June 7, 2023
Portali Shprehja

Gaz lotsjellës dhe të shtëna në Zveçan

Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar para objektit komunal në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të vendit.

Paraprakisht, policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj të komunave veriore: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.

Udhëheqësit e këtyre komunave me shumicë serbe – që të gjithë shqiptarë – u betuan një ditë më herët në ndërtesa publike, si shkollat, për shkaqe të sigurisë.

Ndonëse thanë se, së shpejti, do të nisin punën nga objektet komunale, nuk ishte e qartë se kur do të ndërmerrej një hap i tillë.

Në të katër komunat me shumicë serbe në veri u dëgjuan fillimisht sirena alarmi, ndërkohë që para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq u mblodhën edhe qytetarë.

Radio Evropa e Lirë mësoi se disa kamionë janë të parkuar në mes të rrugëve në hyrje dhe dalje të Leposaviqit.

Ish-këshilltari në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut, Millija Bishevac, tha më herët për Radion Evropa e Lirë se qytetarët janë mbledhur para ndërtesës së komunës të bindur se “kryetari i sapozgjedhur, Izmir Zeqiri, po tenton të hyjë në objekt”.

“Ka makina, ku besohet se gjendet ai [kryetari i qytetit] dhe se ai po përpiqet të hyjë në ndërtesën e komunës”, tha Bishevac.

Zeqiri nuk ishte i qasshëm për t’i konfirmuar këto informacione.

Bishevac tha se pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit, EULEX, gjenden rreth ndërtesës së komunës.

EULEX-i nuk komentoi se pse është i pranishëm në komunën e Zubin Potokut.

Kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – që të gjithë shqiptarë – bënë betimin më 25 maj, duke marrë kështu pushtetin lokal në këto tri komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ceremonitë e betimit u mbajtën në objekte publike, sepse në objektet e komunave ka organe të përkohshme komunale, të cilat punojnë në sistemin e Serbisë.

Vetëm në Mitrovicë të Veriut ekziston një ndërtesë komunale që funksionon sipas sistemit të Kosovës. Kryetari i ri, Erden Atiq, u betua atje më 19 maj.

Zgjedhjet lokale në veri të Kosovës u mbajtën më 23 prill, pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Kjo parti e kundërshtoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar./REL

.

Të Ngjajshme

Fraksioni i BDI-së do të propozoj amendament për largimin e 20%

Protestë përpara Klinikës së Kardiokirurgjisë, kjo është arsyeja

Bullgaria fitoi qeveri të rregullt, në koalicion me rivalët Petkov dhe Borisov

Leave a Comment