September 25, 2022
Portali Shprehja

Ekipi qeveritar pret që për 8 vjet vendi të bëhet pjesë e familjes evropiane

Gazetar: Lluka Andreev

Qeveria pret që pas tetë vitesh Shkupi të përfundojë negociatat për anëtarësim me Brukselin dhe vendi të jetë pjesë e zgjerimit të parë të ardhshëm të BE-së, shkruan Alsat.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski informoi se tashmë është formuar struktura negociatore e vendit, ndërsa kryenegociator është emëruar zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq.

Sipas Kovaçevskit, negociatat duhet të vazhdojnë me dinamikë të përshpejtuar në mënyrë që të përfundojnë sa më shpejt.

“Përfundimi i negociatave deri në vitin 2030 është objektivi që i kemi vendosur vetes. Është objektiv real dhe i arritshëm dhe jam shumë i bindur se në zgjerimin e ardhshëm të Unionit do të përfshihet edhe Maqedonia e Veriut. Ne do të punojmë me përkushtim që vendi ynë të jetë i barabartë me të gjitha shtetet e tjera anëtare – të marrim pjesë në krijimin e politikave të Bashkimit Evropian, sigurisht me mbrojtjen e interesave tona shtetërore”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Sipas kryeministrit, që ky proces të jetë i suksesshëm, duhet të mobilizohen të gjitha burimet që disponon shteti.

Edhe zëvendëskryeministri Mariçiq apelon që përveç sektorit civil dhe komunitetit të biznesit në procesin e negociatave të përfshihen në mënyrë aktive edhe opozita, pasi siç thotë ai, na presin një numër i madh reformash.

“Para nesh është një detyrë e vështirë, e cila megjithatë është e realizueshme sepse kemi një synim dhe vizion të qartë për vendin tonë. Rreth atij vizioni dhe këtij qëllimi strategjik duhet dhe duhet të bashkohemi të gjithë, përfshirë edhe partitë opozitare, sepse ky është një proces në interes të shtetit”, u shpreh Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Mariçiq tha se po kërkohen mënyra që opozita të përfshihet në proces dhe paralajmëroi takim me anëtarët e Këshillit Nacional për Integrime Evropiane, ku kryetar është deputeti i VMRO-së Aleksandar Nikollovski./ Alsat.mk

.

Të Ngjajshme

Përmbytjet nga shiu kthejnë rrugët e Indisë në lumenjë

Forumi i Biznesit: Më pak barriera tregtare dhe doganore, më shumë bashkëpunim

Rritja e çmimeve të energjisë falimenton qindra kompani në Gjermani

Leave a Comment