Kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki në një sqarim për media ka folur për mungesën e tij në “promovimin e projektit” për ujësjellësin në Koliçan të poshtëm, për të cilin Sadiki thotë se është projekt i komunës.
“Kjo i vjen si me nis punën pa bismilah edhe nuk ka hajr prej asaj pune. Projektin për ujësjellësin për fshatin Koliçan të poshtëm e ka bërë komuna, komuna ka dhënë edhe lejen e ndërtimit. Komuna ka bërë aplikim, komuna ka nënshkruar kontratë me TAV. Aty ka edhe shpjegime detale se si duhet të zhvillohen punimet”, tha Sadiki.
Shtoi se kompania e kontraktuar duhet fillimisht të vjen në komunë për të përmbyllur të gjitha procedurat ligjore për të filluar punimet.
“Kompania duhet të vijë tek ne për të bërë protokollin për dinamikën e punës. Janë dokumente ligjore që ne duhet t’i respektojmë. Asgjë nga këto që përmenda nuk janë bere, ata sot shkojnë në fshatin Koliçan për të bërë fushatë. Nuk jam kundra e kanë atë të drejtë, por le të na lënë rehat t’I kryejmë punët tona, komuna është institucion”, shtoi Sadiki.
Deklaroi se si kryetar komune mban përgjegjësi për çdo akt ligjor shtoi se procedurat duhet të respektohen sidomos nga përfaqësuesit e Qeverisë.
“Projektin e ujësjellësit e udhëheq komuna, përfaqësuesit e BDI-së, kryetar dege, nuk e di çka është Femi Jonuzi në 10-të të natës mbrëmë e më thotë, nesër je i ftuar, do t’i fillojmë punimet. Kush duhet t’i nis punimet? Është qesharake”, deklaroi Sadiki.
Përfundoi se do të këmbëngulë deri në fund që ky projekt të nisë e të respektohen të gjitha detajet në përpikmëri.