September 27, 2022
Portali Shprehja

“Ju, për ne, jeni shqiptarë, jo kosovarë”

shkruan Naser Aliu

“Lexova artikullin në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ku Tadiçi kushtimisht pajtohej me bashkimin shqiptar, thash me vete: a thua sa është acaruar dhe zemëruar Nexhmedin Spahiu? Pikësëpari më vajti mendja tek ai dhe disa të tjerë, që me shkrimet e tyre, me shumë pasion përpiqen të na distancojnë nga Shqipëria dhe të cilët me përkushtim të madh mbrojnë idenë e të qenit ndryshe dhe domosdoshmërinë e krijimit të kombit të ri.

Jo vetëm këtë, por për të bindur publikun për idetë e tyre, ato prodhojnë ndjenja mosdurimi kundër Shqipërisë. Kur lexohet komentet e përkrahësve të tyre, njeriut i ngrihen flokët përpjetë. Njeriu mendon se po flasin keq për Serbinë: nga traumat, nga urrejtja. Mirëpo jo, ata flasin kundër Shqipërisë. Ata përgatisin terren për komb të ri.

Tadiçi me pak fjalë u tha atyre: “ju, për ne, jeni shqiptarë, jo kosovarë.” Ai nuk tha tekstualisht kështu, por nga dëshira e tij për të negociuar me Shqipërinë, mund të shkoqitej mendimi se po fliste për shqiptarët e mbetur jashtë kufirit, jo për kosovarët, siç do të kishin dëshiruar disa mami. Etimologjia e toponimit Kosovë nuk ka mundur të shpjegohet me shqipen.”Kos” në serbishte d.m.th., mëllenjë, prandaj edhe është quajtur “Fusha e Mëllenjave (…)” Emri i vërtetë i këtij territori është Dardani. Dardani e zvogëluar, mirëpo jo Kosovë! “Kosovë” është semantika e copëtimit: përbuzjes, tmerrit, nënshtrimit dhe riemërtimit pas pushtimit serb! Ashtu siç kanë pagëzuar edhe Vojvodinën! Të krijohet kombi i ri me një fjalë serbe, d.m.th të ruhet lidhja kërthizore përgjithmonë me Serbinë.
Unë nuk kisha durim. Prisja shkrimin e profesorit Spahiu, të radhës. Kërshëria nuk më linte të qetë të lexoj kundërshtimin e tij. Se do ta kundërshtonte ai Tadiçin, isha i parabindur: isha i sigurt, aq sa jam i sigurt se java ka shtatë ditë. Dhe, disa ditë më vonë, u shfaq me lugë dhe fultere në dorë kryekuzhinieri. Profesor Spahiu merret me manipulim eksperimental, sugjestionim në masë dhe demagogji në gatimin e gjellës”komb”.
Sapo përfundova artikullin e gazetës gjermane, bëra vetes edhe këtë pyetje: pse ai ndritur, që konsideron veten profesor, doktor të shkencave, nuk lufton ta quajë Kosovën Republika Shqiptare apo Dardani, por dëshiron të gatuajë kombin kosovar dhe ta zhduk emrin shqiptar?
Tadiçi nuk u shfaq me këtë ide për t’u bërë babadimër i shqiptarëve, por ka ndërmend të nxjerrë përfitime të reja, tjera, si për shembull të na copëtojnë edhe një herë. Ai është patriot serb. Shqipërinë e vogël që e kemi sot, nuk është Shqipëria fizike që shtrihet deri në Bujanoc e Medvegjë, deri në Ulqin, Plavë e Guci, deri në Kumanovë, por është Shqipëria e copëtuar, sakatuar, masakruar, vrarë, dëbuar dhe zvogëluar nga ushtria serbe. Serbia pushtoi trojet tona dhe i mban të pushtuar, siç po mban veriun e Kosovës.

