12 C
Skopje
May 23, 2019
Feja Islame

Ebu Hanife – shembulli i dijetarit që duhet pasuar!

Tact

Nuk është qëllimi që në këtë tekst të merremi me përshkrimin e pamjes së jashtme (fizike) të tij dhe as të tregojmë ndodhi për të si jurist islam i jashtëzakonshëm, por këtu do të kufizohemi në aspektin e personalitetit të tij fetar, psikologjik dhe moralo-etik, për të treguar për imam Ebu Hanifen si shembull i dijetarit të vërtetë islam dhe shembull të cilin duhet ta marrin myslimanët, mos ndoshta ajo aromë e këndshme e imanit, ahlakut dhe devotshmërisë do të lë gjurmë tek gjeneratat e tashme islame.

Pikërisht ne jemi para njeriut nga gjenerata e tabi’inëve (gjenerata e dytë e zgjedhur e myslimanëve), jemi para njeriut të madh të ymetit islam, i cili nuk ka qenë i varfër për të mos thënë sesi varfëria e ka detyruar në asketizëm dhe modesti; nuk ka qenë as me pamje të shëmtuar që të mos themi që kjo e ka shtyrë në vetmi dhe izolim nga njerëzit; dhe nuk ka qenë nga ata që posedojnë pak dituri që qëllimkeqët të mund të thonë sesi është paraqitur modest për ta fshehur mangësinë e diturisë. Përkundrazi, ka qenë i pasur, me pamje të bukur, elokuent dhe dijetar i rrallë dhe jurist, por edhe pas kësaj atë e ka stolisur modestia, devotshmëria dhe qëndrimi dinjitoz.

Sherik ibn Abdullah ka thënë: “Ebu Hanife ka qenë njeri i cili gjatë ka heshtur dhe i cili ka poseduar intelekt briliant.” Ndërsa djali i Ebu Hanifes, Hamadi, ka thënë: “Babai im ka qenë me pamje të bukur, i donte aromat, ishte i heshtur dhe dinjitoz dhe nuk është përgjigjur pos në pyetjet e drejtuara direkt dhe nuk është marrë me ato që nuk i kanë interesuar.” Abdullah ibn Mubareku ka thënë: “Nuk kam parë njeri më dinjitoz, më të bukur dhe më të butë në tubimet tona (të dijetarëve) sesa Ebu Hanife.” Ndërsa Jezid ibn Harun ka thënë: “Nuk kam parë njeri me karakter më të butë se Ebu Hanife.”

Ebu Hanife u rrit dhe u edukua para dijetarëve më të mëdhenj të kohës së tij nga të cilët mësoi dituri, por edhe edukatën e bukur dhe devotshmërinë e vërtetë. Kush kanë qenë dijetarët dhe shejhët e tij? Në radhë të parë duhet përmendur Hamadan ibn Ebi Sulejmanin, pastaj Ata’ ibn Ebi Rebah, Esh-Shabiu, Abdurrahman ibn Hurmuz el-A’rexh, Amr ibn Dinar, Nafi’, Katade, Avn ibn Abdullah ibn Utbe, Kasim ibn Abdurrahman ibn Abdullah ibn Mes’udi dhe dijetarë tjerë të mirënjohur të asaj kohe që kanë lënë ndikim vendimtar tek imam Ebu Hanife dhe u ngrit në dijetarin islam të arsimuar lartë, mendjelirë e mbi të gjitha të devotshëm dhe të moralshëm.

Për këtë nuk është çudi që imam edh-Dhehebiu për të ka thënë: “E sa i përket fikhut, precizitetit në mendim dhe zgjidhjen e çështjeve të panjohura dhe të ndërlikuara, Ebu Hanife në këto ka arritur maksimumin dhe dijetarët tjerë në këtë pikëpamje janë fëmijë në krahasim me Ebu Hanifen.”

Ebu Hanife asnjë moment nuk e ka harruar mirësinë që ia kanë bërë shejhët e tij. Thoshte: “Nuk kam falur asnjë namaz, pasi që ka vdekur shejhu im, Hamad ibn Ebi Sulejmani, e që për të nuk jam lutur për falje njëjtë sikur për prindërit e mi. Unë ju kam lutur Allahut që t’i falë ata nga të cilët kam mësuar dituri dhe për ata që i kam mësuar unë me dituri islame.”

Pastaj, ka arritur sukses të lë gjeneratën e nxënësve të tij, por njëkohësisht edhe plejadën e dijetarëve me renome, si: Zufer ibn Huzejliu, Davud et-Tai’, kadiu Ebu Jusuf, Muhamed ibn Hasan, Esed ibn Amr, Hasan ibn Zejd, Ebu Mut’ia el-Belhi dhe dijetarë tjerë të cilët ymetit ia kanë ndriçuar rrugën, duke praktikuar synetin e Pejgamberit, s.a.v.s., dhe trashëgiminë pejgamberike në praktikë.

