January 27, 2021
Portali Shprehja

Çfarë pason pas dorëheqjes së Hashim Thaçit?

Hashim Thaçi, të enjten, më 5 nëntor dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës.
Ky vendim erdhi pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në një konferencë për media në Prishtinë, Thaçi tha se është njoftuar zyrtarisht për konfirmimin e aktakuzës. Ai tha se jep dorëheqje nga posti i presidentit, pasi që nuk do që të përballet me drejtësinë, duke qenë në krye të shtetit të Kosovës.
“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës. Prandaj, për të mbrojtur integritetin e presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës , popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin edhe me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.
Sipas Thaçit, aktakuza ndja tij dhe eksponentëve të tjerë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “është çmim i vogël, i radhës që kërkohet të paguajmë për lirinë e vendit dhe popullit tonë”.
Në fund të adresimit të tij, ai tha se beson që nga ky proces i përballjes me drejtësinë “do të dalim faqebardhë”.
Për çka dyshohet Thaçi?
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 24 qershor ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas Zyrës së Prokurorit, ata janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.
Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.
Më herët gjatë të enjtes, kreu i PDK-së, Kadri Veseli njoftoi se Dhomat e Specializuara i kanë konfirmuar aktakuzën.
Ndryshe, Prokurori i Specializuar e ka gjykuar të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, “për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”.
Përveç kësaj, në komunikatë është thënë se Thaçi dhe Veseli “kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.
“Nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, është thënë në njoftim.
Në korrik, Thaçi është marrë në pyetje nga prokurorët në Hagë për katër ditë me radhë, ku ka folur, siç ka deklaruar, për rolin e tij, përgjegjësitë e tij gjatë luftës, në periudhë që mbulon mandati i Gjykatës Speciale.
“Pikërisht, përpjekjet për të rishkruar historinë, përpjekjet për të njollosur luftën tonë të drejtë, janë gjithashtu përpjekje për të njollosur intervenimin humanitar të NATO-s në Kosovë. Por, e vërteta jonë e dhimbshme dhe krenare, është e pastër si loti, ndërsa historinë tonë nuk do të mund ta ndryshojë askush. Ajo është e drejtë, është e pastër dhe jemi krenarë”, u shpreh ai më 16 korrik pas daljes nga prokuroria në Hagë.
Thaçi më 29 qershor pati deklaruar se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita e presidentit.

Të Ngjajshme

Ballafaqim faktesh: Cilat medikamente ndihmojnë ndaj koronavirusit dhe cilat jo?

admin

Finalja me Serbinë, profesori tregon zgjidhjen: Ja opsioni që e mbështesin ndërkombëtarët

admin

Premtimi i Ramës – Ku janë vaksinat e Janarit?!

admin

Leave a Comment