November 26, 2022
Portali Shprehja

Bosnja mban zgjedhjet e përgjithshme

Bosnjë e Hercegovina po mban zgjedhjet e përgjithshme më 2 tetor, por pak ndryshim pritet për udhëheqjen e shtetit të mbërthyer nga klientelizmi, korrupsioni dhe varfëria.

Në total, 3.368.666 votues kanë të drejtë vote dhe ata do të zgjedhin 518 anëtarë të rinj të trupave qeveritarë.

Vendvotimet u hapën në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura për 12 orë. Për këto zgjedhje janë akredituar mbi 60.000 vëzhgues.

Votuesit në Bosnjë e Hercegovinë mund të zgjedhin nga mbi 100 parti dhe koalicione, në zgjedhjet e teta të përgjithshme të vendit.

Por, peizazhi paszgjedhor në këtë shtet të Ballkanit me gjasë do të dominohet nga personalitetet e njëjta që kanë lulëzuar në krizat ekzistenciale përgjatë viteve dhe madje kanë përforcuar qëndrimet e tyre etnike gjatë fushatë zgjedhore.

Për çfarë po votohet në këto zgjedhje?

Qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin tri anëtarët e Presidencës boshnjake dhe 42 deputetë të Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë parlamentare, për një mandat katërvjeçar.

Në nivel të entitetit, 98 deputetë do të zgjidhen për Parlamentin e Federatës boshnjake dhe kroate si dhe 83 për Parlamentin Kombëtar të Republikës Sërpska.

Po ashtu, në Republikën Sërpska zgjedhjet mbahen edhe për presidentin dhe zëvendëspresidentin e entitetit.

Në Federatën boshnjake dhe kroate, në total 289 deputetë do të zgjidhen në dhjetë parlamentet e kantoneve.

Në zgjedhje po marrin pjesë 127 subjekte politike, prej të cilave 72 janë parti, 38 koalicione dhe 17 kandidatë të pavarur. Në nivel të përgjithshëm, numri i personave që po garojnë në zgjedhje është 7.258.

Në mbarë vendin janë 5.903 qendra votimi dhe 21 qendra votimi janë hapur në ambasadat dhe misionet konsullore që Bosnjë e Hercegovina ka në vende të ndryshme.

Zgjedhjet po ashtu po mbahen në kohën e pushtimit rus të Ukrainës që ka ndarë edhe më tej Bosnjën dhe ka rritur frikën se mund të rriten tensionet në këtë shtet të Ballkanit Perëndimor.

Bosnja është e ndarë në Federatën boshnjake dhe kroate dhe në entitetin e Republikës Sërpska, sipas Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, që i dha fund luftës trevjeçare në këtë ish-republikë të Jugosllavisë.

Vëmendje po ashtu i kushtohet garës në Republikën Sërpska dhe liderit të saj, Milloard Dodik, i cili po shtyn përpara përpjekjet për shkëputjen e këtij rajoni të dominuar nga serbët.

Dodik ka raporte të ngushta me Serbinë dhe Rusinë dhe llogarit në mbështetjen e tyre diplomatike dhe edhe në mbështetjen që t’i rezistojë strukturave federale të Bosnjës dhe presionit ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Dodikut, fillimisht më 2017, dhe më pas sërish në janar të këtij viti për shkak të përpjekjeve të tij për ndarje./rel/

.

Të Ngjajshme

KATAR/ Shpërthen zjarri pranë stadiumit ku do të luhet Argjentinë-Meksikë

Policia serbe largon migrantët nga rreziku pas të shtënave në kufi me Hungarinë

7 kombinime ushqimesh që s’duhet t’i vendosni kurrë pranë njëri-tjetrit

Leave a Comment