Duke folur për atë çfarë për të ka pasur Ebu Hanife si mësues dhe sa gjurmë ka lënë tek ai, dijetari i mirënjohur islam, Abullah ibn Mubareku, ka thënë: “Sikur mos të ishin Ebu Hanife dhe Sufjan eth-Thevriu, unë do të isha si masa e rëndomtë.” Sufjan eth-Thevriu ka thënë: “Ebu Hanife në kohën e tij ka qenë njeriu më i ditur në tokë.”

Ky dijetar islam fisnik, det i diturisë islame, nuk ka mësuar dituri për dynja, as për famë dhe lëvdata të dynjasë, por për hir të Allahut dhe ahiretit, për këtë dituria i ka ndihmuar që të stoliset me modesti, devotshmëri dhe adhurim të sinqertë. Ebu Asim en-Nebil ka thënë: “Ebu Hanifen e kanë quajtur shtyllë, për shkak të qëndrimit të gjatë në namaz.”

Për Ebu Hanifen nata nuk nënkuptonte përfundim të kohës së punës, por nata për të ishte fillim i zgjimit afatgjatë në namazin e natës dhe leximin e Kuranit. Kasim ibn M’an transmeton që Ebu Hanife është falur tërë natën duke e përsëritur ajetin:

“Por jo, afati i tyre është kijameti, e kijameti është edhe më i vështirë, edhe më i hidhur.“

(El – Kamer, 46)

– duke qarë dhe me përkushtim duke e kaluar natën në ibadet deri në mëngjes.

Ky ishte dijetari fisnik i islamit i cili kishte aftësi që në tërësi të kontrollonte sjelljen e tij, kështu që na ka lënë në trashëgim shembujt e ahlakut të bukur që nxisin mahnitje.

Sehl ibn Muzahim transmeton që ka dëgjuar Ebu Hanifen duke lexuar ajetet:

“Ndërkaq, ata që u larguan prej adhurimit të idhujve dhe iu drejtuan All-llahut, ata kanë gëzim të madh, e ti përgëzoji pra robërit e Mi!

Të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të mirën prej tyre. Të tillët janë ata që All-llahu i udhëzoi në rrugën e drejtë dhe të tillët janë ata të mençurit.“

(Ez – Zumer, 17-18)

– e pastaj ka thënë: “O Allah i dashur, kush është shkas i ngushllëkut në gjoksat tonë, por zemrat tona janë të gjëra për të.”

Sa i përket devotshmërisë së tij, modestisë dhe angazhimit fetar, ka shumë transmetime për këtë, e ne do të mjaftojmë me atë që ka thënë Abdullah ibn Mubareku: “Nuk kam parë njeri më të devotshëm i cili më shumë e ka refuzuar dynjanë se Ebu Hanife. Në lëkurën e tij ka ndier goditjet e kamxhikut dhe rrahjet shumë herë për ta pranuar vendin e kadiut kryesor, por ai këtë e refuzoi. E kam pyetur njëherë Sufjan eth-Thevriun: ‘Ebu Abdullah, a mund të më thuash çfarë është ajo që Ebu Hanifen e ka larguar nga përgojimi, sepse asnjëherë nuk e kam dëgjuar që ka përgojuar, madje as armiqtë e vet?’ U përgjigj: ‘Pasha Allahun, ai ka qenë shumë më i mençur nga ajo që veprat e mira të tij t’ia lëshojë atij që do t’ia shkatërrojë’.”

Transmetohet që Ebu Hanife e ka dërguar mallin e tij tregtar në Bagdad dhe e shiste e pastaj blinte gjëra ushqimore, i sillte në Kufe dhe u ndante nevojtarëve. Ai u dërgonte ushqimin edhe muhadithëve që mësonin shkencën e hadithit. Nga fitimi i tij u jepte edhe të holla duke u thënë: “Harxhoni për nevojat tua dhe mos falënderoni askënd pos Allahut, sepse unë nuk u kam dhënë asgjë nga pasuria ime, por nga mirësia e Allahut ndaj jush. Ky fitim është i juaji, ngase Allahu ua ka përshkruar dhe të cilin e merrni përmes tregtisë sime.”

The post Ebu Hanife – shembulli i dijetarit që duhet pasuar! appeared first on Islami.press.

Burimi i lajmit

Artikuj të ngajshëm

Letra prekese e djalit drejtuar nënës:”Kjo leter eshte per ty nena ime!”

shprehja

Muhammedi alejhi selam është shpërngulur për në botën e amshuar në moshën..

shprehja

Nusret Kurtishi – Lot per Qaben 2018

shprehja