Gazetar: Lluka Andreev
Pas Komisionit Evropian edhe ambasadori i BE-së, Dejvid Gir vlerëson se disa nga ndryshimet në Kodin Penal mbartin rrezikun e rritjes së mosndëshkimit. Ai tha se krimet duhet të sanksionohen siç duhet dhe të respektohet sundimi i ligjit. GIR gjithashtu iu referua procedurës për miratimin e ndryshimeve.
“Edhe një herë, është shprehur shqetësimi në lidhje me përdorimin e flamurit evropian, në këtë mënyrë, për të përshpejtuar miratimin e legjislacionit dhe për të parandaluar debatin publik në vend”, tha Dejvid Gir, ambasador i BE-së.
Opozita shqiptare mbetet në qëndrimin se në sfondin e ndryshimeve ka një marrëveshje politike për të siguruar një shumicë prej dy të tretash për ndryshimet kushtetuese.
VMRO-DPMNE nuk komentoi nëse mund të ketë një marrëveshje në prapavijë. Kryetari i partisë Hristijan Mickoski, beson se ndryshimet në Kodin Penal janë në favor të qeverisë, në mënyrë që,siç thotë ai, t’i shpëtojë ata nga krimet aktuale në të ardhmen.
“Edhe me një flamur të artë ta votojnë, qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së, synon të hetojë shumë seriozisht të gjitha dyshimet e arsyeshme për krime të kryera në gjashtë vitet e fundit”, tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Nga ana tjetër, pushteti mohoi se kishte ndonjë marrëveshje për ndryshimet. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, ditë më parë tha se me ndryshimet kapërcehet dhe zgjidhet i ashtuquajturi sistem i krijuar nga Dart Vejder në gjyqësorin e Maqedonisë, dhe sot ai sqaroi se për kë e kishte fjalën.
“Do t’ia lë imagjinatës, krijimtarisë dhe potencialit hulumtues të gazetarëve tanë që të shikojnë 15 vjet prapa në sistemin tonë të drejtësisë, për të parë se si janë ndryshuar disa ligje, si janë ngritur procese të caktuara dhe pastaj ata do të jenë në gjendje të identifikojnë shumë lehtë se kush është Dart Vejder i gjyqësorit maqedonas, i cili e ka origjinën në kohën komuniste”, deklaroi Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
Ndryshimet u miratuan shumë shpejtë në një seancë të komisionit dhe në një seancë parlamentare. /Alsat.mk
.