Gazetar: Shkëlzen Aqifi
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka ftuar Kosovën dhe Serbinë, që në takimet e radhës ta shfrytëzojnë propozimin e BE-së për të normalizuar marrëdhëniet. Në një takim me korrespodentët e agjencive evropiane të lajmeve, ajo ka thënë se pret që këto dy vende ta shfrytëzojnë rastin në takimet e radhës, ashtu që të japin kontribut për stabilitetin e rajonit, si dhe në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Ajo ka thënë se pret që palët të jenë konstruktive në takimet e radhës.
“Kemi një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. Mendoj se ai përbën një rast për të dyja palët që ta shfrytëzojnë momentumin, sepse normalizimi është kyç për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit”, u shpreh Ursula von der lejen, Presidente e KE-së.
Edhe Gjermania pret që në rundin e ri të dialogut palët do të arrijnë marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e raporteve. Ambasada gjermane në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë se avancimi drejt integrimit evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor është synim i Procesit të Berlinit, por në rastin e Kosovës dhe Serbisë ka një pengesë në këtë rrugë.
I dërguari i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka thënë për Radiotelevizionin e Serbisë, se “nëse nuk ka Asociacion, nuk ka marrëveshje”.
Sipas tij, Asociacioni është parakushti kryesor për zbatimin e propozimit evropian.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është optimist për takimin e radhës me Serbinë, që zhvillohet më 18 mars në Ohër, por që nuk varet gjithçka nga ai.
“Ne e dimë qëndrimin e Serbisë mirëpo unë duhet që ti referohem asaj që jemi marrë vesh, ndërsa plani i zbatimit duhet të negociohet në Ohër e jo mbase vetëm në Ohër. Unë jam optimist por a do të ketë sukses apo jo ju e dini shumë mirë se nuk varet vetëm prej meje. Unë kam ofruar që edhe më 27 shkurt, në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin e BE-së, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme, as e interesuar. Nëse ka pasur mos sukses asnjë herë nuk ka qenë për fajin tim sepse kam qenë i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se nuk ka shumë shpresa te qasja e Serbisë në takimin e radhës me Kosovën në Ohër, por pret nga komuniteti ndërkombëtar t’i bëjë presion Serbisë.
“Të bindet edhe Serbia që takimi që do të mbahet në Ohër është një momentum jashtëzakonisht i rëndësishëm në procesin e dialogut. Përmes kësaj marrëveshjeje, bashkë me një plan zbatimi, të zgjidhen shumë çështje, që më pas hapin dyert drejt njohjes reciproke”, tha Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.
Në takimin e Ohrit, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të bllokut evropian, pritet të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit të BE-së për normalizim të marrëdhënieve.
Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashhkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve. Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011. Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale. Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi. /Alsat.mk
.