Gjykata Penale e Shkupit ka shqiptuar aktgjykimin për herë të dytë për rastin “Erasmus”, me çrrastë i akuzuari Bobek Shuklev u dënua me 4 vjet e gjashtë muaj burg për “marrje ryshfet”, Sllave Ristevski u dënua me katër vjet burg, Dragan Denkovski u dënua me dy vite burg me kusht, nëse në pesë vitet e ardhshme nuk përsërit veprën penale.
Gjykata, të akuzuarve Bobek Shuklev dhe Sllave Ristevski ua ndaloi kryerjen e profesionit të profesorit për pesë vite.
Ndryshe, ky është gjykimi i dytë për rastin “Erasmus”, pasi në qershor të vitit 2021, Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim lëndën “Erasmus” dhe nuk konfirmoi dënimet me burg për profesorët e Fakultetit Ekonomik të shqiptuara më parë nga Gjykata Penale.
Tre profesorët Bobek Shuklev, Dragi Janev, Sllave Ristevski dhe demonstruesi Dragan Denkovski u ndoqën penalisht për marrje ryshfeti nga studentët për shkrimin e notave kaluese. Me rastin e shqiptimit të dënimit, për profesorët Shuklev dhe Janev, gjyqtari po ashtu tha se është vërtetuar se ata kanë kërkuar edhe shërbime seksuale nga studentet.
.