0.6 C
Skopje
December 4, 2019
Feja Islame

Historia e Alkames, Në kohën e Profetit a.s

Historia e Alkames

Në kohën e Profetit ﷺ jetonte një djalosh i ri i quajtur Alkame. Ai ishte shumë i zellshëm në bindje ndaj All-llahut dhe angazhohej fort në namaz, agjërim; shpenzonte shumë në bamirësi.

Një ditë, u sëmurë dhe sëmundja u bë mjaft serioze. Duke e parë gjendjen e të shoqit, gruaja e tij vajti tek Profeti Muhammed ﷺ dhe i tha: “Burri im Alkame ndodhet në shtratin e vdekjes. Erdha që t’ju njoftoj për gjendjen e tij.”

Muhammedi ﷺ dërgoi Ammarin dhe Bilalin te Alkame që t’ia kujtojnë shehadetin. Vajtën tek ai dhe e gjetën në agoni të vdekjes. I kërkuan që ta shqiptonte shehadetin. Vazhdimisht ia kujtonin: “La ilahe il-lall-llah”, por kot, gjuha e tij nuk ishte në gjendje që ta shqiptonte. U kthyen te i Dërguari i All-llahut ﷺ dhe i treguan se Alkame nuk po e shqiptonte dot shehadetin.

“A i ka prindërit gjallë?” – pyeti Profeti ﷺ.

“Nëna e tij është ende gjallë por është shumë e plakur.” – i thanë këtij të fundit.

Profeti ﷺia dërgoi një mesazh asaj dhe i kërkoi që të vinte, përndryshe nëse s’është në gjendje, le të qëndrojë në shtëpinë e saj dhe Profeti ﷺ do të shkojë tek ajo.

I dërguari i Profetit ﷺ vajti tek ajo dhe ia përcolli mesazhin.

“Ju bëfsha kurban atij ﷺ! Me kënaqësi do të shkoj tek ai!” – tha plaka. Pastaj u ngrit, u mbështet në shkopin e saj, vajti tek Profeti ﷺ dhe e përshëndeti. Profeti ﷺ ia ktheu përshëndetjen dhe i tha: “Oj nëna e Alkames, më thuaj të vërtetën, përndryshe All-llahu do të zbulojë të vërtetën për mua! Si është puna me birin tënd Alkamen?”

“O i Dërguari i All-llahut, ai falet shumë, agjëron shumë dhe jep shumë në bamirësi.” – u përgjigj ajo.

Profeti ﷺ: “Dhe si është raporti yt me të?”

Plaka: “O i Dërguari i All-llahut, unë jam e zemëruar me të.”

“Pse?” – pyeti Profeti ﷺ.

“O i Dërguari i All-llahut, ai preferon gruan e tij para meje dhe nuk më është bindur.” – u përgjigj ajo.

Atëherë, i Dërguari ﷺ i tha: “Oj nëna e Alkames, me siguri zemërimi yt e ka penguar gjuhën e tij nga të shqiptuarit e shehadetit.”

Pastaj u kthye nga Bilalli dhe i tha: “O Bilall, dil dhe mblidh një sasi të druve të zjarrit.”

“O i Dërguari i All-llahut, çfarë keni ndërmend të bëni?” – pyeti plot habi nëna e Alkames.

“Do ta djegim Alkamen para syve tu.” – ia ktheu Muhammedi ﷺ.

“O i Dërguari i All-llahut, ai është djali im! Zemra ime nuk mund ta përballojë djegien e tij!” – me mërzi tha nëna e Alkames.

“Oj nëna e Alkames, dënimi i All-llahut është më i rëndë dhe më i qëndrueshëm! Prandaj, nëse dëshiron që All-llahu ta falë atë, pajtohu me të (bëja hallall). Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, namazi, agjërimi dhe shpenzimet në bamirësi (të cilat i ka bërë) janë të pavlera për Alkamen për aq kohë sa ti je e zemëruar me të!” – i tha i Dërguari ﷺ.

Atëherë ajo tha: “Jini dëshmitarë që unë jam e kënaqur me birin tim, Alkamen.”

“O Bilall, shko tek Alkame dhe shih nëse tani është në gjendje ta shqiptojë shehadetin apo jo. Mund të ndodhë që nëna e Alkames është duke thënë diçka për hir timin dhe e cila nuk është në zemrën e saj.” – porositi i Dërguari ﷺ.

Atëherë Bilalli vajti tek shtëpia e Alkames dhe duke hyrë në derë, e dëgjoi atë të thotë: “La ilahe il-lall-llah.”

(Në lidhje me këtë), Bilalli u shpreh: “Me siguri, e vërteta qëndron në atë se derisa nëna e Alkames ishte e zemëruar me të, gjuha e tij ishte e lidhur, dhe tani që ajo është e kënaqur me të, gjuha e tij është liruar.”

Alkame vdiq po atë ditë. Profeti ﷺ vajti tek ai, urdhëroi për larjen dhe qefinosjen e tij, dhe pastaj ia fali namazin e xhenazes. Ai ﷺ më pas qëndroi pranë varrit të tij dhe tha: “O shoqëri e Muhaxhirëve dhe Ensarëve, në qoftë se dikush favorizon gruan mbi nënën e tij, All-llahu, Melekët e Tij dhe tërë populli e mallkojnë atë. All-llahu nuk i pranon shpenzimet e tij (në bamirësi), pastërtinë dhe ndershmërinë e tij nëse nuk pendohet tek All-llahu dhe nëse nuk pajtohet me nënën

dhe të arrijë kënaqësinë e saj, sepse kënaqësia e All-llahut qëndron në kënaqësinë e saj dhe zemërimi i All-llahut konsiston në zemërimin e saj.”

MORALI: Gjithmonë duhet të jemi respektues dhe të bindur ndaj prindërve. Megjithatë, nuk duhet t’u bindemi atyre nëse na urdhërojnë në mosbindje ndaj All-llahut dhe Profetit të Tij ﷺ. Përndryshe, ata meritojnë vëmendjen tonë maksimale dhe respektin më të madh.

-Shkeputur nga libri: “Rruget me pak udhetare”

The post Historia e Alkames, Në kohën e Profetit a.s appeared first on Islami.press.

Burimi i lajmit

Artikuj të ngajshëm

VESHJE TË REJA FËMIJËVE PËR BAJRAM

Dy imamët shqiptar që kontribuuan jashtëzakonisht për Ramazan

Letra prekese e djalit drejtuar nënës:”Kjo leter eshte per ty nena ime!”

shprehja