Kjo Shqipëri e sotme, është rezultat i pafuqisë shqiptare, i orientimit të gabuar, mungesës së aleatëve dhe në anën tjetër, dëshmon për aleancën sllave, ortodokse dhe perëndimore në favor të Serbisë. Pra, Republika e sotshme shqiptare është pasojë e dështimit tonë në fushëbetejë dhe në tryezë. Shqipëria është ndjenja e vogëlsisë shqiptare. Ajo gjithmonë na rikujton gabimet tona, orientimin e rrejshëm, braktisjen tonë nga Europa, animin e saj dhe diskriminimin në skenat politike ndërkombëtare. Serbia jo vetëm se ka shkëputur krahina shqiptare nga vendi ëmë, por me qindra mijëra veta ka dëbuar në Turqi, ku sot janë asimiluar. Arbëreshët nuk janë asimiluar edhe pas pesë shekujve. Edhe diaspora shqiptare nga ish Jugosllavja, është pasojë e politikës serbe. Ndërgjegjja e Serbisë ndaj popullit shqiptar është aq e ndyrë, sa nuk bëhet më. Tragjedia dhe fragmetarizimi shqiptar mban vulën serbe! Për këtë duhet biseduar me Tadiçin, nëse beson se nuk është pinjoll i Millosheviçit dhe nxënës i projekteve skolastike serbe.

Mali zi nuk ka pushtuar hinterlandin e Shkodrës pa ndihmën serbe dhe nuk do të kishte mundur ta zaptojë kurrë. Trojet shqiptare në Maqedoni, nuk i ka pushtuar Maqedonia, por Serbia. Tadiçi nuk ka përmendur këto troje të sekuestruara në dobi të vëllezërve sllav, por foli për një rikufizim midis Shqipërisë dhe Serbisë. Pse? Në mes të tjerash, Tadiç u tregoi ideatorëve të kombit të ri, se ai nuk i sheh shqiptarët e Kosovës si “kosovari”, siç do t’ i kishte pëlqyer atij nga gjellëtorja “kosovska çorba”, por shqiptarë. Jo pse na donë Tadiçi, por ai ka frikë se kombi shqiptar bashkohet dhe për të mbijetuar ai në skenën serbe, përpiqet ta zmadhojë edhe një herë Serbinë. Nëse një ditë Kosovës i hiqet tutorizmi dhe nëse një ditë Shqipëria bën politikë kombëtare, si grekët për shembull, si maqedonët, si serbet, si kroatët etj., atëherë demokracia nuk ka fuqi ta ndalojë bashkimin e asaj që ka bashkuar Zoti, gjaku, gjuha, gjeografia, historia, tradita, bashkëvajtja, bashkëvuajtja, dhembshuria, fati dhe jeta dhe, i ka ndarë: lufta, pushtimi, nënshtrimi dhe padrejtësia. Rrjedhimisht: krimi shtetëror.
Ata që njohin mirë kuzhinën e politikës serbe, dinë se Serbia tani ndjehet shumë e rehabilituar dhe për këtë e ka ndihmuar shumë qëndrimi i Kosovës dhe i Shqipërisë. Në vend se ajo të përballje me një Nyrnberg të vetin, ajo akuzon Kosovën. Meqenëse Kosova nuk mund ta padiste në Hagë, atëherë duhej ngritur një akuza kolektive shqiptare në Beograd tek Gjykata e Krimeve të Rënda: për dhunimin e mijëra grave, për vrasjen e mijëra qytetarëve, për djegien dhjetëra mijërave shtëpive, për deportimin e qindra mijërave dhe për shitje e organeve të 3000 shqiptarëve të pagjetur! Pse në Beograd? Sepse Beogradi akoma konsideron Kosovën pjesë të veten dhe meqenëse është kështu, atëherë të kërkohej dëmshpërblim nga shteti serb për vrasjet e qytetarëve të vet dhe për dëmtimin e ekonomisë.

Një dëmshpërblim siç kërkojnë disidentët e djeshëm për mynxyrën gjatë sundimit komunist në vendet e veta. Pse dhunuesit e grave shqiptare të konsiderohen patriot serb? Pse vrasësit e fëmijëve shqiptarë të quhen patriot serb dhe pse të jenë në liri? Pse krimi i organizuar, që ka shkrumbuar shtëpitë shqiptare, që ka plaçkitur orenditë dhe arkivat, të nderohet në Serbi si patriot? Pse të mos burgosen në Serbi së paku ata që dhunuan gra dhe vranë fëmijë shqiptarë?

Kosova, në anën tjetër, sillet sikur ta kishte fituar shtetësinë padrejtësisht. Sikur të kishte pushtuar troje serbe. Sillet si fajtore përballë Serbisë. Ajo nuk vepron, ajo vegjeton. Ajo nuk do ta padisë Serbinë. Ajo ka detyra më të mëdha: ka problemin e karrierave, të pasurimit të karrieristëve, krijimin e kombit kosovar dhe denigrimin e atij shqiptar!

