Ka shumë hapësirë për suksesin e arritur falë katër golave kundër Realit në gjysmëfinale dhe prekja e finales së Stambollit, por sipas fjalëve të Guardiolës, rëndësinë tashmë e merr finalja kundër Interit.
“Duke luajtur në një finale kundër një skuadre italiane nuk është kurrë më e mira, do të duhet të përgatitemi mirë mendërisht, Interi nuk është skuadër që thyhet lehtë. Ne jemi në finalen e Ligës së Kampionëve dhe kjo nuk ndodh shpesh. Ndihem shumë i lumtur që jemi atje. Është hera e dytë në tre vjet. Tani le të përgatitemi për ndeshjen e së dielës që mund të na ndihmojë të fitojmë kampionatin dhe më pas do të mendoj për finalen e Ligës së Kampionëve,” u shpreh Guardiola.
Në përballje me Interin, kjo e Stambollit do të jetë hera e pestë për Guardiolën si trajner, ku katër sfidat janë kryer në sezonin 2009-2010, atëherë kur Interi fitoi tripletën e famshme.
Në atë kohë, Guardiola ishte trajneri i Barcelonës. Dy herët e para u përballën në fazën e grupeve, ku në “San Siro” sfida përfundoi 0-0, ndërsa në “Camp Nou” me 2-0.
Më pas, në të njëjtin sezon, ata përballen përsëri në gjysmëfinale, ku sfida e parë në “San Siro” përfundoi me fitoren e Interit 3-1, ndërsa në Spanjë ishte 1-0 për katalanasit, por që nuk mjaftoi për të shkuar në finalen e madhe të Madridit.
.