September 26, 2022
Portali Shprehja

Hagë, nisin deklaratat përmbyllëse për rastin e Mustafës

Disa nga dëshmitarët në gjykimin e Salih Mustafës, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), konfirmuan qartë se ishin viktima, sepse pjesëtarët e UÇK-së i konsideronin “armiq të Kosovës apo spiunë”, thuhet në deklaratën përmbyllëse të Prokurorisë së Specializuar të Kosovës në Hagë.

Bëhet fjalë kryesisht për shqiptarë të Kosovës dhe prokurori Jack Smith shpjegoi se viktimat kanë kaluar nëpër agoni gjatë gjithë këtyre viteve, si dhe rikujtoi disa dëshmi, në të cilat dëshmitarët kanë thënë se edhe sot “dëgjojnë zërat e njerëzve që i kanë torturuar”.

Deklaratat përmbyllëse para Dhomave të Specializuara (Gjykata Speciale) në Hagë duhet të përfundojnë më 16 shtator.

Prokuroria e specializuar e akuzon Salih Mustafën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përkatësisht se ai ka nxitur ose urdhëruar akte kriminale të privimit arbitrar nga liria, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.

Në ditën e parë të deklaratave përmbyllëse, Smith theksoi se gjykata duhet të fokusohet te viktimat.

“Tortura ka lënë efekte afatgjata, si në psikikën, ashtu edhe në trupin e viktimave”, theksoi Smith.

Ai tha se qëllimi i këtyre torturave ka qenë identifikimi i shqiptarëve të Kosovës që nuk e kanë përkrahur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Prokuroria e Specializuar pohoi se individët ende ndiejnë frikë të flasin lirshëm për torturat që kanë përjetuar, duke theksuar se këta persona nuk kanë qenë kurrë “armiq të Kosovës”.

“Viktimat janë etiketuar si bashkëpunëtorë dhe spiunë që punojnë për armikun, sepse nuk e kanë përkrahur mjaftueshëm UÇK-në, prandaj janë burgosur në një pronë në Zllash”, tha prokurori Smith.

Në paraqitjen e tij të parë në Gjykatën Speciale në Hagë, Mustafa refuzoi të deklarohet për fajësinë.

Për çfarë ngarkohet Mustafa?

Gjykimi i Salih Mustafës ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe ky është gjykimi i parë për krime lufte që ka nisur në Dhomat e Specializuara.

Mustafa u arrestua në 24 shtator të vitit 2020 dhe është personi i parë i arrestuar kundër të cilit u konfirmua aktakuza, prej që janë formuar Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar, në vitin 2015.

Pretendohet se Salih Mustafa, i njohur gjithashtu si komandant Cali, ishte komandant i njësisë guerile Agjencia për siguri dhe informacion, e cila i përkiste zonës operative të Llapit të UÇK-së.

Kjo njësi, në përbërjen e saj, kishte afërsisht 500-600 trupa, të cilat vepronin kryesisht në zonat e qytetit në Prishtinë dhe Obiliq, në rrethinat e tyre, si dhe në zonën e Gollakut, ku ndodhet fshati Zllash.

Të Ngjajshme

Sa serbë pushuan sivjet në bregdetin shqiptar

admin

Liberalizimi i vizave në rend dite në BE më 13 tetor

admin

E djathta ekstreme italiane shpall fitoren, Meloni: Do jem kryeministre e të gjithëve

admin

Leave a Comment