Maqedonia bilinguale dhe albanofobia

Maqedonia bilinguale dhe albanofobia

Kur bariu i kishte lidhjet e forta me Krijuesin Gjithesise – Allahun xh.sh…..!
Skizofrenia e një dështimi politik
Fatkeqësitë që solli kolonializmi evropian në moralin njerëzor
TREGIM | Sot më shumë se kurrë, i’a vlen të lexohet historia e nxënësit Tedi Stoddard!

 

Fadil CurriShkruan: Fadil CURRI, Shkup

Në të hyrë të Maqedonisë nga pika kufitare Han i Elezit-Bllacë kalimtarët lexojnë mbishkrime policore e doganore vetëm në maqedonisht e ato botërore, kurrsesi edhe në gjuhën shqipe. Ka arsye që edhe gjuha e fundit, pra shqipja, të jetë në komunikim publik, së paku për vendbanimet shqiptare këndej e andej kufirit ose meritën demografike në shtetin e Maqedonisë, ashtu si ndodh me modelin ndëretnik në Zvicër, Kanadë, Belgjikë e ngjashëm. Mirëpo, të gjitha gjuhët e botës mund të jenë në jetën publike për pushtetarët aktualë, vetëm gjuha shqipe të mos jetë, sepse kjo do ta lente nën hije me vjetërsinë e shumësinë historike në Ballkan ose ish-Gadfishullin Ilirik, vijimisht qenka lubi atomike që e shkatërruaka Maqedoninë. Kështu doli nga fjalët e kryetarit të Repbublikës së Maqedonisë, Boris Ivanov, i cili nuk ia besoi mandatin për krijimin e Qeverisë së RM partisë Lidhja Socialdemokratike e Maqedonisë e Zoran Zaevit në bashkëqeverisje me partitë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Hametit, Lëvizja “Besa” e Bilall Kasamit dhe Lëvija për Reforma-Partia Demokratike Shqiptare e Zejadin Selës. Përcaktimi dhe deklarimi i Boris Ivanovit nuk është ndonjë befasi dhe retorikë e re, sepse ky, si kukull e partisë VMRO-DPMNE (në shqip: Oganizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase-Partia Demokratike e Unitetit Kombëtar Maqedonas me traditë nga fillimi i shekullit XX), vetëm i tumiri aspiratat e protestuesve populistë maqedonas të ditëve të fundit kundër gjuhës shqipe e shqiptarëve përgjithësisht në Maqedoni, duke kërkuar edhe vrasje e dhoma gazi për ta të tipit holokaust, se gjoja zyrtarizimi i gjuhës shqipe këtu po e shkatërruaka sovranitetin, se kjo qenka fryt platfome nga një shtet tjetër, duke aluduar në Shqipërinë e Kosovën, ndonëse e di fort mirë se platforma e partive shqiptare është artikulim i interesave meritore të shqiptarëve dhe zbatim i stërvonuar i Marrëveshjes së Ohrit.

Fjalët pompoze të Kryetarit të RM-së, Boris Ivanov, me albanofobi të skajshme edhe një herë na bind se demoracia në këtë vend është e paformësuar sipas qytetarisë, por një platformë e strategji e njëanshme, e brishtë në thelb dhe me pavërtetësi shkencore. Boris Ivanovi me fjalimin e tij u kujtoi shqiptarëve praktikën shumë persekutuese, kur kjo republikë ish-jugosllave ishte laborator eksperimtentues serb për matjen e durimit shqiptar, kur kërkohej që Shkupit t’i thuhej e shkruhej Skopje, Kërçovës Kiçevo, Dibrës Debar, në Kosovë Ferizajt Uroshevac, Hanit të Elezit Gjeneral Jankoviq edhe në librat e mediat shqipe në Maqedoni, të rrënoheshin shtëpitë e lagjes së Dizhonit në qendër të Shkupit, që shqiptarët të mos kenë shkolla të mesme e universitete, sidomos pas vitit 1981, që të vriteshin njerëzit në Bit-Pazar, që në emër të “nacionalizmit e irredentizmit” të hiqeshin nga puna, të burgoseshin, sepse e prishkan shtetin, si sot që shprehet Boris Ivanov për frikën nga gjuha e qytetarëve të “vet”.

