Fabio Capello foli për Milanin e të pamposhturve mes anekdotash dhe kujtimesh. Ai shpjegoi prapaskenat e një ekipi që bëri histori dhe fitoi shumë. Më shumë në Itali sesa në Evropë, ku sërish ngriti Champions League në Athinë.
Fabio Capello e filloi rrëfimin: “Është krenari kur të tjerët më kujtojnë 58 ndeshje të Serie A pa humbje. Megjithatë, në atë periudhë ka pasur edhe momente të vështira, si në javën e fundit të Serie A (1991-1992). Në Foggia, javën e fundit po humbnim 2-1 mbas pjesës së parë.
Disa nga puliezët, që u kthyen në dhomat e zhveshjes, thanë: Ja sa i vlen lëkura Milanit. Mancini, portieri i tyre, madje kishte ironizuar Van Basten. Unë hyra në dhomat e zhveshjes dhe thashë: Ti e kupton se po tallen me ty. Shko në fushë dhe tregoju cili je. Ndeshja përfundoi 8-2 për ne…”
Kjo seri pozitive u ndërpre në “San Siro” ndaj Parmës. Kuqezinjtë u mundën 1-0, me golin e Asprilla: “Zakonisht, Zola i godiste gjithmonë goditjet e lira te Parma, por këtë herë Asprilla e mori përsipër këtë, duke zemëruar edhe trajnerin e vet. Dhe shënoi gol… Ajo seri pamposhtmërie e jona prej 58 ndeshjesh duhej të fillonte dhe të përfundonte pikërisht kundër Parmës”.
EURO-DERBY – Capello përfundoi duke folur edhe për euro-derbin: “Shpresojmë që tifozët e Interit të pendohen që nuk shënuan golin e tretë në gjysmëfinalen e parë. Interi po ecën me shpejtësi të plotë dhe Milani kishte disa probleme. Rezultati i së mërkurës së kaluar mund të ishte më i thellë se 2-0.
Ndoshta do të duhej një goditje fati ose një natë e madhe e kuqezinjve për ta përmbysur. Nëse mendojmë se Leao do t’i zgjidhë të gjitha problemet…? Nuk mund t’ia dalësh i vetëm në futboll. Le të shpresojmë që të jetë një ndeshje e mirë, por Interi është sigurisht favorit”.
.