May 21, 2022
Portali Shprehja

300 qeli burgu me qira Danimarkës, Ministria e Drejtësisë pret kalimin e marrëveshjes në Kuvend

Për marrëveshjen ndërkombëtare në mes Danimarkës dhe Kosovës për të sjellë 300 të burgosur në Kosovë, e cila duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës dhe nevojiten dy të tretat e votave, në Ministrinë e Drejtësisë thonë se ka disponueshmëri për ta çuar përpara këtë marrëveshje.

Tact Watches

Meqenëse për marrëveshjen për huazimin e qelive të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan nevojiten edhe votat e opozitës, nga partia më e madhe opozitare PDK, shprehen se mundësia për ta votuar këtë marrëveshje ekziston. Ndërsa KMDLNJ thotë se marrëveshja krijon precedent të rrezikshëm pasi me këtë po dëmtohen Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe të burgosurit kosovarë.

Këshilltari politik në Ministrinë e Drejtësisë, Alban Muriqi thotë brenda pak muajsh kjo marrëveshje do të shkojë për votim në Kuvendin e Kosovës. Ai beson se marrëveshja do ta merr mbështetjen edhe nga partitë opozitare.

Muriqi: Besojmë që marrëveshja do të kalojë në Kuvend

“Tani pritet ratifikimi në Kuvend. Sipas procedurave do të merr pak muaj kjo çështje. Shpresojmë që gjithçka do të shkojë mirë në Kuvendin e Kosovës. Një dialog i brendshëm ka filluar edhe në Komisionin për Legjislacion, ka pasur vizita shkëmbyese me karakter informues nga pala daneze. Po ashtu, do të ketë vizita të Komisionit për Legjislacion dhe ministres atje për të parë nga afër përkushtimin e qeverisë ose palës daneze ndaj kësaj marrëveshjeje dhe të gjitha përfitimet që do t’i ketë Shërbimi korrektues, pastaj çështja e energjisë së ripërtritshme … Unë besoj që po, pasi vërehet një disponim në rritje duke parë benefitet e kësaj marrëveshjeje nga të dyja palët”, tha ai.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa shprehet se në parim si parti kanë pajtueshmëri për ta mbështetur marrëveshjen për dhënien me qira të 300 qelive në Kosovë për të burgosurit danezë.

Beqa, i cili është edhe anëtar i Komisioni për Legjislacion, thotë se këtë marrëveshje nuk e sheh si shumë sukses për shtetin e Kosovës, pasi që shteti danez këtë ofertë e ka pasur për shumë shtete.

Beqa: Mundësia për përkrahje të kësaj marrëveshjeje ekziston nga PDK-ja

“Ne do ta japim kontributin tonë si parti opozitare, si PDK në këtë fazë. Realisht, pajtohemi që të pranojmë që të jenë aty 300 të burgosur, por vetëm të sqarohen edhe disa çështje dhe mos ta shesë si zhvillim ekonomik Qeveria një gjë të tillë… Në këtë rast nuk i kam lexuar detajet e marrëveshjes dhe nuk duam të flasim pa pasur një qëndrim si grup parlamentar, por në parim pajtohemi. Nuk e kemi parë si shumë suksesive edhe pse mendoj që realisht ndoshta kemi qenë njëri prej shumë shteteve që Danimarka u ka ofruar një gjë të tillë dhe ne e kemi marrë si në suaza vullnetare një gjë të tillë….Ne do ta analizojmë. Mundësia për përkrahje është, por nuk mund të flasim në këtë fazë”, tha Beqa.

Por marrëveshja e dy vendeve për të sjellë 300 të burgosur në Kosovë po kundërshtohet fuqishëm nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDNJ).

Kryetari i këtij Këshilli, Behxhet Shala konsideron se kjo marrëveshje nuk ka bazë ligjore, madje thotë se do të krijojë pabarazi.

Shala: Marrëveshja për qelitë me Danimarkën nuk ka bazë ligjore

“Realisht kjo marrëveshje nuk ka bazë ligjore në Kosovë prandaj janë bërë të gjitha përpjekjet që të shitet dhe të konkretizohet si marrëveshje ndërkombëtare. Ka pasur bisedime të fshehta dhe jo transparente me Danimarkën, e kanë servuar në opinion vetëm një shifër prej 200 milionë eurosh për 10 vjet me të cilën në njëfarë mënyre e kanë hedhur opinionin jashtë lojës… Kjo është një marrëveshje kriminale jashtëzakonshme e dëmshme, kjo është një marrëveshje raciste dhe kriminale, sepse është e pashembullt se si buxheti i një shteti të mbushet me para duke importuar krim dhe kriminelë nga një shtet tjetër. Është jo serioze dhe qesharake të mendohet se Danimarka nuk ka kapacitete të mjaftueshme për t’i mbajtur ata burgosur, ata janë të dënuar, jo shtetas të Danimarkës, janë nga vendet e treta, të cilat Danimarka nuk i do dhe nuk ka mundur t’i socializojë”, u shpreh ai.

Sipas Shalës, me një marrëveshje të tillë po dëmtohet Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe të burgosurit kosovarë.

Shala: Me këtë marrëveshje dëmtohen Shërbimi Korrektues dhe të burgosurit

“Është precedent i rrezikshëm dhe më së shumti do të dëmtojë Shërbimin Korrektues të Kosovës për faktin se brenda një shteti po krijohen dy sisteme për ekzekutimin e sanksioneve penale. Për disa kriminelë të importuar nga Danimarka të cilët do t’i kenë të gjitha beneficionet do të kenë statusin sikurse të ishin në Danimarkë, ndërkaq ata të cilët janë të dënuar në Kosovë e që janë shtetas të Kosovës, do t’i kenë kushtet shumë më të vështira. Merreni me mend ata që kanë qenë të vendosur në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, 200 e diçka veta, ata duhet të zhvendosen në qendrat tjera dhe familjarët e tyre duhet të bëjnë shpenzime shtesë për të shkuar dhe për t’i vizituar për t’ua liruar vendin disa kriminelëve”, tha Shala.

Kosova dhe Danimarka më 20 dhjetor 2021 nënshkruan një letër-pëlqim, sipas të cilit, 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës. Për këtë huazim, Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro gjatë dekadës së ardhshme.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, ministri danez i Drejtësisë Nick Hakkerup pati deklaruar se Shërbimi korrektues i Danimarkës është i mbingarkuar dhe se projekti synon të lehtësojë mbipopullimin e burgjeve daneze që është rritur 19 për qind që nga viti 2015.

Praktika të tilla janë zbatuar në vendet evropiane edhe më parë, përfshirë Norvegjinë dhe Belgjikën që kishin marrë me qira qeli burgu në Holandë.

.

Të Ngjajshme

Bllokada e Putinit në Detin e Zi rrezikon të lerë pa ushqim miliona njerëz në botë

Grkovska: Mbrojtja e konsumatorit është më e rëndësishme, të gjitha subjektet juridike duhet t’i respektojnë ligjet

Gjermania do t’i dërgojë Ukrainës 15 tanke ‘Gepard’ në korrik

Leave a Comment