October 6, 2022
Portali Shprehja

Gjykatësi në hetimin e dokumenteve të Trumpit sinjalizon synimin për të vepruar shpejt

Gjykatësi i pavarur i ngarkuar me inspektimin e dokumenteve të sekuestruara në një kontroll të FBI-së në shtëpinë e ish-presidentit Donald Trump në Florida, tha të martën se ai synon të shpejtojë procesin e rishikimit. Ai u duk skeptik për hezitimin e ekipit të Trump për të deklaruar nëse besonte se dokumentat ishin deklasifikuar.

“Ne do të vazhdojmë me atë që unë e quaj procesim të përgjegjshëm,” u tha Raymond Dearie, një gjykatës veteran i Bruklinit, avokatëve të zotit Trump dhe Departamentit të Drejtësisë në takimin e tyre të parë që nga emërimi i tij javën e kaluar si i ashtuquajtur ekspert i posaçëm.

Qëllimi i takimit ishte të zgjidheshin hapat e ardhshëm në një proces rishikimi që pritet të ngadalësojë me javë, nëse jo muaj, hetimin penal për ruajtjen e informacionit top-sekret në Mar-a-Lago pasi Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë. Si ekspert i posaçëm, Dearie do të jetë përgjegjës për të shqyrtuar mijëra dokumente të gjetura gjatë kërkimit të FBI-së më 8 gusht dhe ndarjen e veçantë të atyre që mbrohen nga ligji i privilegjit ekzekutiv ose privilegjit avokat-klient.

Trump ka pohuar pa prova se të gjitha të dhënat janë deklasifikuar; avokatët e tij nuk i kanë bërë jehonë këtij pretendimi, megjithëse ata kanë pohuar në mënyrë të përsëritur se një president ka autoritet absolut për të deklasifikuar informacionin dhe ata thanë në një dosje të veçantë të martën se Departamenti i Drejtësisë nuk kishte provuar se të dhënat mbetën të klasifikuara.

“Si dikush që ka qenë president i Shteteve të Bashkuara, ai ka qasje të papenguar ashtu si edhe autoritetin e papenguar të deklasifikimit,” tha avokati Trusty të martën.

Rezistenca ndaj kërkesës së gjyqtarit ishte e dukshme sepse ishin avokatët e zotit Trump, jo Departamenti i Drejtësisë, ata që kishin kërkuar emërimin e një eksperti të posaçëm dhe sepse mospërfillja përfshinte një pranim se hetimi mund të ndërtohej drejt një aktakuze.

Në letër, avokatët e zotit Trump thanë se koha për këtë pyetje do të ishte nëse ata do të vazhdonin me kërkesat që Departamenti i Drejtësisë të kthente disa nga pronat e marra nga Mar-a-Lago.

Ekipi i zotit Trump gjithashtu i kërkoi ekspertit të posaçëm të konsideronte shtyrjen e të gjitha afateve për shqyrtimin e dokumentave. Kjo punë përfshin inspektimin e rreth 11,000 dokumenteve, duke përfshirë rreth 100 të shënuara si të klasifikuara, që u morën gjatë kontrollit të FBI-së.

Gjyqtarja e qarkut, Aileen Cannon, një e emëruar nga zoti Trump, e cila pranoi kërkesën e ekipit Trump për një ekspert të posaçëm, kishte caktuar një afat deri në 30 nëntor për shqyrtimin e zotit Dearie dhe e udhëzoi atë që t’i jepte përparësi inspektimit të të dhënave të klasifikuara.

Departamenti i Drejtësisë i ka kërkuar një gjykate federale të apelit që të ndalojë urdhrin e gjyqtares Cannon që i kërkon departamentit t’i sigurojë atij dokumente të klasifikuara për shqyrtim. Vendimi i apelit është ende në pritje./VOA

.

Të Ngjajshme

MekGregor: Do të bëj rikthimin më të madh në historikun e sportit

Reperi i njohur, Bardhi ka paralajmëruar se është drejtë finalizimit të projekteve të reja

Si e zgjidhin kinezët problemin e automjeteve të parkuara pa leje?

Leave a Comment