February 1, 2023
Portali Shprehja

Cilat janë rreziqet e ekspozimit të fëmijëve tuaj me foto dhe video në rrjetet sociale

Në Shtetet e Bashkuara, termi “Sharenting” (nga share, d.m.th. të shpërndash, dhe parenting, d.m.th. të prindërosh) u krijua për të përshkruar fenomenin e ndarjes së vazhdueshme nga nënat dhe baballarët e momenteve të jetës së përditshme të fëmijëve të tyre. “Ka disa aspekte që duhen marrë parasysh kur zgjedhim të ndajmë një foto të një të mituri në internet – shpjegon Dr. Brunella Greco, sociologe dhe eksperte në Save The Children mbi temën e mbrojtjes së të miturve në internet.

“E para ka të bëjë me faktin se publikimi i fotove të fëmijës sonë kontribuon në ndërtimin e identitetit të tij dixhital dhe sot e dimë mirë se cila është vlera e imazhit tonë online”, shprehet Greco. Në të ardhmen, për shembull, fëmija ynë mund të ndihet i turpëruar nga fotot e postuara të tij në momente të sikletshme. “I mituri nuk mund të shprehë pëlqimin e tij – vijon Greco. – Identiteti dixhital sot, pikërisht për shkak të risive teknologjike që po përjetojmë, është një temë gjithnjë e më qendrore”.

Ndarja: rreziqet për rritjen e shëndetshme të fëmijëve

Aspekti tjetër problematik i ndarjes ka të bëjë me pasojat psikologjike: jetojmë në një shoqëri të performancës dhe nëse më parë kishte vetëm nota në shkollë dhe sport për të ndezur konkurrencën, sot janë shtuar edhe pëlqimet. “Fëmijët e përjetojnë këtë lloj presioni social, ata e ndiejnë atë, – sqaron Giuseppe Lavenia, psikolog dhe psikoterapist, ekspert në varësitë teknologjike dhe bullizmin kibernetik. – Rrjetet sociale e kanë çuar kërkimin e pëlqimeve në ekstreme dhe aktivizohet një mekanizëm me anë të të cilit, nëse nuk ndiqem, nëse nuk marr mjaftueshëm vlerësim, nuk ekzistoj”. Shumë prindër ndonjëherë as nuk e kuptojnë se po nxisin këtë lloj dinamike: ata i kërkojnë fëmijës së tyre të buzëqeshë, të bëjë një foto dhe ta publikojë atë dhe të ndajë ‘suksesin’ e postimit. “Fëmija do të fillojë të dëshirojë të dijë sa pëlqime ka marrë, të masë vlerën e tij në lidhje me pëlqimet. Dhe kjo do të ndodhë pikërisht në momentin kur ai fillon të ndërtojë imazhin e tij të parë për veten, të lidhet me botën jashtë asaj prindërore”, saktëson Greco.

Kujdes ndaj të dhënave sensitive të të miturve

Rreziku tjetër, kur bëhet fjalë për postimin e fotove të të miturve në internet, është ai i shpërndarjes së pavullnetshme të të dhënave të ndjeshme, me një postim ose foto mund të zbulojmë shumë më tepër të dhëna sesa imagjinojmë. “Ne mbjellim gjurmët e fëmijëve tanë përpara se ata të mund të formojnë dhe të zgjedhin identitetin e tyre dixhital”, shpjegon Lavenia. “Qëndrimi, karakteri, sporti, lëndët që preferojnë në shkollë apo lodrat që duan. Pa e kuptuar, ne mund të japim mijëra informacione që mund të përdoren në proceset e afrimit dhe të nxitjes seksuale”, shpjegon Greco. Rreziku tjetër shumë serioz është që fotot e fëmijëve të bëhen pornografi për fëmijë. “Këto janë materiale që shpesh dalin nga foto të pafajshme, – vazhdon Greco. – Duhet të kemi gjithmonë parasysh se ato që ngarkojmë në internet vështirë se mund të eliminohen”.

Të postosh apo jo? 4 këshillat e ekspertëve

Për psikologun Lavenia, zgjidhja nuk është postimi. “Përveç pedofilisë dhe ndarjes së të dhënave sensitive, ne duhet të mendojmë për të ardhmen që do të ketë foto ose video: fëmijët tanë më të mëdhenj të paktën do t’i përjetojnë ato si të sikletshme dhe, për disa prej tyre, fotot e vjetra mund të bëhen arsye për t’u sjellë vërdallë nga shokët e klasës apo dukuri reale të bulizmit kibernetik. Nuk ka alternativë, e vetmja zgjidhje është të ndalojmë postimin e fotove dhe videove të fëmijëve tanë në rrjetet sociale”. Por nëse vërtet dëshironi të postoni një foto të fëmijëve tuaj, nëse pozicioni juaj është më pak i ngurtë për këtë temë, Dr. Greco ka disa këshilla të dobishme për përdorimin korrekt dhe të sigurt të rrjeteve sociale.

-Shmangni fotot e momenteve intime si koha e banjës dhe shmangni postimin e fotove ku fytyra është nga afër ose ku shihen fëmijë të tjerë;

-Kini kujdes të mos shpërndani informacione ose të dhëna delikate, si adresa e shkollës ose e shtëpisë, vendi i pushimeve ose palestrën ku fëmija luan sport;

-Kërkoni, nëse është e mundur, pëlqimin e fëmijës;

-Kufizoni privatësinë e këtij lloj postimi vetëm për miqtë tanë.

.

Të Ngjajshme

Taravari: për ASH-në mbetet prioritet lufta kundër korrupsionit dhe funksionimi i shtetit të së drejtës

Sevilja forcohet me lojtarë nga Totenhami dhe Marseja

Grupi i Zjarrit në Kërçovë: Ahmetin e mbrojmë vetëm ne

Leave a Comment