Pas barazimit 2-2 më Zvicrën në stadiumin “Fadil Vokrri”, rezultat që ringjalli shpresat për një kualifikim potencial në Kampionatin Evropianë “Euro 2024”, Kosova do ta zhvillojë sot ndeshjen e radhës në kuadër të këtyre kualifikimeve. “Dardanët” do të jenë mysafir të Rumanisë në Bukuresht, kombëtare e cila renditet e dyta në grupin “I” më 9 pikë, dy më pak se Zvicra që është liderë e këtij grupi. Nga ana tjetër, Kosova ka katër pikë në vendin e pestë, aq sa ka edhe Bjellorusia në vendin e katër, kurse Izraeli është i treti me tetë pikë. Në rast të fitores, “Dardanët” e udhëhequr nga trajneri Primozh Gliha do të arrijnë kuotën e shtatë pikëve dhe do të futeshin direkt në garë të ngushtë për vendin e dytë që siguron kualifikimin në “Euro 2024”. Ndeshja Rumani-Kosovë, nis në orën 20:45 në stadiumin “Arena Nacionale” në Bukuresht.
“Ajo që mund të them është se futbolli është më I madh se politika. Politike është një pjesë e jetës për të cilën nuk kam shumë interes, por mund ta them me shumë siguri që futbolli është më I madh se politika. Besoj se këtë duhet ta kuptojnë edhe në Rumani. Unë mund të konfirmojë se kam shumë mesazhe në telefonin tim që kam marrë nga njerëzit në Slloveni, sepse atje duhet të keni të qartë se atje jetojnë dhe serbët dhe malazezët dhe popujt të ndryshëm. Kam marrë shumë urime nga ata për emërimin që jam bërë selektori i Kosovës, prandaj mund të them se kjo është një dëshmi se futbolli është më i madh se politika”, deklaroi Primozh Gliha, trajner i Kosovës.
“Mjafton ta shihni këtë logo në zemrën tonë, është flamuri i Kosovës dhe ne e përfaqësojmë këtë shtet dhe askënd tjetër. Ne jemi Kosova. Jemi të lindur nga lufta dhe do të bëhemi më të fortë se guri”, u shpreh Mërgim Vojvoda, mbrojtësi i Kosovës. /Alsat.mk
.