Juventusi është në turne në SHBA dhe pas partneriteteve e vizitave të ndryshme të ish-lojtarëve, bardhezinjtë kanë marrë komplimentat e ish-kapitenit Alessandro Del Piero. Ish-numri 10 i Juventusit foli më pas për kanalin Twitch të klubit:
“Jam i lumtur që ata erdhën këtu për të marrë pak ajër të pastër, duke pasur parasysh temperaturat në Torino. Jam shumë i lumtur që takova disa miq dhe qëndrova pak me skuadrën në këtë moment të përgatitjeve. Kur kthehesh në ish-ekipin tënd është gjithmonë një moment delikat dhe emocionues, sepse zbulon fytyra të reja. Ne e shijuam stërvitjen dje.
Në këtë ekip ka disa djem me cilësi të jashtëzakonshme. Unë i njoha nga afër, shumë kanë qëndrimin e duhur për të bërë mirë dhe për të kuptuar peshën e kësaj fanelle. Padyshim që më vjen në mendje Chiesa, me një paraqitje të jashtëzakonshme deri kur u dëmtua. Përfitoj nga rasti t’i uroj atij fat për një rikthim të shpejtë. Vlahovic më bëri përshtypje në një mënyrë shumë pozitive”.
Ish-kapiteni i Juventusit nuk humbi rastin të kujtojë Giampiero Bonipertin, me të cilin kishte një marrëdhënie të mrekullueshme: “E kujtoj gjithmonë me shumë dashuri. Kam pasur edhe fatin të takoj një pjesë të familjes së tij, që është e jashtëzakonshme. Herën e parë e takova në moshën 16-vjeçare.
U gjenda bashkë me një personazh si Boniperti, i cili më kishte ftuar në dhomën e tij për të përfunduar marrëveshjen. Asokohe isha fëmijë, për mua ishte e gjitha e re. Per mua ishte një njeri i shenjtë në çdo gjë, por sidomos si ikonë e Juventusit. Ai ua ka transmetuar të gjithëve, përfshirë edhe mua, atë që do të thotë ky ekip. Të gjithë e kujtojnë atë për atë që na mësoi”.
.