Dy orë para mbylljes së votimeve, Mustafa: Dilni dhe vendosni për fatin e Kosovës
Kur kanë mbetur më pak se dy orë nga mbyllja e qendrave të votimit, Besian Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese.
Ai tha se këto orë të fundit janë vendimtare dhe se vota është “e drejtë dhe përgjegjësi kushtetuese” për të përcaktuar drejtimin e vendit për katër vitet e ardhshme.
“Në këto pak orë që kanë mbetur, gjithë qytetarët e Kosovës që kanë të drejtë vote a shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre, të drejtë e përgjegjësi kushtetuese për të votuar për të zgjedhur për katër vitet e ardhshme për fatin e Kosovës dhe atdheut të tyre. Nga gjitha rezultatet që po marrim nga terreni duket se procesi po ecën shumë mirë, është i rregullt në gjitha komunat. Iu bëjë thirrje të gjithë atyre që janë në monitorim të procesit e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor të vazhdojnë të kryejnë punën e tyre pa dallim partie, e orientimi. Ftoj të gjithë qytetarët në këtë festë të demokracisë pa dallim si ata që jetojnë si mërgata ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të vendosur për te ardhmen e tyre pa dallim”, tha ai.