October 1, 2023
Portali Shprehja

Bideni në OKB: Të qëndrojmë të bashkuar kundër Rusisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke thënë se seanca e këtij viti është në “hijen e luftës”, por se bota në asnjë rrethanë nuk duhet të lejojë Rusinë të “brutalizojë” Ukrainën pa pasoja.

Gjatë fjalimit të tij, Biden ka thënë se asambleja e OKB-së këtë javë është “errësuar nga hija e luftës”, të cilën ai e përshkruan si “një luftë të paligjshme pushtuese me provokime të hapura nga Rusia” kundër Ukrainës.

“Asnjë komb nuk dëshiron që lufta të përfundojë më shumë se Ukraina”, ka thënë ai, duke përsëritur mbështetjen amerikane për Kievin dhe përpjekjet e tij për të sjellë zgjidhje diplomatike për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

Ai thotë se Rusia mban përgjegjësinë e vetme për luftën në Ukrainë dhe se vetëm ajo ka fuqinë për t’i dhënë fund luftës menjëherë.

“Vetëm Rusia qëndron në rrugën e paqes, sepse çmimi i Rusisë për paqen është kapitullimi i Ukrainës, territori ukrainas. Rusia do të lodhet dhe ne nuk duhet ta lejojmë atë të brutalizojë Ukrainën pa asnjë pasojë”, ka thënë Biden.

“Rusia beson se bota do të lodhet dhe do ta lejojë atë të brutalizojë Ukrainën pa pasoja. Por unë ju pyes këtë: Nëse braktisim parimet bazë të Kartës së OKB-së për të qetësuar një agresor, a mundet ndonjë shtet anëtar të jetë i sigurt se është i mbrojtur? Nëse le të ndahet Ukraina, a është e sigurt pavarësia e ndonjë kombi?”, pyet Biden.

Ai gjithashtu theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit të Ukrainës.

Biden shfrytëzoi rastin për të folur për ekzistencën e inteligjencës artificiale, duke besuar se ajo mbart me vete një dozë rreziku.

Biden thotë se inteligjenca artificiale duhet të jetë “e sigurt” përpara se të futet në përdorim. Ai shton se qeveritë duhet ta menaxhojnë këtë teknologji – jo anasjelltas.

“Ne duhet të sigurohemi që t’i përdorim këto mjete si mundësi, jo si armë shtypjeje”, thotë ai.

Përveç kësaj, një kërcënim ekzistencial, sipas Bidenit, është edhe ndryshimi i klimës.

Duke renditur një sërë fatkeqësish natyrore të kohëve të fundit – valët e të nxehtit në SHBA dhe Kinë, zjarret në SHBA dhe Evropë, thatësira në Afrikë dhe përmbytjet në Libi – Biden thotë se këto tregojnë se çfarë e pret botën nëse nuk reduktohet varësia nga lëndët djegëse fosile.

Përtej inteligjencës artificiale, ndryshimeve klimatike dhe Ukrainës, ai ka thënë se SHBA-ja dëshiron të “menaxhojë me përgjegjësi” marrëdhëniet e saj me Kinën.

“Kur bëhet fjalë për Kinën, dua të jem i qartë dhe i qëndrueshëm. Ne përpiqemi të menaxhojmë me përgjegjësi konkurrencën midis vendeve tona në mënyrë që të mos ketë konflikt”, përfundoi Biden.

.

Të Ngjajshme

Arsyeja e vërtetë e vdekjes së Beethovenit

Vuçiq flet sërish për sulmin terrorist në Banjskë, thotë se do të dalë “me dëshmi” të reja

Dua Lipa në filmin kinematografik, sëbashku me John Cena

Leave a Comment