June 21, 2021
Portali Shprehja

Birësimi i fëmijëve mision i vështirë, autoritetet: Numri i kërkesave shumë i lartë

“Unë dua të marr fëmijën, unë jam në gjendje gjithçka të bëj për atë fëmijë.”

 

Tashmë tre vitet ky çift nga kryeqyteti pret lejen e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për birësimin e një fëmijë. Kjo temë është edhe më e ndjeshme për gruan, e cila u përlot kur na tha se dëshira e saj më e madhe është që në krevatin që për vite është bosh, të dëgjohen të qarat e një foshnje. Çifti në fjalë ka dorëzuar disa herë dokumentacionin e nevojshëm dhe thotë se i plotëson të gjitha kushtet dhe pasi kanë kaluar filtrat e nevojshme janë regjistruar në Regjistrin për Birësim. Madje çifti ka blerë edhe shtëpi që fëmijës të mos i mungojë asgjë.

“Unë edhe shtëpinë kur e kam blerë, e kam blerë vetëm për fëmijën, për shkak se e kam përgatitur çdo plan që të kem afër çerdhen sepse jam në punë, shkollën. Çdo gjë ta ketë afër fëmija që ai të mos heq për asgjë, të mos i mungojë asgjë. Më së shumti jam e prekur kur shtrihem të fle, kur e shoh krevatin afër vetes, jam shumë, shumë e mërzitur, e prekur në zemër, sikur çdo femër që dëshiron të bëhet nënë. Ministria na ka thënë se të gjitha i kemi plotësuar dhe na kanë vendosur në regjistrin për birësim. Për momentin kanë thënë fëmijë nuk ka. Nuk më jepet e drejta për të marrë një fëmijë që do e rrisja me aq shumë dashuri, e kam një freski në shpirt aq shumë i dua fëmijët”, u shpreh një aplikuese për birësim.

Në bazë të dokumenteve çifti i plotëson të gjitha pikat e parashikuara në Ligjin për Birësim. Për të birësuar foshnjë ligji parashikon që asnjëri nga partnerët të mos jetë mbi 45 vjeç. Burri në fjalë tani është 41 vjeç dhe ka frikë se vonesat e tjera mund të bëjnë që të s’kualifikohet si birësues i një foshnje, për shkak të moshës.

“Në 2018 i kam dorëzuar dokumentet, që tre vjet. Dokumentet e treta i kemi tani. Në dhjetor ne po dorëzonim dokumentet dhe na thanë në pranverë, verën që vjen, domethënë verë e 2019 do ta merrni fëmijë. Çfarë na kanë kërkuar të gjitha i kemi plotësuar. Të drejtën janë duke na e mohuar. Nuk e di cila është arsyeja. Nëse ka edhe ndonjë gjë tjetër le të tregojnë, pa problem do t’i plotësojmë”, tha aplikuesi për birësim.

Kontaktuam Komisionin për Birësim nga ku na thanë se pyetjeve për rastin konkret dhe shumë pyetjeve të tjera që ngritën rreth procedurës së birësimit, do të na përgjigjen gjatë javës së ardhshme. Nga ky Komision thonë se procedurat zgjasin shumë për shkak se numri i kërkesave për birësim është më i lartë se numri i foshnjave të shëndetshme në dispozicion. Periudha kohore nga dorëzimi i kërkesës deri në vendosjen në Regjistrin për Birësim është 7 deri 8 muaj. Sapo një fëmijë është në dispozicion për birësim, sistemi kompjuterik përzgjedh 3 birësues potencial, ndërsa komisioni vendos për një prej tyre. Çiftet që kalojnë moshën 45 vjeçare pasi janë regjistruar në Regjistrin për Birësim, nuk mund të birësojnë foshnja, por vetëm fëmijë më të rritur.

Evi Shkopi

.

Të Ngjajshme

Një në tre qytetarë në Maqedoni të Veriut nuk e dinë kush është kryetari i komunës së tyre

admin

Pritje të shumta në Tabanoc për të hyrë në Maqedoni

admin

Ohër-Strugë, kërkohet tërheqja e turistëve të huaj

admin

Leave a Comment