Covid-19, mbi 960 mijë të shëruar në mbarë botën

Të dhënat e fundit të Organizatës Botërore të Punës tregojnë se pandemia dhe masat e izolimit që ndërmorën shtetet për ta luftuar përhapjen e saj, kanë pasur efekt shkatërrues tek punëtorët e ekonomisë joformale dhe tek qindra miliona ndërmarrje në gjithë botën. 1.6 miliard punëtorë të ekonomisë joformale, që është sa gjysma e fuqisë globale punëtore rrezikojnë të kenë problem me jetesën. Në Amerikë shkalla e humbjes së punës është 12.4%, 11.8% në Evropë dhe Azi Qendrore ndërsa në rajonet tjera mbi 9.5%.

Pas alarmit të OKB-së se kriza rrezikonte zinxhirin e furnizimit me ushqim, Presidenti amerikan, Donald Trump urdhëroi fabrikat për përpunimin e mishit që të vazhdojnë punën. Vendimi vjen pasi 22 fabrika mishi ishin mbyllur shkaku i vdekjes së 20 punëtorë të përpunimit të mishit, nga 3 300 të infektuar me COVID 19. Numri i përgjithshëm i të infektuarve me Koronavirus në SHBA ka shkuar në mbi 1, 035 000, ndërsa i viktimave në rreth 60 000.

Me rënien e shkallës së infektimeve dhe viktimave ditore, Spanja prezantoi planin 4 fazësh të izolimit dhe kthimin në “normalitetin e ri” deri në fund të qershorit. Secili rajon do të lirojë masat në kohë të ndryshme, varësisht prej shkallës së infektimit, duke filluar me 4 ishujt spanjoll më 4 maj. Si shteti i dytë më i prekur në botë, kishte marrë masat më rigoroze të mundshme nga 14 marsi, ashtuqë vetëm nga e diela ua lejoi fëmijëve të dalin për një orë në ditë, ndërsa më 2 maj të gjithë qytetarët do të lejohen të dalin jashtë.

Ndërkohë që Franca dhe Britania e Madhe po hulumtojnë situatën me disa fëmijë, që kanë simptoma të virusit, autoritetet zvicerane dolën me qëndrim se është vërtetuar shkencërisht se fëmijët nën 10 vjeç nuk mund të infektohen dhe ta bartin virusin. Shefi për Sëmundje Infektuese në Ministrinë e Shëndetësisë së Zvicrës, Daniel Koch tha se gjyshërit lirisht mund t’i takojnë nipërit e mbesat e tyre. Zvicra është në mesin e shteteve që lehtësuan masat e izolimit. Këtë javë hapi kopshtet dhe parukeritë, derisa shkollat dhe dyqanet tjera që shesin produkte jo të domosdoshme do t’i rihap dy javët e ardhshme.

Nga ana tjetër, Gjermania e cila poashtu ka zbutur shumë masa kufizuese, po planifikon ta shtyjë deri në mes të qershorit rekomandimin për të mos udhëtuar jashtë vendit.

Sipas ueb-faqes Worldometers, e cila gjurmon rastet e koronavirusit, deri më 28 prill, Serbia ka testuar mbi 7,700 persona në një milion banorë, Kroacia rreth 8,000 persona, Bosnjë e Hercegovina mbi 8,000, Maqedonia e Veriut rreth 7,300 dhe Mali i Zi ka testuar 8,100. Më së paku testime janë realizuar në Kosovë rreth 4000 në një million banorë dhe në Shqipëri 2600 në një million banorë. Ndërkohë në 24 orët e fundit, Shqipëria ka regjistruar 16 raste të reja me COVID, ndërsa 24 pacientë janë shëruar. Në Kosovë deri më tani janë regjistruar 790 persona të infektuar, 232 të shëruar dhe 22 të vdekur.

Anesa Salihu

.

loading...

Të ngjajshme

Regjistrohen mbi 10 mijë raste nga Covid-19 në Suedi

shprehja

BE, 3.3 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor në përballimin e krizës me COVID-19

shprehja

Shumica e gjermanëve kundër lirimit të masave kufizuese

shprehja

Duke përdorur shërbimet e Portalit Shprehja ju pajtoheni me përdorimin tonë të Cookies. Pranoj Lexo më shumë