Urimi i jomyslimanëve për festat e tyre

Urimi i jomyslimanëve për festat e tyre

Kjo nuk duhet të ndodhë ditën e dasmës! (FOTO)
Makinat e parkuara gabim bllokojnë zjarrfikësin në Shkodër (VIDEO)
ZYRTARE: Calhanoglu te Milani, ndërsa në Romë shkon…
5 justifikimet e zakonshme që thonë meshkujt kur tradhtojnë

Këshilli Evropian për Fetva dhe Studime

Vendimi i këshillit:

Sigurisht që kjo është një çështje e rëndësishme dhe delikate, sidomos për myslimanët që jetojnë në perëndim. Këshillit në fjalë i kanë ardhur shumë pyetje nga besimtarë e besimtare të cilët jetojnë në perëndim dhe bashkëjetojnë me jomyslimanët, me të cilët i lidhin shumë gjëra të jetës së përditshme, fqinjësia, puna, shkolla etj… Shpesh herë myslimanët ndjejnë përkujdesje njerëzore nga ana e jomyslimanëve, si në rastin e një pedagogu i cili e ndihmon me sinqeritet studentin e tij mysliman, apo rastin e një doktori i cili kujdeset maksimalisht për shëndetin e pacientit të tij mysliman. Njeriu mbetet peng i të mirës, siç thotë dhe poeti arab:

Bëji mirë njeriut zemrën t’ia fitosh
Duke i bërë mirë, mund ta skllavërosh

Myslimanët në perëndim shtrojnë pyetjen: Cili është qëndrimi i një myslimani karshi jomyslimanëve paqësorë, të cilët nuk shfaqin armiqësi me myslimanët, nuk i diskriminojnë për shkak të fesë dhe nuk u sjellin asnjë dëm?

Kurani fisnik ka rregulluar edhe marrëdhëniet mes myslimanëve dhe jomyslimanëve në dy pasazhe të sures Mumtehine, pasazhe të cilat në fakt i janë shpallur Profetit a.s në lidhje me idhujtarët:”Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët. Allahu ju ndalon t’i bëni miq ata që luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe ju dëbojnë nga vatrat tuaja, si dhe mbështesin të tjerët që t’ju dëbojnë. Kushdo që i bën miq ata, është punëmbrapshtë.(Mumtehine, 8-9)

Këty dy pasazhe të Kuranit bëjnë dallim mes jomyslimanëve armiqsorë dhe atyre paqësorë. Me jomyslimanët paqësorë Kurani kërkon që me ta të zbatohet parimi i respektit (birr) dhe i drejtësisë (kist). Fjala “birr” në arabisht përcjell respekt, mirësi dhe ndonjëherë edhe lëshim dhe heqje dorë nga disa të drejta të tuat, duke i dhënë tjetrit edhe më shumë sesa e meriton. Sakaq fjala “kist” ka të bëjë me drejtësinë, pra ti japësh të drejtën e vet pa i hyrë aspak në hak.

Sakaq jomyslimanët armiqësorë me të cilët ndalohet miqësia, janë ata që ushtrojnë agresivitet ndaj myslimanëve dhe i luftojnë ata, madje edhe i nxjerrin nga tokat e tyre për shkak të besimit. Është e njëjta gjë me atë që u ndodhi myslimanëve dhe Profetit a.s nga idhujtarët mekas.

Kurani ka zgjedhur fjalën “birr” pra respect, si mënyrë komunikimi me jomyslimanët paqësorë, fjalë e cila përdoret më së shumti në një detyrim madhor, pas atij ndaj Zotit, në respektin ndaj prindërve.

Buhari dhe Muslim transmetojnë se Esmaja, vajza e Ebu Bekrit, vajti tek Profeti a.s dhe i tha:”O i dërguar i Zotit! Ime më e cila është idhujtare ka ardhur nga Meka dhe kërkon që të kemi marrëdhënie të mira. A ta pranoj?” Profeti a.s iu përgjigj:”Po pranoje dhe respektoje!”

Këtu bëhet fjalë për shtresën e idhujtarëve, ndërkohë që Kurani ka një status më të privilegjuar për ithtarët e Librit, krahasuar me atë të idhujtarëve. Saqë Kurani e ka lejuar martesën me vajzat e tyre dhe ngrënien e mishit të therur prej tyre. Në suren Maide Zoti thotë:”Ju janë lejuar edhe ushqimet e ithtarëve të Librit; po ashtu, edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ata. Të lejuara për ju janë femrat e ndershme besimtare dhe femrat e ndershme të atyre që u është dhënë Libri para jush, nëse ju u jepni pajën e kurorëzimit, duke u martuar me ato.. (Maide, 5)

Si fryt i kësaj lidhjeje martesore është dhe dashuria mes dy bashkëshortëve, ku Zoti thotë:” Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë.(Rum, 21)

E si të mos e dashurojë burri bashkëshorten e tij, nënën e fëmijëve dhe partneren e jetes, ndërkohë që Zoti i përshkruan marrëdhëniet mes tyre si:”ato janë petk për ju dhe ju jeni petk për to (Bekare, 187)

