February 1, 2023
Portali Shprehja

Begaj dekoron ambasadorin amerikan Walker me medaljen “Kalorësi i Urdhrit të Flamurit”

Presidenti Bajram Begaj dekoroi sot ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, William G. Walker me medaljen më të lartë “Kalorësi i Urdhrit të Flamurit”.

Presidenti i dorëzoi këtë medalje ambasadorit amerikan në shenjë mirënjohje për rolin e tij në informimin e botës për masakrën e 15 janarit 1999 në Reçak, në Kosovë, ku u 45 qytetarë u masakruan mizorisht nga trupat ushtarake dhe paraushtarake të regjimit të Millosheviçit.

“Ambasadori amerikan Walker, i cili është mik i shqiptarëve dhe mund të them me plot gojën, se është njeriu që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës, rajonit tonë dhe të vetë NATO-s. Ambasadori William Walker është një personalitet ndërkombëtar, diplomat dhe humanist, i cili me punën dhe kontributin e tij krijoi një lidhje të pazgjidhshme me kombin shqiptar dhe me te gjithë qytetarët e Kosovës. Kanë kaluar njëzet e katër vjet,që nga dita kur ambasadori Walker, shef i Misionit Monitorues të OSBE-së në Kosovë, u bë dëshmitar i një prej masakrave më të rënda të kryera në Reçak, më 15 janar të vitit 1999”, tha presidenti Begaj në fjalën e tij.

Sipas presidentit, ambasadori Walker, i pari, ekspozoi në mbarë botën këtë akt mizor dhe e cilësoi masakrën para medieve si “një krim kundër njerëzimit”.

“Falë veprimeve dhe angazhimeve të tij e gjithë bota u informua për krimet në Kosovë. E gjithë bota e qytetëruar u trondit! Vendet e qytetëruara dhe demokratike si edhe komuniteti ndërkombëtar reaguan me shpejtësi për të dënuar gjenocidin në zemër të Evropës dhe për t’i dhënë fund regjimit të Millosheviçit në Kosovë”, u shpreh më tej presidenti.

Sot,e vijoi fjalën Begaj, populli i Kosovës prosperon në rrugën e demokracisë dhe lirisë, por hijet e atyre kohërave të trishta vërtiten akoma në rajonin tonë, në epokën e një lufte tjetër të re e të përgjakshme në Evropë.

“Pikërisht për të mos harruar krimet, për të ruajtur paqen dhe për të lënë një botë në paqe për fëmijët tanë, vlerësojmë personalitete si Ambasadori Walker, të cilët më punën dhe përkushtimin e tyre janë bërë shembull që duhen ndjekur dhe kanë hyrë në histori si ruajtës dhe mbrojtës të paqes, jetës, lirisë dhe prosperitetit të qytetarëve të Kosovës, të rajonit e të kombit tonë”, vuri në dukje presidenti.

Ai i shprehu mirënjohjen amabsadorit, për përkushtimin në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për mbështetjen e vazhdueshme të të drejtave të shqiptarëve, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin më të madh të shqiptarëve.

Presidenti pati dhe një koment për librin për Reçakun që po boton Walker.

“Ky libër do të jetë një kontribut i rëndësishëm dhe i shtuar për arsyet dhe parimet që bota demokratike, SHBA dhe NATO vendosën të ndërhyjnë dhe i dhanë fund gjenocidit serb në Kosovë”, tha ai./Atsh.al

Të Ngjajshme

Përfundon takimi në Ambasadë, Jeff Hovenier del me deklaratë

admin

Ish-pjesëtari i Wagnerit rus: Ata që refuzonin të luftonin pushkatoheshin, Prigozhin është djall

admin

Një rrugë e Prishtinës të mbajë emrin e Joe DioGuardit

admin

Leave a Comment