Sikur të kishim një elitë politike si e vendeve perëndimore apo si ajo sllovene apo si e vendeve baltike për shembull, atëherë bashkimin e këtyre dy shteteve shqiptare nuk do ta kundërshtonte askush. Ne, me politikanët tanë amatorë, me dy shtete, nuk kemi arritur ta sjellim në Parlamentin Europian asnjë Projekt serb mbi shfarosjen e shqiptarëve, nga të cilat shteti demokratik serbe nuk distancohet. Qeveria serbe arriti të diskutojë në Parlament “shitjen e veshkave” që do të dëshironin të kishte ndodhur. Nuk është me rëndësi a ka ndodhur kjo apo jo. Edhe nëse nuk gjenden prova, ata do të pohojnë: “shqiptarët i kanë zhdukur gjurmët!” Pra, të damkosur mbetemi, kryesisht për ata që dëshirojnë ta besojnë këtë. Dhe, ata nuk janë pak!

Për t’ i ndryshuar bindjet dhe ndjenjat e tjerëve Nexhmedin Spahiu përdor manipulimin dhe kërkon dezertim nacional! Lexoni ju lutem se çka shkruan doktori i shkencave: “Kombin Kosovar e përbëjnë vetëm ata shtetas kosovarë që e kanë për zemër shtetin e Kosovës”. E lexuar mirë? Lexoni edhe një herë: “vetëm ata shtetas kosovarë që e kanë për zemër shtetin e Kosovës”. Çka domethënë kjo? Çka dëshiron t’ i imponojë lexuesit, që kapërdinë informata pa i përpunuar?

Shqiptarët, që nuk duan ta quajnë veten me kombësi kosovare, nuk e duan shtetin e Kosovës! Ashtu thotë burri i dheut duke lavdëruar veten si profesor, doktor, shkencëtar dhe njeri me shtetësi shqiptare dhe kosovare, që i plotëson kushtet për t’ ia çnjohur që të dyja. Përkrahësit e tij vazhduan me të njëjtin ton: “ ata që mendojnë se janë shqiptarë, i besojnë përkufizimit stalinist të kombit.” Gjyshja ime, ndjesë pastë, u lind para implozionit të Perandorisë Osmane. Ajo ishte analfabete. Jo pse kishte dëshiruar, por vëllai jonë i madh, i sotshëm, që na ndërton edhe sot xhami e jo shkolla, mbyllte dhe ndalonte tonat. Toleronte vetëm ato greke dhe serbe. Gjyshja ime fliste shqip, bazohej në gjak dhe prandaj quante veten shqiptare. I mjaftonin këto dy fakte: gjuha dhe gjaku dhe nuk i interesonte se si përkufizojnë kombin shkencëtarët e botës. E as që kishte dëgjuar për akademizma të tilla. Tani, del një shkencëtar kosovar dhe ma shanë gjyshen si besimtare të Stalinit…

Tadiç vazhdimisht përsërit se shqiptarë fituan gjithçka, kurse serbet humbën dhe kështu ka arritur të krijojë bindje se ajo është viktimë e amerikanëve. Vendet myslimane po i besojnë. Serbet fituan një republikë në Bosnje, që kurrë nuk e kanë pasur, edhe pse tani ideatori dhe themeluesi i asaj ngrehine gjenocidale arrestohet, por vepra e tij mbetet. Dhe, ku qe strukur krimineli më i madh i Europës? Afër Beogradit, ashtu si qe strukur edhe kryeterroristi i botës, afër Islamabadit.

