Gazetare: Melihate Rustemi
16 nxënësit shqiptarë të Velesit edhe sot mbetën jashtë procesit mësimor pasi akoma nuk janë pranuar në gjimnazin “Koço Racin”, në paralelen e dytë më mësim në gjuhën shqipe, shkruan Alsat.
Këtë, përmes telefonit e konfirmoi njëri prej nxënësve, i cili shtoi se premtimi i fundit që u dha nga shkolla është se me proces mësimor do të nisin të hënën po pa saktësuar nëse do të pranohen edhe nxënësit me më pak se 50 pikë.
“Na kanë thënë ne nga shkolla se ditën e hënë do të fillohet me mësim dhe do të vazhdoni të vijoni mësimin në shkollën gjimnaz. Po tis a pikë i kishe? 52. Dokumentet a i keni dorëzuar deri tash ose jo? Jo, nuk i kemi dorëzuar, ditën e hënë i dorëzojmë? Kush ju njoftoi se nga e hëna do të filloni? Atje, në Veles na thanë, nuk e njohim, mësimdhënës”, tha një nxënës.
Drejtori i gjimnazit “Koço Racin”, Ilija Popov sërish nuk i’u përgjigj thirrjeve telefonike të Alsat për të sqaruar se si do të veprohet me 16 nxënësit e mbetur. Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri një ditë më parë tha se nxënësit me mbi 50 pikë patjetër të pranohen dhe paralelja e dytë shqipe do të funksionoj.
Në të kundërtën, Shaqiri nuk përjashton mundësinë e një kontrolli në këtë shkollë nëse paralelet maqedonase janë formuar me numër të duhur të nxënësve.
“Në qoftë se ndodhë që nuk bëhet ndarja në bazë të konkursit atëherë do të bëj analizën edhe të fëmijëve të cilët janë të regjistruar në paralelet e gjuhës maqedonase dhe aty do të kenë shkresë të respektojnë dispozitën ligjore e cila është në ligjin e arsimit të mesëm që numri minimal duhet të jetë 20 dhe organizimi I klasës do të bëhet në bazë të analizave të cilat I ka ministria. Nuk dua të paralajmëroj që nga katër do të bëhen tre por ndoshta edhe bëhet. Nuk mund të shihet diku një këndvështrim tjetër dhe në gjuhën shqipe një këndvështrim tjetër”, theksoi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.
Jozyrtarisht, Alsat mëson se në Komunën e Velesit tashmë ka arritur shkresa nga Ministria e Arsimit e cila lejon që nxënësit shqiptarë të mund të regjistrohen edhe me mbi 50 pikë. Nxënësit shqiptarë të gjimnazit “Koço Racin” në Veles kanë protestuar për disa ditë radhazi për shkak të mos-hapjes së paraleles së dytë më mësim në gjuhën shqipe për nxënësit e vitit të parë./ Alsat.mk
.