Fshatrat Svillare dhe Arnaqi, paguajnë fatura por nuk kanë kanalizim

Banorët e fshatrave Sfillare dhe Arnaqi, në Komunën e Sarajit, ankohen se po ju kërkohen nga 255 denarë për mirëmbajtjen e kanalizimeve, edhe pse nuk kanë kanalizim në fshat ose nuk janë të lidhur fare në rrjet. Banorët e fshatit Sfillare thonë se për mos pagesën e këtyre faturave Ndërmarrja Publike Komunale ka angazhuar edhe përmbarues për marrjen e parave.

Kanalizim nuk kam unë. Edhe shko shikoje, ndërsa faktuarat nga tre menjëherë mi dërgojnë. Jo një ose dy por nga tre, pse nuk i paguaj. Shyqyr që jeni ju këtu si dëshmitar të shkoni ta shihni kanalizimin dhe të më dënoni. Sepse ke punuar do ta paguaj, s’ke punuar dhe më kërkon para shumë keq më vjen mua, më vjen siklet – u shpreh një banor.

Banorët e Sfillarës thonë se nga 450 shtëpi, vetëm një numër simbolik janë të lidhur në rrjetin e kanalizimit që nuk është funksional sipas tyre meqë ujërat e zeza përfundojnë në lumenjtë e fshatrave.

Në këtë kanalizim që vjen, katundi që e ka, derdhet tek ky lumi, ne e paguajmë që mos e gjuajte në lum, ndërsa paguhet dhe gjuhet në lum. // Sa ti jap atij pare ta hedhe në lum do e hedh vetë direkt në lum dhe nuk jap para dhe e sosi këtë punë. Ja ku e ke 6455 denarë duhet të paguaj përmbarues. Këto janë krejt kamata.//jo çfarë krejt katundi, janë të lidhura nja 30 ose 40 shtëpi, të tjerët nuk kanë si lidhen se kanalizimi nuk ka as projekt as asgjë. S’ke si lidhjesh prej lumit, sepse diku është tre metra, diku dy metra dhe bën vaki se ata shpija s’kanë si lidhen –  tha një tjetër banor.

Sipas banorëve, edhe më i rrezikshëm është fakti se ujërat e zeza të kanalizimit derdhet mbi tubin kryesor që e furnizon Shkupin me ujë të pijshëm.

Krejt Shkupi që merre ujë e ke këtu në këtë pjesë. Tubi kryesor i krejt ujësjellësit të Shkupit. Këtu kalon nevojtorja, këtu kalojnë të gjitha pisllëqet. Çka s’ka këtu! – theksoi një banor.

Por nga Komuna e Sarajit, thonë se deklaratat e banorëve kanë për qëllim manipulimin e opinionit. Kryetari i Komunës, Blerim Bexheti thotë se nëse ka pasur ndonjë gabim me banorë që nuk janë të lidhur në kanalizim atëherë ai është korrigjuar me ankesë. Ai shton se banorët nuk kanë të drejtë që vetë të hedhin ujërat e zeza në lum, por duhet të paguajnë. Sipas Bexhetit edhe ndërmarrja publike komunale i paguan shërbime ndërmarrjes së Qytetit të Shkupit.

Asnjë qytetar nuk ka të drejtë me vetë-iniciativë të lidhet në reka siç u thonë dhe të bëjë derdhjen e këtyre mbeturinave. Komuna dhe ndërmarrja komunale është për të vendosur rend. Do të ishte kaos që kush si të mbërrijë ta rregullojë. Pastrimin e rekave që e bënë komuna, rregullimin e gjithçka, ata merren prej buxhetit të komunës. Dikush e mbush, nuk e mbush administrata komunale atë – deklaroi Blerim Bexheti, kryetar i Komunës.

Komuna e Sarajit ka gjithsej 23 vendbanime, por vetëm gjysma janë të lidhur në rrjetin e kanalizimit.

Mefail Ismaili

.

Të ngjajshme

Drislla, Hungaria tërheq konzulin nga Manastiri

shprehja

Stefanova: Të dyshuarit në “Perandoria” të “informuar” për hapat e PSP-së

shprehja

Ministrja e Drejtësisë, Haxhiu kritikon Thaçin: Na i dha vetëm 48 orë vetëm pse e di se nuk po mund të bëjmë marrëveshje

shprehja

Duke përdorur shërbimet e Portalit Shprehja ju pajtoheni me përdorimin tonë të Cookies. Pranoj Lexo më shumë