Një nga frytet e kësaj lidhjeje martesore është dhe miqësia dhe krushqia mes dy familjeve, një lidhje sa e natyrshme aq edhe e rëndësishme kjo, të cilën e thekson edhe Kurani:”Është Ai që ka krijuar prej ujit njeriun, e ka vënë në lidhje me fis nga gjaku dhe nga martesa. (Furkan, 54)

Një fryt tjetër i kësaj lidhjeje martesore është edhe të bërit nënë, e cila gëzon të drejta dhe një status tepër të privilegjuar në islam dhe nuk mund të thuash se bëhet fjalë për respekt (birr) për nënën, nëse vjen një festë e besimit të saj dhe fëmija të mos e urojë! E njëjta gjë vlen edhe për të afërmit e tjerë, si gjyshi dhe gjyshja, daja, tezja dhe kushërinjtë, të cilët gëzojnë statusin e gjakut dhe farefisit. Thotë Zoti në Kuran për farefisin dhe njerëzit e gjakut:” besimtarët që kanë lidhje farefisnore, janë më të afërt për njëri-tjetrin… (Enfal, 75)

Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit.(Nahl, 91)

Nëse detyrimet ndaj nënës dhe njerëzve të gjakut e detyrojnë myslimanin që ta respektojë nënën dhe farefisin, duke treguar me ta edukatë, zemërgjerësi, nderim dhe besnikëri, detyrimet e tjera i kërkojnë që edhe karshi vëllait të tij njeri të sillet me edukatë dhe moral të lartë. Profeti Muhamed a.s e këshillonte shokun e tij Ebu Dherin me fjalët:”Sillu me njerëzit me respekt dhe moral të lartë!” Ai i kërkonte të respektojë mbarë njerëzit dhe jo vetëm myslimanët.

Në shumë thënie të tjera, Profeti a.s kërkon nga myslimani që të manifestojë butësi dhe etikë në komunikimin me jomyslimanët, larg çdo forme dhune dhe ashpërsie.

Kur disa hebrenj kaluan pranë shtëpisë së Profetit a.s, e përshëndetën me fjalët “Essamu (vdekja) alejkum!” Pra vdekja qoftë mbi ju dhe jo paqja, siç është përshëndetja islame. Profeti a.s e kuptoi mirë këtë dhe ua ktheu:”Edhe mbi ju!” Aisheja doli dhe u tha gjithë zemërim:”Vdekja dhe mallkimi i Zotit qofshin mbi ju o të mallkuar…!” Profeti a.s i tha:”Merre shtruar o Aishe!” Ajo iu përgjigj:”Po a nuk e dëgjove çfarë të thanë o i dërguar i Zotit?!” Profeti a.s i tha:”Po, por edhe unë u thashë:”edhe mbi ju!” (Pra vdekja, siç na merr neve u merr dhe juve!” Mandej i tha:”Zoti e do butësinë në çdo gjë.”

Urimi i jomyslimanëve për festat e tyre, bëhet më i pëlqyeshëm kur ata e urojnë myslimanin për bajram dhe ne si myslimanë jemi urdhëruar që të mirën ta kthejmë me të mirë dhe përshëndetjen ta kthejmë me një përshëndetje më të mirë, ose të paktën njëlloj. Thotë Zoti në Kuran:”E kur të përshëndeteni, kthejeni me një përshëndetje më të mirë, ose njëlloj (Nisa, 86)

Për myslimanin nuk shkon që të jetë më zemërngushtë dhe në një nivel më të ulët morali nga tjetri. Madje kërkohet që myslimani të jetë më i edukuar dhe më i respektueshëm. Thotë profeti Muhamed a.s:”Besimtarët me besimit më të plotë, janë ata me moralin më të plotë.” Profeti a.s deklaronte se:”Jam dërguar për të përsosur moralet e larta.”

Kjo bëhet akoma më e kërkuar nëse duam që këta jomyslimanë ti ftojmë në islam apo ti miqësojmë me myslimanët. Kjo është detyra jonë dhe kjo nuk përmbushet me zymtësi dhe vetulla të ngrysura, por me respekt dhe komunikim efektiv.

Profeti Muhamed a.s gëzonte virtytet më të larta, ishte zemërgjerë, bujar dhe gjithë edukatë, edhe me idhujtarët mekas, sado keq që silleshin ata me Profetin a.s dhe myslimanët e tjerë. Idhujtarët mekas, edhe pse manifestonin armiqësi ndaj Profetit a.s, aq shumë i kishin besë nga ana tjetër, saqë amanetet e tyre i mbanin tek ai. Kur Profetit a.s iu desh të largohej nga Meka, ai caktoi Aliun që tu kthejë idhujtarëve amanetet që i kishin lënë tek ai.

Prandaj nuk ka ndonjë pengesë që individi mysliman, apo qendrat myslimane, ti urojnë jomyslimanët me gojë apo nëpërmjet kartolinave të cilat nuk përmbajnë simbolet e tyre fetare që bien ndesh me parimet islame, si kryqi.

