January 28, 2022
Portali Shprehja

2021 – viti i dy tragjedive të mëdha! 59 persona humbën jetën në spitalin modular dhe aksidentin në Bullgari

14 persona humbën jetë dhe 12 u lënduan gjatë zjarrit që kaploi spitalin modular të Tetovës në ditën e Pavarësisë së Maqedonisë. Spitali u dogj për vetëm 3 minuta. Në objekt nuk ka pasur aparate kundër zjarrit dhe sistem për detektim të hershëm të zjarreve.

“Me ekspertizën u konfirmua se zjarri ka shpërthyer si pasojë e qarkut të shkurtë elektrik përmes rezistencës së lartë kalimtare në kabllon vazhdues të defibrilatorit me të cilin po bëhej reanimacioni i një pacienti në dhomën e spitalit”, thonë nga Prokuroria.

Tact Watches

Personeli mjekësor është munduar që ta shuaj zjarrin, por shumë shpejtë është shpërndarë në muret e spitalit, kulmin dhe inventarin. Zjarri nuk ka mundur të ndalet për shkak se të gjithë pacientët e hospitalizuar kanë qenë të kyçur në qendrën për mbështetje me oksigjen, ndërsa me këtë edhe përqindja e oksigjenit në gjithë hapësirën e spitalit është rritur.

“Tragjedia e fundit në Tetovë më ka goditur shumë, më vjen shumë keq për viktimat, ndaj dhimbjen me familjet e tyre. Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajë, e as mënyrën për të kompensuar humbjen. Si mjek dhe ministër kam integritet andaj sot për arsye morale deponova dorëheqje në formë të shkruar deri te kryeministri”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe (10.11.2021).

Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe, dorëzoi dorëheqje por e njëjta nuk u pranua nga kryeministri Zaev. Pas rreth 3 muajve, nga kjo tragjedi, më 23 nëntor një tjetër ngjau në Bullgari. 45 persona humbën jetë në aksidentin në autostradën “Struma” në Bullgari. Në autobus kanë qenë 52 persona të cilët kanë udhëtuar në relacionin Stamboll-Shkup. Mbijetuan vetëm 7 persona. Familjarët e udhëtarëve që nga dita e parë e tragjedisë presin që të takohen me pronarin e Agjencisë, gjë që ende nuk ka ndodhur.

“Atë që e kuptoi ekipi në vendin e ngjarjes është se autobusi në fjalë i cili ka lëvizur Turqi-Bullgari nga RMV në vendin e quajtur “Kulla” në autostradën A3 në R. Bullgarisë ka goditur bankinat në anën e djathtë që e ndan pushimoren afër autostradës, pas çka vozitësi ka humbur kontrollin mbi autobusin dhe ka ardhur deri te vetë-ndezja e pjesës së jashtme të automjetit, ndërsa më pas ka pasur edhe përplasje në mes në bankinën e autostradës pas çka është shkaktuar djegie e plotë e automjetit”, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski (26.11.2021).

Ministri për transport dhe lidhje, pohoi se automjeti në fjalë nuk ka certifikatë për kryerjen e transport të lirë ndërkombëtarë të udhëtarëve, e as për ndonjë lloj tjetër të transportit publik të pasagjerëve. Autobusi nuk ka qenë i evidentuar në evidentimin elektronik të licencave të lëshuara dhe certifikatave për kryerjen e transportit të brendshëm dhe ndërkombëtar të udhëtarëve që e udhëheq MTL. Në vitin 2020, 22 herë ka realizuar hyrje-dalje nga shteti, ndërsa në vitin 2021 – 113 herë e ka kaluar kufirin.

“Transportuesi “Besa Trans” ka poseduar dy licenca për punë. Licencë për transport të lirë të udhëtarëve në trafikun ndërkombëtar me numër 007017, për këtë licencë tashmë është sjellë vendim për të shfuqizohet për shkak të keqpërdorimit nga ana e transportuesit”, u shpreh ministri i Transportit dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski (26.11.2021).

Askush nuk dha dorëheqje për këtë tragjedi! Deri më tani janë larguar nga puna vetëm dy doganierë dhe udhëheqësi i tyre.

Me ceremoni shtetërore-ushtarake më 3 dhjetor në Aeroportin e Shkupit u organizua pritja e trupave të pajetë të viktimave të aksidentit tragjik. Hetimi është kah fundi dhe priten vetëm rezultatet nga ekspertiza gjyqësore-mjekësore, teknike dhe teknike e zjarrfikësve.

“Shpejtësia e autobusit ka qenë joadekuate me kushtet e rrugës. Mendoj se kanë vozitur mbi 90 km/h. Kërkesat e një vozitësi profesionist të autobusit janë më të larta sesa për çdo vozitës tjetër”, tha prokurori Borisllav Sarafov.

Megjithatë Sarafov tha se shenjat e trafikut në rrugë “dukshëm nuk i plotësojnë kushtet”. Deri më tani hetimi ka treguar se gjatë përplasjes është shpuar rezervuari i derivatit, ka shpërthyer zjarr dhe automjeti ka ngecur mes bankinave mbrojtëse që ndajnë dy krosit e autostradës.

Një katastrofë tjetër që i ndodhi vendit vitin që kam pas, janë zjarret, më të mëdhatë në dekadën e fundit. Vetëm për 4 muaj në periudhën qershor-shtator 2021, janë shkaktuar 142 zjarre nëpër pyje ku janë djegur 11,420 hektarë./TV21

Të Ngjajshme

Nga 1 shkurti do të rikthehet transporti publik në Kumanovë

admin

Sedat Ramadani largohet nga LB / E humbëm identitetin me të cilin na njihnin njerëzit!

admin

Alsat: BDI-ja e harroi në burg Rexhail Qerimin!

admin

Leave a Comment