February 28, 2021
Portali Shprehja

Francezët nuk e duan Maqedoninë në BE – Iliria News Agency

Më shumë se gjysma e francezëve (58%) janë kundër pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Megjithatë prej tyre, vetëm 8% mendojnë se jeta e tyre do të ndikohej shumë nga pranimi i shteteve të Ballkanit dhe 20% kanë thënë se do të prekeshin pak. Kjo përqindje vjen pas një sondazhi të fondacionit Jean-Jaures mbi opinionin francez për vendet e Ballkanit, dhe më pas analizuar nga ‘Instituti i Politikës Evropiane i Shoqërisë së Hapur’, zhvilluar mes muajit mars dhe dhjetor 2020, shkruan gazeta KOHA. Dhe pyetja që lind është se pse francezët kanë kanë mosbesim ndaj vendeve të Ballkanit si Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia?

Autorët e këtij studimi tregojnë se mund të jetë e ndikuar nga shumë faktorë, por më e rëndësishmja, edhe nga vetë opinion që francezët kanë për Bashkimin Europian. Gjithashtu ata thonë se përmes këtyre sondazheve orientohen edhe partitë qeverisëse në Francë, ku duket se ata që mbështesin mos-anëtarësimin e Ballkanit në BE janë të djathtët të cilët ndjekin këtë frymë. Në artikullin e publikuar nga mediat franceze, autorët shkruajnë se gjatë 15 viteve të fundit, opinioni publik i francezëve mbi pranimin e Ballkanit ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme.

Në vitin 2006, ata ishin në favor të anëtarësimit, ndërsa u shprehën kundër në vitin 2018. Në mars të vitit 2005 pati një ndryshim kushtetues që u miratua ku kërkohej çdo referencë të ardhshme të një shteti në Bashkimin Evropian përmes një referendumi. Kjo dispozitë, e cila synonte në thelb të siguronte elektoratin e djathtë francez, u pranua dhe u fut në Kushtetutën Franceze, pavarësisht se referendum mbi traktatin e krijimit të një Kushtetute për Evropën në maj të vitit 2005 dështoi. Ndërkaq, rënia e opinionit publik francez ndaj gjashtë vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim dhe konsideratat zgjedhore kombëtare, duket se ndikuan në pozicionin zyrtar të Francës për zgjerimin e BE.

Në të vërtetë, vetoja franceze për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në vitin 2019 dukej se u udhëhoq kryesisht nga konsiderata elektorale kombëtare e krahut të djathtë. Ky vendim, i cili rendit përfundimisht Francën në mesin e vendeve më skeptike evropiane, korrespondoi siç duket me ndjenjën e përgjithshme të opinionit publik për disa vite. Sipas sondazhit, 58% e francezëve thonë se janë kundër pranimit të Ballkanit në Bashkimin Evropian. Sidoqoftë, këto shifra duhet të jenë të specifikuara, sepse vetëm 8% mendojnë se jeta e tyre do të ndikohej shumë nga pranimi i shteteve të Ballkanit dhe 20% kanë thënë se do të prekeshin pak. Gjithashtu rezulton se mes fillimit të muajit mars 2020 dhe përfundimit të sondazhit në Dhjetor, 43% e të anketuarve kishin ndryshuar mendje rreth zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor.

Këto shifra tregojnë se mendimet e francezëve nuk janë të vendosura dhe të pandryshuara, se kjo nuk është një temë mbizotëruese, madje edhe më pak për të ndikuar në rrjedhën e zgjedhjeve kombëtare. Sondazhi arriti në përfundimin se opinionet negative dhe pozitive mbi zgjerimin kryesisht pasqyrojnë mendimet edhe për vetë BE. Ato tregojnë në varësi të këndvështrimit të tyre se zgjerimi ka shkuar shumë larg, ose shqetësimet në lidhje me kohezionin evropian në rast të zgjerimit të mëtejshëm si dhe në lidhje me aftësinë e BE-së për hyrjet e reja në bllok. Nga ana tjetër, mbështetësit besojnë se integrimi i anëtarëve të rinj do e bënte BE-në më të fortë.

Sidoqoftë Sebastien Gricourt dhe Srdjan Cvijic mbrojnë më shumë transparencë dhe pedagogji për të lejuar një debat të informuar mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në fund të fundit, politikanët nuk do të gjejnë asnjë bazë në këtë studim që konfirmon se ata mund ta gjejnë veten të penalizuar në kutitë e votimit për avokimin e vazhdimit të zgjerimit me vendet e Ballkanit. Problemi evropian është më tepër mbi besimin që BE mund të frymëzojë dhe besueshmërinë që mund t’u tregojë qytetarëve të saj. (koha.mk)

Të Ngjajshme

Kosova në pritje, e vetmja në rajon që nuk ka arritur të sigurojë asnjë lloj vaksine – Iliria News Agency

admin

Teksas, Biden viziton shtetin që po rimëkëmbet nga i ftohti vdekjeprurëse – Iliria News Agency

admin

Bllokimi në Athinë zgjatet deri më 8 mars – Iliria News Agency

admin

Leave a Comment