May 11, 2021
Portali Shprehja

Dialogu të përfundojë me njohje, duhen kompromise – Iliria News Agency

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke, teksa ka theksuar se në procesin e dialogut duhet të ketë kompromise deri në zgjidhjen përfundimtare.

“Natyrisht që njohja e Kosovës do të jetë një nga elementet e zgjidhjes, përndryshe s’do të realizohet. Është normale që në dialogjet për normalizim, duhet të ketë dhe ka kompromise. S’dua të tërheq linja të kuqe, por e di që edhe nga ana tjetër, për shkak të rrethanave historike do të jetë e vështirë dhe s’dua ta ngarkoj edhe më tej procesin, por në fund të procesit dëshiroj të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet”, ka deklaruar ai. Çështjen e kompromiseve në dialog ditë më parë e përmendi edhe presidenti amerikan, Joe Biden, në një letër drejtuar kryeministrit Albin Kurtit.

Maas i prerë: Gjermania përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën – Vijat në harta të rrezikshme

Heiko Maas, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, ka qenë i prerë sa i përket dy çështjeve që janë të ndërlidhura me Kosovën, në konferencën për media pas takimit me presidenten Vjosa Osmani. Ai është shprehur i qartë se Gjermania përkrah liberalizimin e vizave për kosovarët, ndërsa ka theksuar se zgjidhja e çështjes së rajonit përmes kufijve të ri është temë e rrezikshme dhe aspak realiste.

Maas është shprehur se në Kosovë së shpejti do të shtohen dozat e vaksinave kundër koronavirusit, ndërsa ka thënë se Gjermania mbështet Kosovën në luftën ndaj COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike. “Kur kemi biseduar rreth temave, e di se për qytetarët e Kosovës me rëndësi është liberalizimi i vizave. I kam shprehur presidentes edhe një herë që qëndrimi i Qeverisë së Gjermanisë është i qartë që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim dhe se ai duhet të jepet. S’është çështje vetëm e përmbushjes së kritereve, por edhe e asaj që BE-ja t’i përmbahet premtimit të dhënë. Ne gjatë presidencës sonë e kemi vënë këtë çështje në krye të agjendës gjatë presidencës sonë të BE-së. Do të angazhohemi edhe për çështje të tjera si njohja e patentë-shoferëve. Ne jemi para një zgjidhjeje”, ka thënë ai. Si pengesë kryesore për zhvillimin e Kosovës në rrugën euroatlantike ai e ka parë dialogun me Serbinë. Ka ofruar mbështetjen e tij për këtë teksa ka thënë se asgjë nuk mund të zgjidhet përmes vizatimeve mbi harta. “Dua të nënvizoj qartë që çështjet që janë shprehur se çështjet mund të zgjidhen me vizatime me vija në harta, i konsiderojmë jo vetëm jorealiste, por edhe të rrezikshme. E konsiderojmë të rrezikshëm edhe diskutimin për këtë. Jam i lumtur që kjo të futet shpejt në sirtar e të jetë pjesë e një dosjeje të kalueshme”, ka shtuar Maas teksa ka ofruar mbështetje për zotimet e Qeverisë së re të Kosovës për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Osmani: Kosova i ka qëndruar lojale SHBA-së dhe BE-së duke mos pranuar vaksina nga Rusia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se ndikimi rus në rajon është i pranishëm nëpërmjet Serbisë. Osmani ka thënë gjatë konferencës së përbashkët për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, se ndikimi rus në rajon bëhet nëpërmjet natyrës ekonomike, politike, ushtarake dhe vaksinave. “Ndikimi rus në rajonin tonë vazhdon ë jetë i mundur nëpërmjet Serbisë. Është bërë në 4 fronte kryesore, i pari është ai i natyrës ekonomike, i dyti është ai i natyrës politike, i treti është i natyrës ushtarake dhe i katërti nëpërmjet vaksinave. Republika e Kosovës i ka qëndruar besnike orientimit të saj pro-perëndimor, i ka qëndruar lojale BE-së dhe SHBA-së duke mos pranuar vaksina nga Rusia. Nganjëherë duket sikur ndëshkohemi për shkak të një qasje të tillë por ne qëndrojmë stoik në këtë qasje dhe ne e rikonfimojmë orientimin tonë strategjik pro-perëndimorë. Bashkëpunimi ynë edhe sa i përket vaksinave është me shtetet e BE-së dhe SHBA-në”, ka thënë Osmani. Sipas saj, ndikimi rus mund të largohet nga Ballkani nëse Bashkimi Evropian e përkrah këtë rajon në procesin e integrimit. “Sa më shumë që BE-ja e përkrah rajonin tonë në procesin e integrimit evropian aq më shumë do ta largojë ndikimin rus këtu, BE-ja ta mbajë fjalën sa i përket liberalizimit të vizave. Të refuzohen ide që nën emra të ndryshëm kanë për qëllim që ne të na lënë në paradhomë ose në pritje. Ne në esencë, në identitet jemi evropianë prandaj edhe hyrja jonë në BE është hyrje në vendin ku na takon dhe ku na ka takuar historikisht”, ka thënë Osmani. Ajo ka folur edhe lidhur me dialogun me Serbinë duke thënë se Kosova do të zhvillojë dialog të bazuar në parime të qarta ndërkohë që ka shtuar se, ndryshimi i kufijve është një logjikë që i takon shekullit të kaluar.