Në përgjithësi, fjalët që përdoren për urime festash, nuk përmbajnë ndonjë gjë e cila lë të nënkuptohet se ti pranon ritualet që ata bëjnë për këto festa, por janë fjalë nëpërmjet të cilave shprehet respekti dhe dashamirësia.

Gjithashtu, nuk prish punë as pranimi i dhuratave prej tyre apo shkëmbimi i dhuratave. Profeti Muhamed a.s i pranonte dhuratat e jomyslimanëve, si në rastin e mbretit të Egjiptit, me kusht që të mos përmbajnë diçka të ndaluar në islam, si alkooli apo mishi i derrit.

Vlen të citojmë se dijetarë së Ibnu Tejmije dhe Ibnul Kajim, kanë qëndrim strikt lidhur me pjesëmarrjen e myslimanëve në festat e jomyslimanëve. Edhe ne e mbështesim këtë, sepse prej myslimanit kërkohet që të mos bëhet pjesë e festës së idhujtarëve apo ithtarëve të Librit. Për myslimanin nuk lejohet të festojë festat e jomyslimanëve, por nuk prish punë që ti urojë ata, aq më tepër kur bëhet fjalë për lidhje miqësish, shoqëri etj…

Kurse përsa i përket festave kombëtare dhe sociale, si dita e pavarësisë, dita e fëmijëve, dita e nënës etj… nuk ka asnjë problem që të shkëmbehen urime dhe të merret pjesë në këto festa nga myslimanët, pasi ata konsiderohet qytetarë të atij vendi. Kjo, me kusht që të distancohet nga gjithçka e ndaluar që mund të shoqërojë këto festa.

Fetvaja e Abdullah bin Beje, nënkryetar i Unionit Botëror të Dijetarëve Myslimanë

Pyetje:”A lejohet ti urojmë të krishterët për festat e tyre, si dhe ti ngushëllojmë në rast fatkeqësish?”

Përgjigje:”Lidhur me urimin e jomyslimanëve për festat e tyre, janë dhënë mendime të ndryshme nga njerëzit, ku disa prej tyre e lejojnë dhe të tjerë e ndalojnë. Shejh Ibnu Tejmije e ka lejuar në mesazhet e tij, nëse bëhet për një interes dhe dobi të caktuar. Bazuar në këtë, urimi i të krishterëve për festat e tyre është i lejuar. Gjithsesi, kjo është një nga meselet rreth të cilave ka mendime të ndryshme dhe nuk ka përse të bëhet një çështje që shkakton mëri dhe urrejtje mes njerëzve.”

Bin Beje mendon se interesat e njerëzve të kohëve moderne, ua imponojnë që të lidhin aleanca me njëri-tjetrin me qëllim që të jetojnë në harmoni dhe paqe, larg konflikteve. Sot kërkohet që njerëzimi të shpëtohet nga vuajtjet që shkaktojnë luftrat dhe konfliktet.

Ai shton dhe thotë:”Disa njerëz marrin në konsideratë një interes dhe dobi, të cilën nuk e marrin në konsideratë të tjerët. Disa prej tyre mendojnë se nuk ka asgjë të keqe në urimin e jomyslimanëve për festat e tyre, për shkak se nuk ekziston asnjë tekst dhe argument që e ndalon. Njëkohësisht, ata bëjnë thirrje për tu treguar më zemërgjerë. Problemi ynë në botën islame është se zemrat i kemi të ngushta kur bëhet fjalë për çëshjet ku ka mendime të ndryshme.

Këshilla jonë është që njerëzit të mësohen me mendimet ndryshe dhe shkaqet që kanë çuar në këtë diversitet mendimesh. Në fakt, shkaqet që e bëjnë një mesele të ketë mendime të ndryshme janë të shumta, si vërtetësia e tekstit, hapësirat e tij interpretuese etj…”

Ai përmend edhe rastin e Profetit a.s i cili e vlerësonte aleancën Fudul të idhujtarëve para islamit, aleancë e cila luftonte padrejtësitë në Mekë. Ai thoshte se nëse mekasit do e ftonin për një aleancë të re, ai do u përgjigjej pozitivisht.

Gjithashtu, ai tha se shumica e interpretuesve të Kuranit, e interpretojnë ajetin:”bashkëpunoni në punë të mira dhe devotshmëri” si ajet që nuk kufizohet vetëm tek myslimanët, por përfshin edhe jomyslimanët.

Bin Beje tha se ne si myslimanë duhet ti perceptojmë drejt këto koncepte dhe ti vëmë në jetë, pa bërë lëshime në fenë tonë. Ai shtoi se ai që i uron jomyslimanët për festat e tyre nuk bën asnjë lëshim në fenë e vet.

Përktheu: Elmaz Fida

Nëse shtypni reklamat më poshtë mundësoni funksionimin e portalit tonë. Ju falemnderit.
ARTIKULLI ME I VJETER