September 25, 2022
Portali Shprehja

“Kornizë të re” për dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se diplomatët evropianë kanë propozuar “kornizë të re” për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Ai i ka bërë këto deklarata të shtunën, pas takimit që ka pasur me Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Serbisë.

Një ditë më herët, Vuçiq ka pritur në Beograd të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune.

“Sipas tyre [diplomatëve evropianë], dialogu duhet të rezultojë me zgjidhje të menjëhershme dhe përfundimtare, siç thonë ata, të problemeve, me të cilat po përballemi dhe të të gjitha çështjeve të pazgjidhura”, ka thënë Vuçiq më 10 shtator.

Ai ka shtuar se diplomatët evropianë kanë theksuar se e kanë edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për diçka të tillë.

“Marrëveshja do të nënkuptonte – nuk mund të them njohje të Kosovës – mirëpo do të ishte njohje të gjithçkaje që ata mendojnë se është realitet’, ka thënë Vuçiq.

Sipas tij, përfaqësuesit evropianë kanë treguar se pozicioni i Perëndimit është se Evropa nuk ka nevojë për konflikte të reja, andaj është shumë e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur.

Vuçiq ka thënë se në takim me diplomatët evropianë ka përsëritur se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, por se është e gatshme për zgjidhje kompromisi. Ai nuk ka dhënë detaje se çfarë nënkupton me zgjidhje kompromisi.

Duke folur pas takimit me Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Vuçiq, po ashtu ka thënë se fuqitë e mëdha perëndimore, plus Turqia, besojnë se zgjidhja e mundshme e çështjes së Kosovës përmes pavarësisë së saj, do t’i jepte përgjigje edhe presidentit rus, Vladimir Putin në lidhje me Krimenë.

“Pas kësaj, ata do të thoshin: Nëse Krimeja dhe Ukraina arrijnë marrëveshje, atëherë mundet, por pa të nuk është e mundur. Pra, ne jemi bërë dëm kolateral i konflikteve të mëdha dhe sjelljes së tyre joparimore nga e kaluara”, ka thënë Vuçiq.

Sipas tij, diplomatët evropianë kanë thënë po ashtu se presidenti Putin “e ka ngritur perden dhe se u mbetet vendeve të deklarojnë se në cilën anë duan të jenë”.

Serbia është i vetmi vend në Ballkan që nuk i ka vënë sanksione Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Tre diplomatët evropianë kanë qëndruar më 9 shtator edhe në Kosovë, ku kanë takuar kryeminisrin Albin Kurti.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i tyre në terren ka ngecur.

Më 4 shtator, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, kanë emëruar këshilltarët e tyre për të ndihmuar këtë dialog.

Të Ngjajshme

Turqia “godet” Rusinë: S’i njohim referendumet në Ukrainë!

admin

Abazoviq: Kurrë nuk ka qenë më i mirë se sot bashkëpunimi me Serbinë dhe Vuçiqin

admin

​Rama: Serbia ta njohë dhe t’i kërkojë falje Kosovës

admin

Leave a Comment