14 C
Skopje
September 21, 2018
Rajoni dhe Bota

Pse Edi Rama ka të drejtë për mediat!

Nga Andi Bushati*

Edi Rama i është rikthyer disa herë të enjten në mbrëmje, në emisionin e ri “Open”, diskreditimit të rolit të medias si pushteti i katërt. Ai ka dëshmuar me këmbëngulje, përballë Eni Vasilit, paaftësinë së TV-ve dhe portaleve për të për të qëmtuar faktet, deklaratat, qëndrimet dhe për t’i përcjellë publikut të vërtetën.

Fabula e Ramës tashmë është e njohur: “PD-ja thotë që unë jam hajut. Unë them që jam burrë i ndershëm. Cili e ka forcën, detyrimin, moralin për të parë nga peshon e vërteta??? Natyrisht mediat”.

Sipas kryeministrit ato kanë dështuar t’a luajnë rolin e fuqishëm të këtij kundërpushteti duke u mjaftuar me raportimin steril, “kështu tha X” kështu u përgjigj Y”.

Për hir të së vërtetës duhet pranuar se formalisht Rama ka të drejtë në konstatimin që bën. Pjesa më e madhe e medias shqiptare, mbi të gjitha TV e mëdha që pronarët i kanë vënë në dispozicion të bizneseve të familjeve të tyre, nuk i shkojnë asnjë historie deri në fund. Ata i tremben të vërtetës, po me të njëjtën zemërdridhje që i tuten edhe ata që duhet të ishin subjekte të investigimeve të tyre.

Por, kjo nuk është aspak një rastësi. Dhe ai që bërtet sot “kapeni hajdutin” nuk është kaq i pafajshëm në këtë histori.

Për t’a kuptuar më mirë këtë, mjafton të kujtojmë një ngjarje të ditëve të fundit. Jo nga ato që kërkon ndonjë investigim të madh se ku i gjeti Basha paratë që pagoi lobistët në SHBA, apo cilët janë ata që kanë ndërtuar vilën e Ramës në Surrel dhe sa kanë fituar pas kësaj. Këto mund të ishin vërtet investigime të vështira që kërkonin, kohë, para, guxim, profesionalizëm.

Por, shembulli i mëposhtëm nuk kërkon asnjë nga këto sakrifica. Fjala është për letrën që Komisioni Europian i dërgoi qeverisë shqiptare për ligjin për teatrin. Aty lexohej e zeza mbi të bardhë se procedura e ndjekur nga Rama, Fusha dhe Veliaj, ishte goditur ashpër. Se, për Brukselin, qe i paimagjinushëm, një ligj special, për një person të vetëm, duke përjashtuar nga gara këdo tjetër. Pikërisht këto argumenta e kishin bërë qeverinë shqiptare të zbythej me turp dhe të pranonte para autoriteteve të BE-së se do t’a amendonte ligjin.

Mirëpo sapo kjo shuplakë mbi metodat se si qeveris rilindja u bë publike, u shfaq menjëherë në treg një “artist” që e ka ngrënë me kohë turpin me bukë. Erion Veliaj, doli dhe bërtiti se kjo qe një fitore, se ata që donin t’a pengonin procesin tani duhet të heshtinin dhe se ligji që ishte shumë i mirë do të bëhej edhe më i mirë akoma.

Cilido që ka dy para mend në kokë, pas këtyre fjalëve do t’i vinte për të ulëritur.

Por në pjesën dërrmuese të mediave tona, lajmi u përhap sipas versionit të kryebashkiakut. Askush nuk u mundua të pyeste për inkoherencat e asaj që Veliaj kishte thënë më parë dhe si po dredhonte tani. Askush nuk u përpoq të shkonte përtej duke hedhur poshtë argumentat e pronarit të truallit dhe ofertës ë pakërkuar të ardhur nga Fusha që kishim dëgjuar më parë.

Ja pra ky shembull i thjeshtë, ku e vërteta nuk ka nevojë  – as për zotësi të madhe, as për profesionalizëm të tejskajshëm, as për kohë investigimi pa fund dhe as për shumë para –që të dalë në shesh, tregon se shumica e mediave tona janë të gatshme të nënshtrohen para pushtetit.

Problemi i tyre nuk është se nuk e kuptojnë të vërtetën -si në rastin e mësipërm kur ajo është fare e thjeshtë- halli i tyre qëndron në frikën për ta thënë atë.

Dhe pyetja që vjen nga pas është: po kujt i shkon për shtat kjo mjegullnajë e qëllimshme? Cili përfiton nga këto qëndrime sterile, që në vend ta qartësojnë publikun e trullosin atë?

Besoj se në këtë pikë nuk ka asnjë dyshim: relativizimi i të vërtetave i shkon për shtat gjithnjë qeverive, asaj Berisha dje dhe kësaj Rama sot. Pikërisht pëkëtë ata i kan dyndur me financime direkte dhe mbështetje okulte në formë kocesionesh për rrugë, lejesh ndërtimi, tenderash gjithfarësojësh, ata pronarë mediash që i kanë vetes mision të përhapin mjegull.

Prandaj Edi Rama vazhdon t’i quajë kazan dhe makineri balte, ato fare pak të tjera që përpiqen të përmbushin misionin e gazetarisë së vërtetë.

Dhe pikërisht në këtë paradoks qëndron problemi. Sepse Edi Rama ka të drejtë kur gjen me qindra shembuj të një gazetarie sterile që nuk luan rolin e pushtetit të katërt, por për fat të keq ai është një nga financuesit, mbështetësit dhe përfituesit e saj. Kjo është dhe arsyeja që kur ankohet ngjan më hipokrit se kurrë.

*Titulli origjinal: Hipokrizia e Ramës në luftën me mediat

 

 

Burimi i lajmit

Artikuj të ngajshëm

Thaçi: Qëndrimi i Trumpit ndaj Kosovës s’ka ndryshuar

shprehja

Videoja e këtyre foshnjave do t’jua ndreq ditën

shprehja

Fati i kandidatit për Gjykatën e Lartë, në duart e një Senati të ndarë

shprehja