Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të organizojë një darkë joformale me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën, më 11 maj.
Këtë vit, sipas njoftimit, çështja e sigurisë në Evropë do të jetë në krye të agjendës në mes të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.
Burimet diplomatike në Brukel thonë se në këtë takim do të diskutohet edhe për implikimet që ka në rajonin e Ballkanit Perëndimor lufta në Ukrainë, për përballjen me fushata të dezinformimit dhe për rrezikun që mund të paraqesë për rajonin tentimi i Rusisë për të bërë veprime destabilizuese.
Të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Serbisë, u janë bashkuar qëndrimeve të BE-së rreth agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe i kanë mbështetur edhe sanksionet ndaj këtij shteti. Përshtatja e vendeve të rajonit me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë është pothuajse 100 për qind, përveç në rastin e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
Në BE pohojnë se presin edhe nga Serbia që t’i mbështesë sanksionet ndaj Rusisë që i ka vendosur Bashkimi Evropian, sepse në këtë mënyrë do të dëshmohej përkushtimi i qartë i saj për të ardhmen evropiane.
Edhe pse në BE janë të kënaqur për votën e Serbisë në OKB për të përjashtuar Rusinë nga Komisioni për të drejtat e njeriut, mes vendeve anëtare të BE-së ekziston një zhgënjim i madh për kundërshtimin e Serbisë që t’i mbështesë edhe sanksionet ndaj Rusisë.
Pritet që sot liderët të diskutojnë edhe për nevojën që BE-ja të jetë më e angazhuar në përshpejtimin e procesit të zgjerimit, si proces i cili ndikon edhe në dinamikën e reformave dhe në bashkëpunimin rajonal mes tyre./rel