February 2, 2023
Portali Shprehja

Djali që ia vranë babanë e motrën në masakrën e Reçakut: Më shërohet zemra kur i shoh në ëndërr

Në mesin e 45 civilëve të vrarë në masakrën e Reçakut janë edhe dy familjarë të Benjamin Mehmetit. Përgjatë 24 vjetëve që nga ajo ditë, Benjamini nuk ka mundur ta tejkalojë dhimbjen për babanë dhe motrën, mirëpo tani është edhe krenar që është pjesë e një familjeje që kontribuoi për lirinë e Kosovës.

14 janar 1999 – Godanc, Shtime: Dy vëllezërit binjakë, Benjamin dhe Elhami Mehmeti, diskutonin me ngulm se cili nga ta do të kthehej në shtëpinë e tyre në fshatin Reçak të Shtimes. Edhe pse më i madh për disa minuta se vëllai i tij, Benjamini vendosi t’ia plotësojë dëshirën Elhamiut.

Kjo zgjedhje, që më vonë rezultoi të ketë qenë vendimtare për jetët e nëntëvjeçarëve, bëri që Benjamini të qëndronte edhe një natë më shumë në shtëpinë e dajës së tij.

Rreth pesë kilometra larg vendlindjes, Benjaminin e mori gjumi atë natë pa asnjë ide se çfarë do t’i sillte e nesërmja.

15 janar 1999 – Reçak, Shtime: Në shtëpinë e familjes Mehmeti, në jugperëndim të Godancit, Elhamiu shoqërohej nga babai, motra dhe vëllai tjetër i tij. Por, edhe pse në shtëpi, ajo ditë nuk nisi aspak normalisht për Elhamiun nëntëvjeçar.

Babai i tij, Bajrami, thuhet se nuk kishte arritur të flinte aspak gjithë natën, nga një frikë se do të ndodhte diçka.

“Prindi thuhet se nuk ka fjetur tërë natën, sikurse e ka ndier se do të ndodhë diçka dhe qysh në mëngjes zgjohet dhe e bisedojnë me djalin e axhës punën se si të ikin”, thotë Benjamini për Radion Evropa e Lirë, duke u bazuar në bisedat që i ka bërë me familjarët e tij.

Meqë të shtënat që kishin filluar pak orë më parë nuk po ndaleshin, sapo lindi dielli në orën 7:03 të mëngjesit, Elhamiu dhe pjesëtarët e tjerë të familjes dolën nga shtëpia dhe u nisën drejt një mali.

Gjatë rrugës, ata u takuan edhe me shumë fshatarë të tjerë dhe së bashku vazhduan rrugën me një synim të vetëm: të shpëtojnë.

“Ata nuk kanë mundur ta dinë që policia dhe ushtria serbe po vijnë edhe nga mali. E kanë pasur synimin të hyjnë në mal, gjë që kanë menduar që sapo të arrijnë te mali, do të shpëtojnë”, shton 33-vjeçari.

I pari nga ai grup që u godit nga forcat serbe ishte Elhamiu, i cili u plagos në këmbë. Më pak fat patën motra e tij 22-vjeçare, Hanumshahja – e cila u vra teksa tentoi ta shpëtojë vëllain e saj – dhe babai i tij 53-vjeçar.

Të gjithë të tjerët shpëtuan pasi arritën të ikin duke kërcyer në një përroskë dhe pastaj duke u fshehur në një objekt prapa një shtëpie.

“Në atë garazh kanë shpëtuar të gjithë, thuajse mbi 20 persona kanë shpëtuar në garazhin që ka qenë e fshehur prapa shtëpisë së komshiut”, tregon Benjamini.

Sipas të dhënave të organizatës Human Rights Watch, të shtënat kishin vazhduar deri në orën 4 pasdite, ndërsa rreth orës 4:30 policia ishte larguar nga fshati.

Më vonë, trupat e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) e dërguan Elhamiun dhe të plagosurit e tjerë të mjekohen në spital në Prishtinë.

Të Ngjajshme

U kap brenda “shtëpisë së barit”, 19 vjeçari shqiptar dënohet me burg në Angli

admin

Bekim Jashari largohet nga politika

admin

Zelensky pritet të takohet me Biden në Poloni

admin

Leave a Comment