Republika Serbe me mbiemër cilësor, nuk dëshiron të krijojnë komb të ri, por ëndërron t’ i bashkëngjitet Serbisë. Serbet vranë, dhunuan, shkatërruan, dogjën dhe dëbuan, aq sa deshën në kohën e tyre dhe meqenëse ne këtë e quajmë humbje, ata duhet ta konsiderojnë fitore, nëse jo, atëherë duhet të turpërohen dhe pendohen dhe të kërkojnë ndjesë publikisht. Këndellja e Qeverisë serbe dhe demokratizimi i atij shteti dëshmohet vetëm me njohjen e Kosovës dhe me kërkimin ndjesë kombit shqiptar. Ai shtet, për gati një shekull, i fali vetes licencën për të vrarë e masakruar fqinjë dhe shqiptarë. Edhe atë, pa u dënuar!
Derisa po komentohej me shumë pasion një artikull në facebook, një intelektual nga Shqipëria këshillon kështu shqiptarët e Kosovës: “Kombi i ri kosovar nese do ndertohet sot nuk duhet te behet sipas Atifetes qe thote do ndjekim Skenderbeun e Nene Terezen – dy figura te huaja katolike qe i perkasin Republikes se Shqiperise. Kombi kosovar duhet te behet me heroj te tjere – pse jo me sulltan Muratin ne krye e me Adem Jasharin e Azem Galicen. Vend duhet ti lihet edhe serbeve qe do pranojne kosovarizmin, sic duhet tu lihet edhe romeve, goraneve, torbesheve, boshnjakeve, turqve etj.” Citati përfundon.
Një gjë është e sigurt: serbet kurrë nuk do ta quanin veten kosovar: as turqit, as goranët, ndoshta e bëjnë këtë romët. Asimilimi ndodh zakonisht aty ku mungojnë ndjeja kombëtare apo nëse për denatyralizim fitojnë shumë lekë. Prandaj kemi shqiptarë, që janë më turk se turku, më grek se greku dhe më serb se serbet! Europa nuk synon uniformizmin dhe asimilimin, ajo është për ruajtjen dhe kultivimin e kulturave dhe diversiteteve.

Sulltan Murati baba i kombit kosovar, e lexuat mirë! Çka fshihet pas këtij mendimi? Pas këtij mendimi fshihet armiqësimi i shqiptarëve, sepse te kombi shqiptar themelues i kombit do t’ ishte Gjergj Kastrioti, e i kosovarëve armiku i Shqipërisë, ata që kishte luftuar Skënderbeu dhe kështu do të kishim dy kombe, që nga origjina janë armiq në mes vete. Çka i sugjerojnë tjetër shqiptarëve profesori i ndritur, shkencëtari, doktori i shkencave Nexhmedin Spahiu dhe përkrahësit e tij? Duke dashur t’i përfshijë në kombin kosovar edhe pakicat e Kosovës, ata u rekomandojnë shqiptarëve të Luginës ta quajnë veten serb. Ata u rekomandojnë shqiptarëve të Maqedonisë, ta quajnë veten maqedon, ata u rekomandojnë shqiptarëve të Malit të Zi ta quajnë veten malazezë, sepse pikërisht me këtë riçetë ata dëshirojnë t’ i shndërrojnë edhe serbet e Kosovës në “kosovari”. “Kombi kosovar është përforcim i shqiptarizmës” tha doktori i shkencave, që paska qenë edhe këshilltar i ish Kryeministrit. Nëse i besohet kësaj demagogjie provokues, atëherë për ta përforcuar akoma më shumë shqiptarizmin, duhet urgjentisht formuar edhe kombin drenicak! Të Anamoravës! Të Luginës dhe të Iliridës. Pesë kombe janë më shumë se një, apo jo?

Sikur një intelektual gjerman nga ish Republika Demokratike e Gjermanisë t’ ishte shfaqur me ide për formimin e kombit tjetër, do ta kishin konsideruar të shitur tek rusët. Sikur një gjerman i rëndomtë, t’ ishte kacavarur në dritaren e vet dhe të kishte bërtitur se duhet formuar kombin e ri, do ta kishin konsideruar të krisur. Gjermanët besojnë e besonin se bashkimi bën fuqinë, njësimi, jo përçarja e brendshme. Kështu mendon edhe populli korean, i cili edhe pse në dy shtete, ruan kombin e vet.
Sikur të ishte ndarja më e mirë, atëherë as Unionin Europian nuk do ta përligjte synimin e vet. Pse duhet bashkuar, kur regjionalizimi dhe krahinorizmi janë më të mirë? Në Ballkan nuk ka krijuar kombe vetëm politika, por edhe religjioni. Njerëzit që flasin gjuhën e njëjtë dhe që kanë tradita të njëjta, kanë përkatësi tjetër etnike, vetëm pse i bëjnë qoftet apo turshitë ndryshe…Kërkesat për krijimin e kombit të ri, janë frymëzime nga kjo kuzhinë ballkanike.

Të Ngjajshme

Ky Mercedes ka 3.4 milionë klm të kaluara. Pronari thotë se do ta vozis deri në vdekje

admin

Presidenti kroat Milanoviç: Sa të jem gjallë unë, serbët e tillë nuk do të hyjnë kurrë në BE

admin

Përkeqësohet moti në Shqipëri, qarqet ku rrezikohen vërshime

admin

Leave a Comment