August 17, 2022
Portali Shprehja

Kosova dhe Serbia pritet të rifillojnë bisedimet gjatë muajit gusht

Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç që të takohen në Bruksel për të diskutuar në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga blloku, në mënyrë që të shmangen tensionet si ato të së dielës në veriun e Kosovës.

Por, zyrtarët në Bruksel nuk dhanë ndonjë afat se kur mund të ndodhë takimi, ndërsa në Prishtinë dhe në Beograd flasin për pjesën e dytë të muajit gusht.

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thanë se “një takim i radhës, pritet të bëhet në javën e tretë të këtij muaji”.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha të martën në mbrëmje se do të shkojë në takim në Bruksel me 18 gusht.

Tensionet shpërthyen të dielën në komunat veriorë të Kosovës të banuara me shumicë serbe, kur grupe qytetarësh bllokuan rrugët për të kundërshtuar planet e qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia.

Qetësia u rivendos pasi qeveria e Kosovës pranoi kërkesën amerikane për një shtyrje 30 ditëshe të zbatimit të vendimeve.

Pas kësaj shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se “çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të trajtohen nëpërmjet bisedimeve të lehtësuara prej tij dhe duke u përqendruar në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet tyre që janë thelbësore për rrugën drejt integrimeve evropiane”.

Kryeministri Kurti tha se kurdo që merr ftesë nga zoti Borrell është i gatshëm të shkojë në Bruksel. “Ne jemi për dialog të përgatitur mirë, parimor, të balancuar drejt një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar në njohjen reciproke. Gatishmëria nga ana jonë ekziston”, tha kryeministri të hënën gjatë një konference me gazetarë në Prishtinë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha se do të shkojë në Bruksel, por nuk pret asgjë nga bisedimet me kryeministrin Kurti.

“Do të shkoj në Bruksel, por nuk pres asgjë. Kushdo që mendon se me Kurtin ka gjasa të ruhet paqja, e ka shumë gabim”, tha presidenti serb në një intervistë me Radiotelevizionin e Serbisë.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, ajo kundërshtohet nga Serbia e mbështetur nga Moska e cila akuzoi autoritetet e Kosovës për “veprime diskriminuese”.

Serbia është vendi i vetëm në Evropë që nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Ndërsa rrugët në veriun e Kosovës ishin bllokuar të dielën, deputeti nga radhët e Partisë Përparimtare serbe, Valdimir Gjukanoviç, shkroi se “më duket që Serbia do të jetë e detyruar të fillojë denacifikimin e Ballkanit”, një referencë e qartë për justifikimin e përdorur nga Rusia për agresionin e saj në Ukrainë.

Të Ngjajshme

Itali, dy fëmijë qëllojnë me thikë të dashurin e nënës së tyre

admin

​Begaj: Të bëjmë më të mirën në dobi të kombit tonë

admin

Blinken i dërgon përshëndetje Kurtit

admin

Leave a Comment