Albanofobia maqedonase e sotme nga kreu i shtetit përdëfton urrejtjen e trashëguar nga komunizmi monoetnik, kur Maqedonia e sajuar si fantom territorial e gjuhësor pas vitit 1946, disi u shndërrua në kuestor të albanologjisë, asgjësim të heshtur të saj edhe institucionalisht. Në të vërtetë Shkupi, ish-kryeqytet historik i Kosovës, u bë vend i rehatshëm sllav i zhbëries sistematike të shqiptarëve përgjatë Luftës së Dytë Botërore me mija vrasje, pastaj gjatë viteve 1953-1956 të regjimit starap policor të A. Rankoviqit e shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova me Marrëvjeshjen Xhentëlmene Jugosllavi-Turqi e shumë veprime të tjera shtetërore sllave me qëllim antishqiptar, krijuan klimë të pakësimit gjuhësor e nacional të shqiptarëve në Maqedoni, në anën tjetër epërsinë statistikore e demografike sllave në Maqedoni, krijuan origjinalitet poshtetar në Maqedoni të krjojnë frikën e shqiptarëve edhe për të drejtat e tyre. Kjo frikë është edhe sot aktuale te disa, si na bind një gjykim në Shkup ndaj dy shkrimtarëve e një piktori të akuzuar nga disa pasradhës ish-komunistësh, të cilët mohojnë të flasin në gjuhën amtare shqipe, me frikë se avokati maqedonas dhe vet Gjykata nuk do të jepnin aktgjykim në favor të tyre.

Mohimi i gjuhës shqipe zyrtarisht nga shqiptarët e këtueshëm është lajthitje e tyre të ndjehen shtetas të rehatshëm, të barabartë me maaqedonasit. Ndjehen me dyshime ndaj statistikës demografike të fshehur me decenie në Maqedoni, që do të rrënonte shifrën shqiptare të tashme 25 % të shqiptarëve të këtushëm. Për shkak të tkurrjes nacionale sllave, në mendësinë e tyre dekadave të fundit kanë bindje bilinguale (maqedonas e bullgarë), pastaj ndërgjegjësimi i komunitetit të shqiptarëve ortodoksë të sllavizuar gjatë Jugosllavisë është në favorin shqiptar, ashtu si janë edhe shifrat e “maqedonasve” myslimanë, që më tepër komunikojnë përmes shqipes. Sociolinguiistika sllave e këtushme, e etatizuar nga titoizmi, po përjeton deformatizim substancial nga optika e së vërtetës shkencore. Zërat e guximshë intelektualë ndër shqiptarët se maqedonasit duhet të përcaktohen ose si pasardhës të Aleksandrit të Madh e të pranojnë se janë mbetje ilire, ose si sllavë të përkatësisë bullgare, duket se e ka trishtuar bindjen akademike etatiste me traditë albanofobike. Së këndejmi, deklarata e ligjvënësit amerikan se Maqedonia që meriton riformatizim demografik e territorial, që një pjesë t’i bashkohet Kosovës e ndonjë pjesë tjetër do të vendoste me plebishit kujt t’i bashkohej, disi e llahtarisi realitetin me epërsinë e deritashme maqedonase, edhe gjuhësisht.
Shqipja zyrtare në Maqedoni nuk nënkupton vetëm në viset ku ka shqiptarë me shumicë ose të përafërt (Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë e ngjashëm), as me qytete me pakicë shqiprtare e shumicë maqedonase (Gjevgjeli, Shtip e ngjashëm), por praktikim kushtetuues nga njëri cep në tjetrin të RM-së, pra nga Shkupi në Gjevgjei, nga Struga në Kumanovë në të gjitha fushat publike, përfshirë emërtimin shtetëror, himnin, flamurin e stemën, komandën ushtarake e policore, legjislacionin, informimin, diplomacinë, rrjedhat bankare me valutë dygjuhësore. Kjo nuk do të ishte ndonjë vullkan që do të përmbyste Maqedonisë sipas “deux ex machina” brendanatshëm, por heqje e frikës së gati gjysmës së popullit të saj se janë të përbuzur, në anën tjetër edhe përgjegjësi e ruajtes së përbashkët me etninë tjetër madhore të këtij shteti. Kësisoj, droja e trilluar e quajtur nga Kryetari Boris Ivanon si gjuhë shqipe, është lubi që do ta gëlltiste Maqedoninë, do të dukej frikësim ndaj etnisë së vet, përmes të cilit do t’i fshihte dështimet e krijuara drejt demokratizimit të Maqedonisë edhe para syve të botës, e cila duket se po e kupton dhelpërinë maqedonase në shërbim të idilës komunsite-varshaviste.

Fikësimin e popullit përmes gjuhës shqipe nga Boris Ivanov duket se e ndihmoi vullnetarisht mungesa e mendimit akademik shqiptar drejt harmonizmit kushtetuues gjuhësor shqip-maqedonisht, diletantizmi i kopesë së “analistëve” shqiptarë mediatikë në RM, te të cilët ende vërehet ëmbëlsia gjuhësore e të shprehurit maqedonisht, se sa të shqipes, ngathtësia e shoqatave trashëgimore dhe instituteve të rralla të këtushme që nuk e afruan të vërtetën te vendimmarrësit e këtushëm. Prandaj është koha që këta të përmenden dhe ta thonë të vërtetën për etninë maqedonase dhe gjuhën e tyre, historicitetin e autenticitetin, aktualitetin e perspektivën faktologjike, si kusht i ekzistimit të vendit e kombit bilingual në Maqedoni.

/DEKLARATA PËR GAZETËN “KOHA DITORE”

Nëse shtypni reklamat më poshtë mundësoni funksionimin e portalit tonë. Ju falemnderit.