Në pritje për të mësuar të ardhmen e Dusan Vlahovic, që nuk po bind ende me bardhezinjtë, klubi italian po mendon për një zëvendësues. Dhe me paratë që mund të vijnë nga shitja e sulmuesit serb, Juventus po mendon të rikthejë në Itali një prej “fiksimeve” të saj të viteve të fundit: sulmuesin Gianluca Scamacca.
Lajmin e konfirmon “Gazzetta Dello Sport”, që shton se sulmuesi 24-vjeçar, aktualisht në pronësi të West Ham, ka dëshirë të rikthehet në Serie A. Scamacca nuk gjeti atë hapësirë që shpresonte në Premier League, duke realizuar deri më tani 3 gola në 16 ndeshje në kampionat. Ndërsa te Juventus mund të luajë më shumë, duke qenë se e njeh mirë kampionatin.
Scamacca ka një kontratë deri në vitin 2027 me West Ham, por për 30 milionë euro mund të largohet. Për sulmuesin italian është interesuar edhe Inter, që mund të largojë Lukaku, ndaj rikthimi i tij në Serie A duket i pashmangshëm. Pra, Inter e Juve nuk do të përballen vetëm në kampionat këtë fundjavë, por edhe për të rikthyer në Itali një sulmues që e dëshirojnë shumë.
.