September 26, 2022
Portali Shprehja

BE-ja thotë së është e përgatitur nëse Moska ndërpret tërësisht furnizimin me gaz

Evropa është “e përgatitur mirë”, falë kapaciteteve të magazinimit dhe masave për ruajtjen e energjisë, nëse Rusia vendos të ndërpresë plotësisht furnizimin me gaz.

Kështu tha një udhëheqës i lartë i BE-së mes të një beteje energjetike të intensifikuar midis Rusisë dhe Perëndimit për shkak të luftës në Ukrainë.

“Ne jemi të përgatitur mirë për t’i rezistuar përdorimit në nivel ekstrem si armë të gazit nga Rusia. Ne nuk kemi frikë nga vendimet e presidentit rus Vladimir Putin, ne po kërkojmë nga rusët të respektojnë kontratat, por nëse ata nuk e bëjnë këtë, ne jemi të gatshëm të reagojmë”, u tha gazetarëve Komisioneri i BE-së për ekonominë, Paolo Gentiloni gjatë një forumi ekonomik në Itali.

Komentet e Gentilonit pasojnë vendimin e Moskës të premten për të shtyrë rihapjen e tubacionit të saj kryesor të gazit që e lidh Rusinë me Gjermaninë. Rusia, përmes këtij vendimit, po reagon ndaj marrëveshjes së grupit të shtatë vendeve më të industrializuara të botës për të kufizuar çmimin e eksporteve të naftës ruse me synim për të pakësuar fitimet e Moskës.

Ai tha se qendrat e magazinimit të gazit në Bashkimin Evropian “aktualisht janë të mbushura në një nivel rreth 80 për qind, falë politikave të zgjerimit të burimeve energjetike”, megjithëse situata dallon nga vendi në vend.

Gjiganti rus i energjisë Gazprom tha se nuk mund të rifillonte furnizimin me gaz natyror në Gjermani, vetëm disa orë para se të rifillonte furnizimet përmes gazsjellësit “Nord Stream I”. Rusia tha se arsyeja e ndërprerjes ishte një defekt teknik në tubacion, i cili ka të ngjarë të përkeqësojë krizën energjetike në Evropë.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer shkruante të premten në Twitter se vendimi i kompanisë Gazprom për të mbyllur gazsjellësin ishte i bazuar në “supozime të pavërteta”.

Prodhuesi i turbinave, Siemens Energy tha të premten se nuk kishte asnjë arsye teknike për të ndalur transportin e gazit natyror.

Moska ka fajësuar sanksionet perëndimore të vendosura pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës për pengim të përpjekjeve për të mirëmbajtur tubacionin e gazit. Evropa akuzon Rusinë se po përdor furnizimin me gaz si një metodë hakmarrjeje ndaj sanksioneve evropiane.

Të premten, ministrat e Financave të vendeve të grupit G-7 thanë se do të punonin me shpejtësi për t’i vendosur një tavan çmimit të eksporteve ruse të naftës. Ministrat nga Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara thanë se kjo gjë do të “bazohet në një sërë të dhënash teknike”.

“Ky kufi i çmimit për eksportet ruse të naftës synon reduktimin e të ardhurave të Putinit, duke mbyllur një burim të rëndësishëm financimi për agresionin (në Ukrainë)”, tha ministri gjerman i Financave, Christian Lindner.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përshëndeti vendimin e ministrave të financave të vendeve të grupit G7.

“Kur ky mekanizëm të zbatohet, ai do të bëhet një element i rëndësishëm i mbrojtjes së vendeve të civilizuara dhe tregjeve të energjisë nga agresioni hibrid rus”, tha Zelenskyy.

Përplasja lidhur me furnizimin me energji ndodh në një kohë kur forcat ruse dhe ukrainase po sulmojnë njëra-tjetrën pranë termocentralit bërthamor të Zaporizhzhias, ku inspektorët e OKB-së po përpiqen të shmangin një katastrofë të mundshme bërthamore. /VoA/

.

Të Ngjajshme

Maqedonia, vendi më i varur nga eksporti i rrymës

admin

Regjim i posaçëm i komunikacionit për shkak të sfidës Maqedoni-Bullgari

Çka po ndodhë me BDI-në? – Këto janë komentet e partive

Leave a Comment