December 5, 2022
Portali Shprehja

Analizë e “Konrad Adenauer”: Qytetarët e Maqedonisë tani Rusinë e shohin si armik

Për vetëm një vit, është rritur ndjeshëm qëndrimi negativ i qytetarëve të Maqedonisë ndaj Rusisë, e cila nga grupi i vendeve mike kaloi në “armiqtë më të mëdhenj”, menjëherë pas Bullgarisë. Këtë e ka treguar shqyrtimi i opinionit publik dhe analiza me titull: “30 vjet pavarësi (Analizë dhe hulumtim i opinionit publik)”, e autorëve Aleksandar Spasenovski, Vasko Naumovski dhe Jovan Andonovski, botuar nga Instituti për Hulumtime Sociale “MK91. ” dhe Fondacioni “Konrad Adenauer”, shkruan Vërtetmatësi.

Shkruan: Vesna Kollovska

Në pyetjen “Sipas jush cili shtet është armiku më i madh i Maqedonisë së Veriut?”, 44 për qind janë përgjigjur se është Bullgaria, 29,3 për qind janë përgjigjur se nuk e dinë, pasuar nga 12,1 për qind e të anketuarve, të cilët besojnë se Rusia është armiku ynë më i madh. Sipas të anketuarve, këto dy shtete (Rusia dhe Bullgaria) kanë marrëdhënie të këqija dypalëshe me vendin tonë, gjegjësisht 59,3 për qind vlerësojnë se marrëdhëniet e Rusisë me vendin tonë janë të këqija dhe 52,5 për qind e vlerësojnë atë për Bullgarinë.

Burimi:„30 vite pavarësi (Analizë për hulumtimin e mendimit publik)“

Profesori Aleksandar Spasenovski, i cili është një nga autorët e kësaj analize, në deklaratën e tij për “Vërtetmatësin” thekson se pikërisht qëndrimet ndaj Rusisë kanë ndryshuar në mënyrë drastike vetëm për një vit.

“Në sondazhin e opinionit publik të vitit 2021, i cili i referohej tri dekadave nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, është shqyrtuar mendimi i qytetarëve për karakterin e marrëdhënieve bilaterale të vendit tonë me Bullgarinë dhe Rusinë. Në atë kohë, 17.3 për qind e të anketuarve i vlerësuan si të këqija marrëdhëniet dypalëshe të vendit tonë me Rusinë dhe 59.8 për qind me Bullgarinë. E përmendura do të thotë se për dallim nga viti 2021, në vitin 2022 odiumi negativ i qytetarëve ndaj Bullgarisë është pothuajse i pandryshuar, ndërsa ndaj Rusisë dukshëm është përkeqësuar”,shpjegon profesor Spasenovski.

Ai mendon se disponimi i qytetarëve të Maqedonisë ndaj Rusisë mund të lidhet me agresionin rus ndaj Ukrainës, gjë që duket edhe nga pyetja në pjesën e parafundit të kësaj analize.

“Përkatësisht, 50,4 për qind e të anketuarve konsiderojnë se agresioni rus ndaj Ukrainës është i pajustifikuar dhe i papranueshëm, ndërsa 26,2 për qind konsiderojnë se është i arsyeshëm dhe i pranueshëm, gjë që tregon se të anketuarit kanë përafërsisht të njëjtin qëndrim lidhur me këtë temë si qytetarët e shtetet e tjera anëtare të BE-së dhe NATO-s. Qytetarët e Maqedonisë me këtë tregojnë se jetojnë dhe ndajnë fatin e vendeve të tjera anëtare të Aleancës”, analizon Spasenovski.

Sondazhi i opinionit publik i kryer në fund të gushtit 2022 me 1.111 të anketuar në anketë telefonike, tregon se Serbia perceptohet si aleati më i madh i Maqedonisë së Veriut, që përgjigjen 37.4 për qind e pjesëmarrësve në anketë, e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara, Turqia dhe Gjermania.

Të Ngjajshme

Korea e Veriut ekzekuton dy adoleshentë të cilët shikonin dhe shisnin filma nga Koreja e Jugut

Historia e evolucionit njerëzor filloi në Afrikë 7 milionë vjet më parë

Shpërthim i fuqishëm në një shkollë fillore në Greqi

Leave a Comment