Tetë deputetët e Aleancës për Shqiptarët do t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese, me kusht që “20 përqindëshi”, që i referohet numrit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të fshihet nga Kushtetuta.
Qëndrimin e partisë politike opozitare e ka bërë të ditur nënkryetari i saj Arben Taravari në një konferencë për media në Gostivar, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me aktualitetin rreth ndryshimeve kushtetuese dhe propozimin për referendum të VMRO DPMNE-së.
Taravari beson se shumica aktuale nuk i ka 80 votat në Kuvend për t’i zbatuar ndryshimet kushtetuese, ndërsa partia e tij vendosi një kusht.
“Situata aktuale politike është problematike dhe me sa shoh nuk ka gjasa që të sigurohen 80 vota. Si parti e kemi një kërkesë, pra plotësimin e një parakushti. Deputetët tanë nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese nëse nuk tërhiqet “20 për qind” nga kushtetuta në pjesën e realizimit të të drejtave të një komuniteti”, deklaroi Taravari.