December 5, 2022
Portali Shprehja

Kievi akuzon Moskën për krime lufte në qytetin e çliruar Herson

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Presidenti i Ukrainës, Zelensky, vizitoi qytetin e Hersonit, i cili javën e kaluar u çlirua nga pushtimi rus. Ai foli me ushtarët e mbledhur në qytet dhe tha se Ukraina “është duke ecur përpara”. Civilë të ngazëllyer që i kishin mbijetuar muajve të tëra pushtimit rus zbritën në sheshin qendror të Hersonit, duke përqafuar ushtarët e sapoardhur ukrainas, duke bërë foto me ta dhe duke valëvitur flamujt ukrainas.

Gjatë vizitës, Zelensky tha se Ukraina është “gati për paqe për të gjithë vendin.

“A është fillimi i fundit të luftës? Natyrisht, e shihni ushtrinë tonë të fortë, ne po vijmë hap pas hapi në vendin tonë, në të gjitha territoret e pushtuara përkohësisht, dhe sigurisht është për të ardhur keq, por është një rrugë e gjatë, rruga e vështirë, sepse kjo luftë mori heronjtë tanë më të mirë. Ne jemi gati për paqe, por paqja jonë për vendin tonë është i gjithë vendi ynë, i gjithë territori ynë. Ne respektojmë ligjin dhe respektojmë sovranitetin e të gjitha vendeve, por tani po flasim për vendin tonë, prandaj po luftojmë kundër agresionit rus”, deklaroi Volodomyr Zelenski, President i Ukrainës.

Ai falënderoi NATO-n dhe aleatët e tjerë për mbështetjen e vendit të tij në luftën kundër Rusisë. Ai tha se sistemet raketore Himars, të dërguara nga SHBA-ja, e kanë ndihmuar shumë Kievin. Në një video-adresim më herët, Zelensky tha se hetuesit kanë zbuluar më shumë se 400 krime lufte në zonat e Hersonit, pas largimit të forcave ruse.

“Hetuesit kanë dokumentuar tashmë më shumë se 400 krime lufte nga Rusia. Janë gjetur trupa civilësh dhe ushtarësh të vrarë. Në rajonin e Hersonit, ushtria ruse ka lënë pas të njëjtat mizori sikurse në rajonet e tjera të vendit tonë, ku ka mundur të hyjë”, deklaroi Volodomyr Zelenski, President i Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka folur për vizitën e presidentit ukrainas në Kherson, pasi trupat ruse u tërhoqën nga qytetit. “Asnjë koment. Ky është territor rus”, tha Peskov gjatë një konference të rregullt me gazetarët. Forcat ukrainase hynë në qytetin e Khersonit të premten ndërsa ushtria ruse u tërhoq nga bregu perëndimor i lumit Dnipro në rajonin Kherson.

Nga ana tjetër sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jans Stoltenberg tha se Ukraina përballet me muaj të vështirë përpara dhe kapaciteti ushtarak i Rusisë nuk duhet të nënvlerësohet. Ai e vlerësoi “guximin e jashtëzakonshëm” të forcave të Ukrainës, të cilat rikthyen kontrollin mbi rajonin e Hersonit, dhe tha se mbështetja ndërkombëtare për Kievin duhet të vazhdojë./Alsat.mk

.

Të Ngjajshme

Kroacia fiton dramën me penallti dhe kalon në çerekfinale

Turqia mirëpret ekstradimin e militantit kurd nga Suedia

Mbyllen 15 minutat e para të shtesave, mbetet 1-1 rezultati mes Japonisë dhe Kroacisë

Leave a Comment