“Çështja e tretë për të cilën diskutuam ishte procesi i dialogut me Serbinë. Në këtë kohë pandemie, qytetarët e Kosovës presin që të merremi në radhë të parë me menaxhimin e pandemisë dhe në radhë të dytë me pasojat ekonomike nga kjo pandemi e po ashtu me sundimin e ligjit. Dialogu me Serbinë është proces në të cilin Kosova ka qenë e përfshirë që nga fillimi. Republika jonë ka ofruar dorën e bashkëpunimit me Serbinë edhe pse Serbia akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë dhe akoma nuk ka drejtësi për mijëra e mijëra viktima. Do të zhvillojmë një dialog të bazuar në parime të qarta, ku Republika e Kosovës nuk do të pranojë të hyjë në aventura të rrezikshme qoftë me ndryshim kufijsh, logjikë kjo që i takon shekullit të kaluar, qoftë me ndryshimin e rregullimit kushtetues të Republikës së Kosovës, i cili do ta rrezikonte funksionalitetin tonë të brendshëm dhe një Kosovë jofunksionale nuk i duhet as Kosovës dhe as partnerëve tanë”, është shprehur Osmani. Ajo ka bërë të ditur se me Maas është diskutuar edhe për përballjen e Kosovës me COVID-19 ku ka falënderuar ministrin gjerman për mbështetjen gjermane në këtë drejtim, ndërkohë që ka kërkuar bashkëpunim të mëtutjeshëm për ta ndihmuar Kosovën për sigurimin e vaksinave. Osmani po ashtu ka thënë se në takimin me shefin e diplomacisë gjermane është diskutuar edhe për liberalizimin e vizave. “Presim nga shtetet e BE-së që ta përmbushin premtimin e tyre në raport me popullin e Kosovës. Janë bërë tashmë disa vite që kur KE-ja ka konfirmuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet. Ka ardhur që shtetet e tjera anëtarë që mund të kenë dyshime ta ndjekin shembullin e Gjermanisë në mënyrë që të gjitha ta përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën. Qytetarët e Kosovës ndihen se nuk po trajtohen njësoj sepse procesi i liberalizimit për ne po trajtohet komplet ndryshe nga ajo se si është trajtuar për shtetet e tjera. Kriteret i kemi plotësuar që moti”, ka thënë Osmani./Koha.net

Të Ngjajshme

Brenda 6 muajve, pas pensionimit, Gani Thaçi mori mbi 176 mijë euro nga BKS – Iliria News Agency

admin

Ardita Sinani, zgjedhet kryetare e Preshevës – Iliria News Agency

admin

Ardita Sinani zgjedhet kryetare e Preshevës – Iliria News Agency

admin

Leave a Comment