Lajme të reja për rastin Dani Alves, i akuzuar për përdhunim nga një vajzë spanjolle. Media braziliane UOL ka siguruar së fundmi pamjet e plota (tre orë video) të asaj që ndodhi natën e 30 dhjetorit në diskotekën e Barcelonës “Sutton Club”, para dhe pas episodit që ktheu përmbys jetën e ish-mbrojtësit të Juventusit.
Për momentin, pamjet nuk mund të shfaqen për shkak të sekretit gjyqësor dhe mbrojtjes së identitetit të viktimës, por portali ka dhënë një pasqyrë të detajuar të fakteve.
Ndërveprimet mes Danit dhe 23-vjeçares, të regjistruara nga kamerat e lokalit, mund të ndahen në tre pjesë: minutat e para të kaluara të shkujdesur së bashku në zonën VIP, ato para hyrjes në tualet dhe çfarë ndodh pas 15 minutave të kaluara në tualet.
Në fazën e parë ka një atmosferë gazmore ku vajza dhe kushërira e saj kërcejnë së bashku me lojtarin dhe mikun e tij Bruno Brasil, të cilët e kishin shoqëruar atë mbrëmje.
Pamjet dëshmojnë për episodin në të cilin viktima largohet nga futbollisti pasi ai e kap nga mbrapa. Menjëherë pas kësaj sportisti ngrihet dhe shkon drejt derës së banjës private.
Kamerat nuk e tregojnë këtë hyrje, por këmbët e saj mund të shihen të pasqyruara në një pasqyrë. Ndërkohë vajza teksa flet me persona të tjerë shikon disa herë derën e banjës para se ta shkojë atje.
Sipas dëshmisë së saj, Alves do të kishte bërë një shenjë për ta ndjekur, por ajo pretendon se nuk e kishte kuptuar që ishte një banjë. UOL zbulon se nuk kishte indikacione se ishte një banjë. Gjithashtu, një punonjës i lokalit konfirmoi se dera nuk kishte sinjalistikë.
Pamjet kapin sërish Dani Alves teksa del i vetëm nga banja. 23-vjeçarja rishfaqet vetëm më vonë dhe pasi shkëmben disa fjalë me kushërirën e saj largohet.
Kamera, e vendosur në derë dhe përballë pjesës së brendshme të Sutton Club, tregon akuzuesen dhe shoqëruesen e saj teksa bëjnë rrugën drejt daljes. E para i tregon gjurin e dëmtuar tjetrës dhe fillon të qajë.
Ato përqafohen dhe një roje sigurie e klubit vjen për t’i ndihmuar duke thirrur menaxherin e klubit (i cili më pas thërret policinë dhe ndihmën mjekësore).
Ndërkohë Dani Alves dhe Bruno kalojnë me shpejtësi pranë tyre: lojtari kalon praktikisht më pak se një metër nga gruaja me të cilën ishte në banjë pak minuta më parë, pa asnjë kontakt me sy. Menjëherë pas kësaj, gruaja u transportua me ambulancë në spitalin e Barcelonës, ku iu nënshtrua disa analizave.
Dani Alves në burg: sa vite rrezikon?
Dani Alves përballet me 12 vite burg. Hetimi duhet të përfundojë deri në fund të verës.
Ndërsa nga njëra anë Prokuroria ka theksuar se ai ka të bëjë me “një krim të dhunës seksuale (…) që parashikon një dënim nga 4 deri në 12 vjet burgim”, është e mundur që lojtari të rrezikojë mes 8 dhe 10 vjet për “abuzim të supozuar superioriteti” dhe për çdo dëmtim psikologjik të gruas së përfshirë.
.