasha fikun dhe ullirin…” (et-Tin – 1). Fiku pozitivisht ndikon në frymëmarrje, në sëmundjet e gojës, është i dobishëm për gratë shtatzënë dhe ato që janë me foshnjë të vogël. Këto janë disa nga ushqimet të cilat i ka cekur Kur’ani famëlart e të cilat janë shëruese dhe e mbrojnë njeriun.

Nëse shtypni reklamat më poshtë mundësoni funksionimin e portalit tonë. Ju falemnderit.