August 11, 2022
Portali Shprehja

Kallëzim ndaj drejtorit të policisë financiare

Gazetare: Mirjana Davidovska

Kallëzim penal nga një person fizik është dorëzuar kundër drejtorit të Policisë Financiare në Prokurorinë e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Bëhet fjalë për person nga Dibra i cili në denoncim pohon se drejtori i Policisë Financiare ka bërë vepër penale “Keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”, “Torturë në kryerjen e detyrës si dhe vepër penale “Dhunë”.

Drejtori i Policisë Financiare Arafat Muaremi nuk është i befasuar nga ky kallëzim, pasi sipas tij bëhet fjalë për rast të inskenuar nga personi ndaj të cilit ka lëndë në Policinë Financiare. Sipas burimeve, personi ka marrë leje për ndërtimin tri objekte në tokë, e cila ka qenë në pronësi të shtetit.

Policia Financiare heton se si komuna e ka dhënë tokën shtetërore dhe përse Avokati i Shtetit, i cili duhet ta mbrojë pronën shtetërore ka dhënë mendim pozitiv për dhënien e tokës, e cila ka qenë në shfrytëzim të Shoqatës Aksionare për Ekonomizimin e Hapësirave të Banimit.

“Ne jemi të vetëdijshëm se këto sulme të inskenuara të qëllimshme dhe të pabaza ndaj nesh vijnë nga e njëjta qendër për të cilën tashmë janë duke u zhvilluar në mënyrë aktive procedurat përkatëse në Drejtori, por edhe në institucione të tjera, varësisht nga autoriteti i institucionit”, tha Arafat Muaremi  – Drejtor i Policisë Financiare.

Muaremi pret që sulmet e tilla të vazhdojnë, por edhe një herë u ka bërë thirrje institucioneve kompetente që të veprojnë sipas parashtresave që ai i ka paraqitur për bastisje të kundërligjshme në Administratë me urdhër të prokurorisë së Ruskovskës.

Ai sot ka dorëzuar parashtresë në Këshillin Gjyqësor dhe kërkon përgjegjësi nga gjyqtari që e ka miratuar bastisjen. Këshilli Gjyqësor konfirmon se është pranuar ankesa.

“Në njërën nga seancat e radhës të këshillit, me short do të formohet komision prej tre anëtarësh, i cili do të përgatisë raportin nëse do të vazhdojë apo do të ndalet procedura për gjykatësin. Duke pasur parasysh që raste të tilla janë konfidenciale, Këshilli Gjyqësor nuk mund të japë më shumë detaje”, KËSHILLI GJYQËSOR.

Në ndërkohë, prokurori i shtetit Joveski ende  nuk është deklaruar nëse do të ketë përgjegjësi për prokuroret e krimit të organizuar për veprime të kundërligjshme në lidhje me bastisjen në Drejtorinë e Policisë Financiare./Alsat.mk

.

Të Ngjajshme

Gjobiten 187 shoferë në Shkup, 69 për vozitje të shpejtë

Në Tabanoc dhe Bogorodicë për dalje nga vendi pritet rreth 30 minuta

Karantinë dhe izolim, KSI me rekomandime për rastet me linë e majmunit në Maqedoni

admin

Leave a Comment